Kulturë

“Në kërkim të Venerës” me dramën e familjes shqiptare nis rrugëtimin nga Rotterdami

Për herë të parë në historinë e festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova është përfshirë në garën zyrtare. “Në kërkim të Venerës”, përvijon konfliktet midis gjeneratave në familjet e mëdha shqiptare përmes kundërvënies së Venerës ndaj normave shoqërore. Regjisorja Norika Sefa në një prononcim për kohën ka thënë se e kishte pasur në mendje pikërisht këtë festival kur e kishte realizuar filmin që ajo e cilëson si goxha eksperimental

Përjetimi i një jete të re bën që Venera të revoltohet ndaj mendësisë patriarkale duke kërkuar një përshtatje të domosdoshme. Filmi i metrazhit të gjatë “Në kërkim të Venerës”, nën regji të Norika Sefës, do të ketë premierën e vet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam (IFFR).

Lajmin e ka bërë të ditur të martën Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila përmes një kumtese në adresë të mediave ka thënë se ky është “filmi i parë kosovar që merr pjesë në këtë festival, ndër më të mëdhenjtë ndërkombëtarë”.

“Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vërë në dyshim familjen e saj patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendjehapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kureshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Derisa Venera përsiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shpreh një sens absurd të jetës: me njerëz që fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi”, thuhet në përshkrimin sinoptik të filmit të përfshirë në kumtesën e QKK-së.

“Në kërkim të Venerës” – për të cilin QKK ka ndarë 200 mijë euro – luajnë aktorët: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e të tjerë.

Ky film është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe nga ajo e Kaçanikut.

Vetë regjisorja Norika Sefa ka thënë se e kishte pasur në mendje pikërisht këtë festival kur e kishte realizuar filmin që ajo e cilëson si goxha eksperimental.

Në një prononcim për KOHËN, ajo të martën ka thënë se filmi i saj ka target secilën moshë, pasi që trajton tri gjenerata brenda një familjeje.

“Besoj se ideja se si jetohet në një familje të madhe është absurde për logjikën e botës së jashtme ku familjet janë minimaliste”, ka thënë Sefa.

Regjisorja e re ka thënë se njerëzve brenda festivalit duhet t’u ketë bërë përshtypje jeta brenda një familjeje ku nuk ka privatësi e nuk kuptohen emocionet mes njëri-tjetrit.

“Pikërisht kjo logjika e traditës lë përshtypje, sepse temperamenti i një të riu bie në konflikt kur provon t’i thyejë rregullat”, ka shtuar Sefa.

Kurse producenti i filmit, Besnik Krapi, e ka cilësuar si lajm të jashtëzakonshëm përfshirjen e filmit në festivalin e njohur.

“Një motiv i madh për të punuar tutje”, ka thënë Krapi teksa ka shtuar se ka besuar në vizionin e regjisores.

Edhe drejtori i QKK-së, Arben Zharku, e ka cilësuar si arritje të madhe të regjisores Sefa, si dhe ekipit realizues të filmit.

“Ky është sukses i madh me fillim për karrierën e regjisores dhe producentit Besnik Krapi. Urime për të gjithë ekipin e mrekullueshëm të filmit”, ka shkruar Zharku në llogarinë e tij në “Facebook”.

E projekti i regjisores Sefa do të jetë vetëm njëri nga gjashtëmbëdhjetë filmat e përfshirë në përzgjedhjen për garën “Tiger Competition”.

Në këtë kategori e cila, sipas faqes së IFFR-së, ka për qëllim zbulimin e talenteve të filmit, janë në garë edhe filma të tjerë që do të jepen po ashtu premierë: “Agate mousse” i regjisorit Selim Mourad (Liban), “Bebia, à mon seul désir” i Juja Dobrachkous (Britani e Madhe/Gjeorgji), “Bipolar” i Queena Li (Kinë), “Black Medusa” i Youssef Chebbi (Tunizi), “A Corsican Summer” i Pascal Tagnati (Francë), “The Edge of Daybreak” i Taiki Sakpisit (Tajlandë/Zvicër), “Feast” i Tim Leyendekker (Holandë), “Friends and Strangers” i James Vaughan (Australi), “Gritt” i Itonje Søimer Guttormsen (Norvegji), “Landscapes of Resistance” i Marta Popivoda (Serbi/Gjermani/Francë), “Liborio” i Nino Martínez Sosa (Republika Dominikane/Puerto Rico/Katar), “Madalena” i Madiano Marcheti (Brazil), “Mayday” i Karen Cinorre (ShBA), “Mighty Flash” i Ainhoa Rodríguez (Sanjë) dhe “Pebbles” i Vinothraj P.S., (Indi).

Po ashtu, në garën “Big Screen” janë përfshirë 15 filma të ndryshëm, ndërkohë që kategoria jogaruese “Limelight” do të përfshijë 13 filma, në mesin e të cilëve edhe filma të shfaqur në festivale të tjera si “Sweat” i Magnus von Hornit dhe “Quo Vadis, Aida?” i Jasmila Zhvaniqit.

Edicioni i sivjetmë, i 50-ti me radhë, i “Rotterdam International Film Festival” do të hapet me filmin komedi-aksion “Riders of Justice” të regjisorit Anders Thomas Jensen. Për shkak të rrethanave me pandeminë, ky festival sivjet do të organizohet në dy pjesë: fillimisht, në një format hibrid, që mbahet nga 1 deri më 7 shkurt, dhe pastaj, me gjasë si ngjarje fizike, nga 2 deri më 6 qershor.

Si festival i përvitshëm i filmit, IFFR mbahet në fund të janarit në vende të ndryshme të qytetit të Rotterdamit në Holandë. Që prej themelimit të tij me 1972, ai ka pasur në fokus të tij filmbërjen e pavarur dhe atë eksperimentale duke vënë në pah talentet.