Kulturë

“Melihate Ajeti – primadona e skenës shqiptare”, testament edhe për të ardhmen

“Të gjitha përjetimet e ndjenjat e mia i kam shkrirë në fletoret e mia, edhe ato që nuk shprehen dot para njerëzve më të besueshëm, dhe nëse një ditë nuk do të mundem t’i jetësoj në një libër këtë do ta bëjë e bija ime, Antigona”, kishte thënë Melihate Ajeti në intervistën e saj të fundit. Amaneti i saj u përmbush në vitin kur do të bëhej 85 vjeçe dhe kur nga shuarja e saj kaluan përplot 15 vjet. Botimet KOHA solli monografinë “Melihate Ajeti - primadona e skenës shqiptare”. Autorja e kësaj vepre, Antigona Qena - Kaçaniku, ndër të tjerash e cilëson atë edhe si libër për gjeneratat që vijnë pas. “Kam dëshirë që rinia, ardhmëria, ta ketë këtë libër”, thotë ajo

Prishtinë, 23 dhjetor – Jetëshkrimi i një vajze me fëmijëri të trishtë, që u maturua mes duartrokitjeve për ta bërë skenën teatrore univers të saj, me vite do të ruhej në një valixhe të vogël.

Kur vdiq primadona e teatrit shqiptar, Melihate Ajeti, fletoret e materialet ku shkriu ndjenjat e përjetimet ia la trashëgimi vajzës së saj, gazetares Antigona Qena – Kaçaniku. Në intervistën e fundit, një vit para se të vdiste, për revistën “Teuta” ajo e bëri publike dëshirën e fundit: “Të gjitha përjetimet e ndjenjat e mia i kam shkrirë në fletoret e mia, edhe ato që nuk shprehen dot para njerëzve më të besueshëm, dhe nëse një ditë nuk do të mundem t’i jetësoj në një libër këtë do ta bëjë e bija ime, Antigona”.

Amaneti i saj u përmbush në vitin kur do të bëhej 85 vjeçe dhe kur nga shuarja e saj kaluan përplot 15 vjet. Krijimtaria e primadonës së skenës shqiptare është përmbledhur në faqet e këtij libri. Botimet KOHA sjell monografinë e autores Antigona Qena - Kaçaniku, me redaktore Flaka Surroin. Libri shpalos rrëfimin për vajzën që ende pa i mbushur 16 vjet shkeli në skenën e teatrit ku luajti mbi 180 role, kryesisht të para. I shkruar me mjeshtëri, gazetarja ia doli të distancohej nga emocionet, e libri merr formën e një përjetimi të rrallë.

Shfletimi i faqeve të monografisë ngjason sikur të ishte shfaqje: perdet hapen me copëza kujtimesh nga fëmijëria, e mbyllen me rolin e fundit. Arkiva fort e pasur e së bijës e plotëson bukur rrëfimin për primadonën e fotografitë e shkrepura në vitet kur krijimtaria e saj kishte arritur pikun janë dëshmi e kohëve të arta. Melihate Ajeti bashkë me Ansamblin e Teatrit Krahinor të Prishtinës, me shfaqjet në gjuhën shqipe, ua dëshmuan të tjerëve në ish-Jugosllavi se ishin të barabartë. Në mos edhe më të mirë.

Image

Antigona Qena - Kaçaniku: “Jeta e Melit ka qenë vërtet sa e bukur, aq e dhimbshme, e gjithë fëmijëria ime ka qenë sa e bukur, aq edhe e dhimbshme. Të gjitha përjetimet,  kujtimet që i kam nga fëmijëria – nuk kam mundur t’u ik atyre. Kjo ka qenë jeta ime, me prindërit e mi, babanë tim Muharremin, me Melin dhe nuk kam mundur të ik nga ajo. Është dashur disi ta gërshetoj, ta fus në libër, e të mos jetë tepër…”

 
 
Fëmijëria e lënduar, jeta e krijimtaria me Muharrem Qenën
 
Melihate Ajeti u lind në Prishtinë më 1935 në një familje të kamur qytetare. Në martesën e Nixhare Parteshit – biondes sykaltër, siç përshkruhet në libër – dhe Shaban Ajetit, ajo ishte fëmija i parë. Antigona shkruan se fëmijëria e së ëmës ishte përrallore. Babai e dërgonte në shkollë me pajton të bardhë e nëna i qepte fustane të bukura. Por, kristali me të cilin e mbështollën prindërit do të thyhej kur babai i Melit, meqë ishte anëtar i grupit për çështje kombëtare të veprimtarit Iljaz Haxhi Agushi, u dënua me pushkatim nga partizanët. Ky dënim në fund u zëvendësua me burgim 20-vjeçar, por Meli do të bëhej dëshmitare kur masa e mbledhur në qytet shau e pështyu “tradhtarët e armiqtë e popullit”.

“Jeta e Melit ka qenë vërtet sa e bukur, aq e dhimbshme, e gjithë fëmijëria ime ka qenë sa e bukur, aq edhe e dhimbshme. Të gjitha përjetimet, kujtimet që i kam nga fëmijëria – nuk kam mundur t’u ik atyre. Kjo ka qenë jeta ime, me prindërit e mi, babanë tim Muharremin, me Melin dhe nuk kam mundur të ik nga ajo. Është dashur disi ta gërshetoj, ta fus në libër, e të mos jetë tepër, si të them të mos e dhunoj lexuesin me gjëra intime. Kam zgjedhur vetëm ato që prekin më së shumti zemrën time”, thotë Antigona Qena - Kaçaniku në foajeun e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në muret e së cilit mes tjerash dallohet fotografia e së ëmës.

Kur i ati u burgos, jeta e Melit mori një kthesë të madhe. U detyrua të vazhdonte jetën në jetimoren e Pejës.

Image

Meli me shoqet e jetimores në Pejë, 1948

                                               

Antigona Qena - Kaçaniku përshkruan se e ëma u rrit dhe u formësua si një vajzë me karakter të fortë, që ëndërronte dhe adhuronte baletin. Talenti i saj ra në sy derisa po aktronte në shoqërinë amatore “Përparimi” të Pejës. E kur mori ftesën që t’i bashkohej Teatrit Krahinor të Prishtinës dhe e takoi Muharrem Qenën, nisi kapitulli i ri i jetës së saj. Jeta dhe krijimtaria e përbashkët me Qenën për 16 vjet deri në divorcim shpaloset në faqet e para të monografisë, të cilën Antigona e përshkruan si dhuratë nga e bija për nënën, por në të njëjtën kohë tentim të gazetares që t’ia dhurojë ardhmërisë si dëshmi për vlerat që i kishim e të cilat nuk guxojnë të harrohen.

“Ky është një libër me shumë intimitet për aktoren Melihate Ajeti, por ajo nuk është e ndarë nga të tjerët, është pjesë e këtij ansambli, ajo është pjesë e secilës shfaqje dhe të gjithë së bashku kanë krijuar shfaqje. Do të shihni se Meli ka qenë në rolet e para kryesisht, por ajo këtë e ka krijuar me talentin e saj, me dukjen e saj, me aktrimin e saj. Dhe ka qenë e mirëpritur jashtë posaçërisht dhe çdo herë në gjuhën shqipe e ka prezantuar kulturën tonë”, thotë Qena - Kaçaniku.

Melihate Ajeti e nisi aktrimin në moshën 16-vjeçare dhe luajti në mbi 180 role, kryesisht kryesore. “Zullumqari”, “Vajza pa pajë”, “Zonja me kamelie”, “Halili e Hajria”, “Erveheja”, “Ana Karenina”, “Vdekja e një mbretëreshe”, “Sfinga e gjallë”, janë veç disa prej titujve që përmenden në libër dhe shumica shoqërohen me fotografi bardhezi.

“Njerëzit që e bëjnë historinë duhet të bëhen pjesë e saj”

Nga albumi i shfaqjeve, lexuesi e takon një vajzë me tipare fort të hijshme, që edhe kur nuk pozon e buzëqeshur e shpërndan vezullimën e një ylli. Ajo është çdoherë e kuruar në detaje – fustanet ikonike të viteve ‘60 e më vonë dëshmojnë se ishte në hap me modën e kohës. E në skenë dukej çdoherë madhështore, me kostumet e ndryshme në të cilat shkriu veten duke portretizuar role që e shpinin sa në një botë në tjetrën.

“Melihate Ajeti - primadona e skenës shqiptare” është vepër unike për këtë figurë të shquar, por edhe testament për brezat e rinj, të cilët duhet ta njohin historinë e vajzave të guximshme që shkelën paragjykimet e kohës.

“Është koha e internetit dhe për fat të keq çdokush mund të shkruajë dhe publikojë çkado, të publikojnë fotografi dhe mbas asaj vijnë 1 mijë e 100 komente pa e njohur aspak atë person, paragjykojnë për atë person dhe kjo është vërtetë e dhimbshme sepse këtu e kemi Katarina Josipin, bustin e saj, Meribane Shalën, të parat që kanë shkelur në teatër që kanë luajtur, të parat që kanë marrë guximin në një kohë aq të vështirë, aq paragjykuese që të jesh aktore”, thotë Antigona. Ajo mban mend se ato vajza të talentuara nuk kishin guxuar as të dilnin mbrëmjeve në korzo a në kafene. Dilnin vetëm kur ishin të shoqëruara nga familjarët.

“Drejtori i atëhershëm ka insistuar që ato ta kenë moralin sa më të lartë që ta bindin popullin e asaj kohe, që ta vetëdijesojnë se teatri është vlerë e madhe. Aty prezantohen shkrimtarët, skena, fjala, loja, zëri, e gjitha e gërshetuar me një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Vërtet ka qenë teatër i çmuar në atë kohë, e të mos dini ju të rinjtë që keni pasur aq shumë vlera, aq shumë njerëz me krijime të jashtëzakonshme është e dhimbshme”, thotë Qena – Kaçaniku, e cila në parathënien e librit kujton kohën kur Teatrin e Prishtinës e vizitonin njerëzit e veshur bukur e aktorët adhuroheshin e respektoheshin fort. Kohën kur jetohej në magji.

Krejt ndryshe është koha e tashme në sytë e Antigona Qena - Kaçanikut.

“E keqja është që jetojmë në një vend i cili nuk ka kohë e as ndjenja për krijuesit e dikurshëm. Natyrisht u japin nga një fletëfalënderim dhe me kaq përfundon. Nëse i zë situata që ta humbin jetën sa është ndonjë ministër në institucionet përkatëse, dalin një ditë e bëjnë një ceremoni dhe me kaq përfundon. E për secilin prej tyre duhet shkruar një monografi, ka dokumente, Teatri ka një arkiv të madh për të gjithë aktorët, jo vetëm për Melin”, thotë ajo.

Botimet KOHA sivjet ka përmbyllur ciklin e botimeve të librave me monografinë për aktoren Melihate Ajeti. Është libri i 14-të me radhë i vitit i dalë nga shtypshkronja e Botimeve KOHA. Monografia u përurua në kuadër të ndarjes së shpërblimit vjetor për gazetari dhe roman, “Rexhai Surroi”.

Redaktorja e monografisë, Flaka Surroi, e përmendi që Melihate Ajeti ishte ikona e teatrit kosovar me dekada dhe prandaj u botua përmbledhja e jetës së saj.

“E botuam sepse njerëzit që e bëjnë historinë duhet edhe të bëhen pjesë e saj”, ka thënë Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, me rastin e promovimit të librit.

Dedikim për rininë që duhet ta çmojë të kaluarën

Librin e shkruar nga e bija e aktores, Antigona Qena - Kaçaniku, redaktorja e ka vlerësuar si një vepër ku autorja ka ditur ta mbajë distancën dhe të jetë minimalisht subjektive teksa rrëfen për jetën dhe veprën e nënës së saj. Nga ana tjetër, për Antigona Qena - Kaçanikun nuk ka qenë fort e lehtë të shkruajë për një person kaq të afërt të zemrës. Por, me këtë libër e ka çuar në vend amanetin e nënës.

“Të shkruaj nuk e kam vështirë, për krijuesit e mëdhenj është kënaqësi e madhe t’i kthej ata që janë harruar e që dikur ishin vërtet vlerë e këtij vendi, por natyrisht për nënën është pak më vështirë. Dhe meqë ajo ma la trashëgimi vetëm një valixhe përplot materiale, përplot dokumente që i ka ruajtur gjithë jetën – sepse kjo ishte jeta e saj, teatri ishte jeta e saj”, thotë Qena - Kaçaniku. Në faqet e këtij libri gërshetohen edhe vlerësimet e kritikës së kohës me rrëfime të shkëputura nga intervistat. Veç intervistave të Melit, janë përfshirë edhe vlerësimet që i bënin të tjerët.

“Ana tjetër që do ta veçoja janë rolet e saj. Unë nuk di cilin ta përmend më parë. Kulmi për mua është roli, thuaja episodik, i plakës Nicë te ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Nuk më hiqet mendsh ajo skena e saj kur e hedh atë thesin me eshtrat...”, është vlerësimi që ia bëri shkrimtari Ramiz Kelmendi. Ky vlerësim, bashkë me ata që kishin dhënë Vehap Shita, Leze Qena, Adem Mikullovci e shumë të tjerë, zënë vend në faqet e librit. Për shumëkënd, roli i jetës së Melihate Ajetit qe “Erveheja”. Premiera u dha më 11 nëntor të vitit 1966 dhe regjinë e realizoi Muharrem Qena. Me këtë shfaqje edhe përfundoi krijimtaria e përbashkët e çiftit. Shfaqja do të bënte jehonë gjithandej. Do të mbahej në repertor për 13 vjet dhe do të shikohej nga 100 mijë shikues. Për “Ervehenë” e Teatrit të Prishtinës shkroi edhe kritiku i njohur i teatrit, Sllobodan Seleniq, profesor i Fakultetit të Arteve Skenike në Beograd. Këto shkrime kombinohen me rrëfimin e Antigonës, në formën e dëshmive që i kanë mbijetuar “pluhurit të harresës”. Në një intervistë për rolin e Ervehesë, Meli e përshkroi shfaqjen jo vetëm poemë për gruan, por edhe për egërsinë ndaj saj.

Image

Meli dhe Muharrem Qena në gardërobën e Teatrit, qershor 1954

                                                             
“Ervehenë nuk do ta harroj kurrë, jo vetëm për suksesin që mbërriti te publiku, kritika e juria, po edhe për arsye se gjatë gjithë kohës, derisa e kam jetuar në skenë, shumë prej skenave i kam përjetuar edhe në jetë private”, kishte thënë ajo.

Kjo pjesë e historisë për gjeneratën e aktorëve që shndritën dhe lartësuan artin skenik s’guxon të mbetet e parrëfyer. Me të drejtë, Antigona Qena - Kaçaniku librin ua dedikon të rinjve, duke nisur nga nipat e saj.

“Kam dëshirë që rinia, ardhmëria, ta ketë këtë libër. Ata që shkuan, ata që janë në ditët e sotme ndoshta mbajnë mend disa krijues, por ju rinia nuk e dini. Bazuar në djemtë e mi që janë të moshës suaj e që pak dinë, më duhet t’jua përkujtoj arritjet e popullit, prandaj dëshiroj që ju ta keni në dorë, të mburreni. Nëse ne nuk e çmojmë të kaluarën tonë, ne nuk kemi as fytyrë t’i drejtohemi ardhmërisë pa ndonjë bagazh, pa ndonjë civilizim”, thotë ajo.

Në citatet e shkëputura nga intervistat, edhe Melihate Ajeti flet për pionierët e teatrit që kishin entuziazëm dhe ideale të shumta.

“Kemi filluar të shtyrë nga vullneti dhe dashuria për skenën...”, përmend ajo. Në përmbledhjen me të cilën u jetësua dëshira e saj e fundit përfshihet edhe kapitulli i rëndësishëm i karrierës së saj në ekranin televiziv. Meli la gjurmë të pashlyera në kinematografi me rolet në filmat: “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, “Buka”, “Etja”, “Lepuri me 5 këmbë”, “Era e Lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Gjurmët e bardha” e të tjerë.

Melihate Ajeti vdiq më 26 mars të vitit 2005. Por, trashëgimia e saj artistike do të jetojë gjatë e përmbledhur me finesë në monografi. Nga vajza për nënën. Nga gazetarja për primadonën.

Image

    Melihate Ajeti si Erveheja, 1967