Kulturë

Ilustruesja e përditshmërisë, të zakonshmes dhe politikës

Donjeta Sadiku: “E vetmja gjë që më ka bërë të mos kem turp e të shprehem para të tjerëve ka qenë vizatimi, ngaqë e kisha më lehtë t’i tregoja dikujt një vizatim, sesa t’i thosha ndonjë fjalë”

E lindur më 1989, në fshatin Komogllavë të Ferizajt, në kohën kur situata në Kosovë sa vinte e përkeqësohej, fëmijëria e Donjeta Sadikut nuk kishte gjë luksoze. Librat s’i mungonin kurrë e ata i çmonte fort. Si fëmijë mahnitej nga ilustrimet në botime të ndryshme. Edhe sot, 31-vjeçares i ndodh shpesh që të bëjë vizatime për të cilat inspirohet nga romanet, poezitë apo filmat që i sheh. Edhe pse të shumtën e kohës vizatimet e saj kanë karakter biografik, titujt shpeshherë i merr nga letërsia.

Sadiku si fëmijë ishte e turpshme dhe e rezervuar. Fliste shumë pak dhe njerëzit shpeshherë mendonin se ishte memece.

“E vetmja gjë që më ka bërë të mos kem turp e të shprehem para të tjerëve ka qenë vizatimi, ngaqë e kisha më lehtë t’i tregoja dikujt një vizatim, sesa t’i thosha ndonjë fjalë”, thotë ajo. Në një intervistë për KOHËN, nga Franca ku jeton dhe shkollohet, ajo ka folur për lidhjen e saj me vizatimet dhe fillimin e realizimit të një romani grafik.

Animacioni brenda Abetares së parë

Në mesin e librave të parë që ngjalli imagjinatën e saj ishte abetarja. Donjeta ishte e vetmja në klasë që kishte abetaren bardhezi. Ia kishte falur mësuesi i saj pasi që prindërit nuk kishin pasur mundësi t’ia blinin. Sadiku kalonte orë të tëra duke shikuar ilustrimet dhe aq shumë fiksohej sa i dukej sikur hynte dhe jetonte brenda tyre.

“Ilustrimet e Abetares i kam shikuar aq gjatë, saqë i mendoja sikur lëviznin, sikur historia që ata tregonin vazhdonte”, thotë ajo. Kur fëmijët ishin duke lozur me borë, Sadiku e vazhdonte imagjinatën sikur ata ndalonin lojën dhe pastaj shkonin në shtëpitë e tyre. Aty ku ishte dita mendonte sesi ndërronte ngjarja dhe binte terri. Aty ku ishte vera ajo i imagjinonte stinët sikur ndërrohen njëra pas tjetrës.

Image
“Mbi çatitë e Parisit”, inspiruar nga titulli i filmit “Nën çatitë e Parisit” të René Clair, 1930

“Duhej gjithmonë që e palëvizshmja e vizatimit të lëvizte dhe me këtë edhe tregimi (teksti) të bëhej më i gjatë akoma”, thotë ajo. Shumë shpejt pas abetares ajo mundohej që të shkruante vetë dhe t’i ilustronte tregimet e veta. Thotë se ishte me fat pasi që gjithmonë është inkurajuar nga prindërit, motrat, vëllezërit. “Mendoj që është qenësore për fillimet e secilit, çfarëdo qofshin ato”, thotë ajo.

Sot, edhe pse nuk jeton nga ilustrimet, vizaton rregullisht dhe nuk mendon të ndalojë.

“Është profesioni që më bën të ndihem mirë”, thotë ajo. Sadiku, çdoherë kur përfundon një vizatim e ilustrim, mendon për atë që do të pasojë. Vret mendjen sesi ta bëjë më mirë.

“Një që është i përshtatshëm me kohën, por edhe me teknologjinë”, thotë ilustratorja duke shpjeguar se një formulë e tillë duhet zbërthyer për çështje lehtësimi e adaptimi. E bën këtë pasi që kur merr porosi e ka më lehtë të bëjë ndryshime. Lehtëson edhe shtypin. Por, në anën tjetër, ndihet sikur nuk po vizaton me të vërtetë, sikur vizatimi është gjysmë-gjysmë.

“Gjysmën e ka bërë kompjuteri, gjysmën ti, ngaqë ajo ndjenja e ndotjes së duarve nga ngjyra nuk ekziston”, thotë ajo. Për këtë arsye, tregon se çdoherë i kthehet letrës. Thotë se e kap njëlloj frike se do t’i humbasë aftësitë për të vizatuar, ani pse lodhja dhe koha për të dyja teknikat janë njësoj.

Image
Ballina e parë për revistën “Questions Internationales”, 2017

Fuqia e artit

Frymëzimin për ilustrimet e saj e gjen te përditshmëria dhe gjërat e zakonshme.

“Gjërat që më ndodhin në jetë, mendimet që më kaplojnë (kur bëj vizatime personale), një event apo një deklaratë politike (kur bëhet fjalë për karikatura), apo thjesht pikëpamja ime në lidhje me një temë të caktuar”, thotë ajo. Sipas saj, fuqia e ilustrimeve qëndron tek aftësia për të theksuar diçka që është thënë në fjalë me qindra herë. Këtë mundohet që ta bëjë ajo: të thotë gjëra nga më të zakonshmet. “Apo të denoncoj gjëra duke mos qenë as e para dhe as e fundit që e bëj këtë gjë, mirëpo me njëlloj origjinaliteti falë ilustrimit”, shpjegon Sadiku. Thotë se kur tregon me fjalë se mbyllja gjatë pandemisë ka vuajtjen për pasojë, nuk e ka atë fuqinë sikur me vizatim. Aty, sipas saj, është më e qartë.

Sadiku, pas luftës në Kosovë, në vitin 1999 kishte shkuar në Francë. Babai i saj do të kërkonte shërim atje, pasi kishte humbur këmbën në luftë. Nga ajo kohë, Franca i kishte ngelur në mendje, sepse për të ishte vendi i mundësive, një vend falë së cilit e kishte parë babanë e saj përsëri në ecje dhe nga ajo kohë kishte ëndërruar që studimet t’i përfundonte në Paris. Do të përfundonte Gjimnazin gjuhësor në Ferizaj, pastaj studimet për grafikë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, e më 2013 është pranuar në master në Universitetin “Paris 2” dhe falë një burse të Ambasadës së Francës në Kosovë ka mundur t’i financojë studimet e saj në kryeqytetin francez. Diplomoi për shkenca politike. Në vitin 2015 është regjistruar për doktoratë në të njëjtin universitet. Aktualisht është në mbarim të doktoratës mbi temën e “Fotografisë humanitare”. Ka shtetësi franceze, punon përkthyese në gjykatë dhe vazhdimisht merret me vizatime dhe projekte ilustrimesh.

Image
“Këtu gratë flasin... Asnjëherë”. Gravurë nga seria e inspiruar nga përditshmëria në Kosovë, realizuar më 2010

Zanafilla e romanit grafik

Ani pse në Francë ka ndërruar degën e studimeve, ky kapërcim s’e ka larguar nga vizatimet. I ka shërbyer si urë lidhëse për të realizuar vizatime për flayera konferencash të ndryshme apo revistash mujore, apo edhe punë vullnetare për organizata të ndryshme joqeveritare që punojnë me fëmijët emigrantë, të cilëve Sadiku shpesh u jep mësime inicimi në vizatim.

“Mund të gabohem, por e mendoj sinqerisht që po të mos kisha bërë këtë shkollim, nuk besoj që do të mund të bëja këto gjëra/projekte që bëj sot. Sepse për të bërë vizatime mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, vizatime politike, duhet patjetër të kesh një edukim në këtë fushë”, thotë ajo.

Në ditët e para në Paris, kur ecte përgjatë “Quartier Latin”, ishte e magjepsur nga qyteti e njerëzit dhe mundohej që me syrin e saj të kapte çdo detaj. Përshtypje i kishte lënë edhe “Libraria Dalloz” që gjendej në rrugën e universitetit. Sadiku shikonte si fëmijë i ngazëllyer librat e ekspozuar në vitrinë, sa me admirim, po aq me frikë.

Image
Vizatim për poster të konferencës “Televizioni: Liria e shprehjes përmes imazheve”, organizuar në Sorbonne, tetor 2019

“Më dukej që po të hyja brenda s’do të dija si të sillesha”, thotë ajo. Sot, kur ec andej, në qendër të vitrinës është ekspozuar libri “Le Brexit – Une histoire anglaise” i autorit Aurelien Antoine, kopertinën e të cilit e ka bërë vetë. Së fundi, është duke përgatitur edhe kopertinën për numrin e ri të revistës mujore “Questions Internationales”.

Por, me seriozitet i është dhënë realizimit të romanit grafik (autobiografik) që e ka në mendje prej ca vitesh. Një nga romanet që e ka inspiruar për këtë është “Autobiografia” e Lec Pazhecit.

Image
Kopertina e librit “Le Brexit: Une histoire anglaise” nga Aurelien Antoine, Editions Dalloz, shtator 2020

“Humori që përdor autori për të treguar jetën e tij më duket që s’ka të dytë në shqip (apo nuk njoh unë)”, thotë Sadiku. Ajo do të mundohet ta shpalosë jetën e saj me një lloj humori të ngjashëm të një vajze kosovare të lindur në fshat, që tash është në botën e artit në Qytetin e Dritave.

Image
“Të paktën mendimet udhëtojnë larg... Jeta në pandemi...”, vizatim, mars 2020