Kulturë

Izolimi që i dha jetë John Lennonit

Dyzet vjet pas vrasjes së John Lennonit, një shkrimtare kthehet në bisedën që e zhvilloi me anëtarin e “The Beatles” për periudhën e gjatë të izolimit dhe vetëreflektimit që e frymëzoi atë si një solo artist dhe qenie njerëzore

A mund të arrihet këndellja pas një periudhe të gjatë dhe stresuese të izolimit, që shumica e njerëzve e kanë përjetuar me masat e parandalimit të përhapjes së koronavirusit gjatë vitit 2020? Kur dalim nga izolimi, a e shohim botën me një tjetër sy? A mund të ketë periudhë shkëndijash pas muajve të jetës së heshtur dhe reflektimit?

Katër dekada më parë, me veshët e mi e dëgjova se si një periudhë e gjatë vetmie ndryshoi figurën e jashtëzakonshme që i ishte bërë pikë se jeta e tij do të kishte një kuptim: John Lennonin, që u përkujtua më 8 dhjetor, në 40-vjetorin e vrasjes së tij.

Nuk kishte pandemi në fund të 1975-s kur Lennoni dhe Yoko Ono, personalitetet më të famshme të kohës, u tërhoqën në atë që u shndërrua në pesëvjeçar të heshtur dhe larg nga intervistat e incizimet. Dalja nga skena u bë fiks pas ardhjes në jetë të të birit Sean. Në këtë periudhë Lennoni ishte i zemëruar dhe plot frikë.

Jetonte në New York. Ende në kërkim të kartës së gjelbër dhe në betejë me dëbimin nga Amerika. Ani pse “The Beatles” nuk po bënte muzikë, u deshën disa vjet për të arritur marrëveshjet ligjore, mirëpo hija e bendit e ndiqte kudo. Koleksioni i këngëve klasike të “The Beatles” po riciklohej dhe Lennonit po i shtoheshin shqetësimet se kurrë nuk do të përmbushte kërkesën e publikut për ribashkimin e Bendit të Ëndrrave. Paul McCartney ishte ngulitur në pozitat e para me këngën “Wings”, ama Lennoni nuk po shijonte pozitën e parë të albumeve që prej vitit 1974 kur publikoi “Walls and Bridges” me ndihmën e Elton Johnit në këngën “Whatever Gets You Thru the Night”.

Ishte koha t’ia niste nga e para. Më vonë do të më tregonte se mendja e tij muzikore ishte e shembur dhe e mbushur me këngë statike si radiot e veturave. “Mesazhet e ngatërruara hynin dhe dilnin nga mendja ime”, do të më thoshte.

Në fillimin e vitit 1976 u izolua së bashku me Yokon. Lëvizjet e tij nuk ishin të kufizuara dhe e fejuara ishte e sigurt, ama e mbylli veten nga krejt bota për ta gjetur qëllimin e vet përsëri.

Gjatë këtyre viteve, Ono mori drejtimin e biznesit dhe përballej me avokatët në zyrën e katit të poshtëm në Dakota. Çifti jetonte në Upper West Side. Lennoni ishte izoluar krejtësisht. Fqinjët në katin e shtatë mund ta dëgjonin teksa i binte pianos së bardhë të vendosur në skaj të dhomës së ditës. I këndonte këngët e “The Beatles”, njërën pas tjetrës, pa u ndalur. Ditën e çonte përreth të birit Sean. Zgjohej në orën gjashtë të mëngjesit, “pija një gotë çaj, pa kafeinë – dhe mendoja çfarë t’i bëja djalit për kafjall, pastaj dilte, komunikonim. Krejt në fund mendoja për gatimin e radhës. Isha si zonja Higgins në Wisconsin”, më tha ai.

Epifania e tij erdhi në vitin 1979 kur Ono e këshilloi që të nisej i vetmuar drejt Hong-Kongut dhe Singaporit, për të gjetur zotin e asgjësë – personit që kishte qenë dikur dhe jo të famshmit që qe shndërruar. Siç sqaron ai, izolimi jo vetëm që e frymëzoi të thyente akullin si artist, por edhe si qenie njerëzore.

Në gushtin e vitit 1980, ashtu siç e filluan, i dhanë fund izolimit të tyre për t’u kthyer në studio. Incizuan albumin bashkëpunues. Intervistën e parë pas pesë vjetësh e realizuan me mua kur punoja për revistën “Newsweek” si kritike rioshe e muzikës pop. (Ono më pyeti për ditëlindjen dhe ia ktheva se do ta shikoj me datë tamam). “Double Fantasy” ishte album i mbushur me këngë dashurie (të shkruara për bashkëshorten dhe të birin).

“Tungjatjeta, jam Howard Garbo, apo sot është Greta Hughes, nënë?”, pyeti Lennoni kur Ono na prezantoi në “Hit Factory”, dy muaj para ditëlindjes së tij të 40-të. E fshiu një pjatë me sushi. Në pesë ditët e fundit kishte ngrënë ngjalë me oriz në studion e tij (në të kishte një fotografi të të birit të buzëqeshur) dhe qoftë i ulur në restorant e kafe në dorë, qoftë në dhomën e ndejës me ngjyrë të bardhë në Dakota, fliste për kreativitetin, të qenit baba, albumin bashkëpunues me Yokon dhe lirinë nga grupi “The Beatles” – “katër djelmosha që kanë qenë në atë grup, por që kurrë më nuk do të jenë, edhe nëse do të dëshironin”.

“Ajri është i pastër siç jam edhe unë”, tha ai. Këto janë pjesë të redaktuara nga biseda. Pjesë të saj janë publikuar në: “Strawberry Field Forever: John Lennon Remembered” (Bantam Books, 1980).

Pse i hoqët antenat dhe u zhdukët për pesë vjet?

Lennon: Sean do bëhet pesë vjeç dhe unë doja që në këto vite të jem pranë tij gjatë krejt kohës. Djalin e madh, Julianin, nuk e kam parë të rritej dhe tani është burrë 17-vjeçar që flet me mua për motoçikletat. Nuk isha aty gjatë fëmijërisë së tij. Ndodhesha nëpër turne, ndërkaq fëmijëria ime ishte krejt ndryshe. Nëse nuk i jap vëmendjen nga zero deri në pesë vjet, atëherë dreqi ta hajë, do të jem afër prej moshës 16 deri në 20 vjet – gjithsesi fëmijët marrin vëmendjen tonë disi.

Ende nuk është pavarësuar, por e lë të vijë në studio herë pas here kur unë punoj. Do të jetë pjesë e saj nëse dëshiron.

A donit të tërhiqeshit nga vetëkrijimi i muzikës apo nga presioni i të qenit John Lennoni? Paditë, problemet e imigracionit...

Lennon: Pak nga të dyja. Jam me kontratë që prej moshës 22-vjeçare, sepse kështu duhej të ishte. Është dashur t’i shkruaj 100 këngë deri të premten, nga një këngë ta realizoj deri të shtunën. Arsyeja që isha artist qe liria; sepse nuk mund të përshtatesha në klasë, fakultet dhe shoqëri. Sa hap e mbyll sytë isha i lidhur për një studio incizimi, i obliguar ndaj medias, publikut dhe gjykatës sa herë që ndonjë i marrë përplasej me mua në rrugë. E di se lirinë e kam në mendje, por mendjen nuk mund ta kthjelloja. Prandaj ishte koha që ta mblidhje veten”.

A jeni tërhequr dhe izoluar më parë?

Lennon: Kur isha në Himalaje me Maharishin krejt çka u shkrua nëpër media ishte: “shikoni ata idiotët”. Por unë qëndroja në vend, një formë qëndrimi që kinezët e quajnë I-Ching. Kur “The Beatles” u kthye nga Hamburgu pasi na dëbuan, nuk kontaktova me grupin për një muaj. U tërhoqa për të menduar nëse ia vlente të vazhdohej kështu. George [Harrison] dhe Paul [McCartney] u hidhëruan me mua. Por për mua është mbijetesë të dish se kur është boll. Ankthi në biznesin e muzikës është që nuk ekzistoni kur emri nuk të gjendet në top-listë. Doja të kujtoja se, mbi të gjitha, ekzistoja.

Së pari ishte zor të bëja diçka jomuzikore. Nuk kisha qartësi dhe dëshirë për muzikë, sepse deri më tani ishte detyrim. Tek unë vjen muzika e vërtetë, muzika e sferave, muzika që tejkalon të kuptuarit dhe shërbej si kanal. Mirëpo me qëllim që kanali im të jetë i hapur, është dashur të ndal së kërkuari çdo radiostacion të botës. Pra, ikja nga kjo përditshmëri është fillimi i shërimit tim.

Javët e para të tërheqjes qenë të vështira, ishte periudhë të cilën njerëzit e kalojnë në moshën 65-vjeçare. Nisa të jem burrë shtëpie dhe vëmendjen e kisha te Sean. E kuptova se nuk supozohej të bëja diçka, unë veç po bëja diçka dhe pastaj isha i liruar.

Kur nuk dilje, a e ndieje se të mungonte ndonjë copë New Yorku?

Lennon: Picasso nuk shkonte në muze. Ose pikturonte, hante dhe bënte seks. Jetoi aty ku donte dhe njerëzit e vizitonin. Kështu bëja edhe unë. A shkonte Picasso në ndonjë studio për të parë piktorët e tjerë?

Personat e vetëm që shkova në Londër për t’i vizituar gjatë periudhës së “Swinging Sixties” ishin Jimi Hendrix dhe Bob Dylan në Ishullin e Wightit. Isha i zënë me punë dhe nuk kisha kohë t’i shikoja të tjerët. Konkurrenca nuk më intereson derisa nuk është e përkryer me qëllim që të ekzistojë më shumë sesa veç një natë klubi. Këngëtarët që i kam ndjekur, prej Little Richard e deri te Jerry Lee Lewis më kanë zhgënjyer. Prandaj, preferoja më shumë qëndrimin në studio.

Për vite të tëra industria e muzikës të ka shtyrë që të mendosh se jeta kreative mori fund me Beatles. A të frikësoi kjo që të rrezikoje?

Lennon: Ajo çfarë bëra në këta pesë vjet ishte që të zbuloja se isha John Lennoni para “The Beatles”, dhe se do të jem John Lennoni pas “The Beatles”. Pra “let it be”.

Momenti kur kujtova se kush isha, krejtësisht, nuk kisha shkëndija. Ndodhesha në dhomë në Hong-Kong, sepse Yoko më dërgoi në një udhëtim rreth botës krejt i vetëm. Vetë nuk kisha bërë asgjë që prej moshës 20-vjeçare. Nuk dija si të kërkoja shërbimet në dhomë, apo si të regjistrohesha në hotel – nëse dikush e lexon këtë intervistë, do të mendojë se këta artistët e mallkuar nuk e kuptojnë dhimbjen e të qenit përbindësh.

Çfarë do të thuash me: “Yoko më dërgoi”?

Lennon: Ajo më tha: “Përse nuk e bën këtë?” Unë i thashë: “Njëmend? Fikall vetëm? Në Hong-Kong? Singapor? Por çfarë nëse...”. Dukej si kënaqësi dhe makth në të njëjtën kohë. Duhej të izolohesha dhe përdorja termin “të qenit i famshëm si arsyetim për të mos i dalë përballë asgjëje”. Shkaku se isha i famshëm nuk mund të shkoja për të parë filma. Nuk shkoja në teatër. Pastaj isha i ngujuar në dhomën e hotelit, bëja dush, siç e vërejta se bënte edhe Yoko, sa herë që bëhesha nervoz. Jam larë nga 40 herë. Po shikoja gjirin e Hong - Kongut dhe një zile po binte diku. Mendoja se çfarë ishte? Pastaj isha shumë i qetë. Ishte si një lloj njohjeje: ky isha unë. Ky personi i qetë jam unë. E mbaja mend para shumë vitesh. E di se kush jam – nuk varet nga ndonjë agjenci, arritje apo këngë hit. Ishte e parëndësishme nëse profesori më kishte qejf, më urrente. Prapëseprapë isha unë. E di si t’i bëj gjërat dhe si të veproj. Menjëherë i telefonova Yokos dhe i thashë: “Jam unë”.

A e shijove vetminë?

Lennon: Më pëlqeu. Ka një dallim midis të jesh i vetëm dhe të jesh i vetmuar. Këtë e mësova në këta pesë vjet. Në Hong-Kong e gjeta ndjenjën që e kisha si i ri, kur ngjitesha maleve të Skocisë. E dini kur jeni duke u ngjitur dhe toka çdoherë është poshtë jush dhe retë mbi kokë. Në këto momente mendoni: kjo është ndjenja për të cilën flasim, ajo që të shtyn të pikturosh dhe të shkruash poezi, sepse këtë ndjenjë nuk mund ta përshkruani në një mënyrë a tjetër. E mora vesh se këtë ndjenjë e kisha me vete gjatë krejt jetës. Atë e kisha para “The Beatles”.

Pra kjo periudhë ishte të rigjeja veten siç jam. E bëra për vete. Për këtë shkak jam i lirë nga “Beatles”. Më mori kohë të liroja veten mendërisht nga ky mendim. Pra tani e di. Ja ku jam? Është e mrekullueshme, si t’i ngjitësh ato male.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Gent Mehmeti

Image

Për pesë vjet, Lennoni u tërhoq nga jeta publike dhe në izolim gjeti një version të ri të vete

Image

“Ka një dallim midis të jesh i vetëm dhe të jesh i vetmuar”, thoshte John Lennoni