Kulturë

Mozaiku me portretin e Heroit Kombëtar – si vlerë botërore në FSK

Prej 17 shtatorit, mozaiku me mbi dy milionë kapëse teli është pjesë e arritjeve unike në librin e rekordeve botërore “Guinness”. I bazuar në fotografinë ikonike të luftës ku Agim Ramadani tymos një puro, mozaiku që ka edhe simbolin kombëtar të shqiponjës, të hënën – në ceremoninë e dyvjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kosovës – është vendosur në mjediset e Kazermës së FSK-së në Gjilan

Dy milionë e 275 mijë kapëse teli ishin përdorur për të kapërthyer në një mozaik impozant profilin ikonik të Heroit Kombëtar, Agim Ramadani. Vepra në madhësi prej 26.7 metrash katrorë, që për autor ka artistin Besart Gashi, në shtator të këtij viti ishte zyrtarizuar në librin e rekordeve “Guinness” si mozaiku më i madh në botë i këtij lloji. E nga e hëna ky mozaik ka zënë vend në Kazermën e Forcës së Sigurisë të Kosovës në Gjilan.

Duke përkuar me dyvjetorin e zyrtarizmit të shndërrimit të FSK-së si ushtri, mozaiku me portretin e Heroit Kombëtar është zbuluar në praninë e ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, të zëvendëskomandantit të FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqit, familjarëve të heroit, kryetarëve të komunave të Gjilanit dhe Obiliqit, si dhe veteranëve të ish-brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Me këtë rast, ministri Quni, i cili ishte edhe bashkëluftëtar i heroit, ka thënë se personaliteti madhështor i Agimit, mozaiku tashmë vepër e përmasave botërore, dhe data e sotme janë unike dhe së bashku krijojnë një ndërlidhje të veçantë e me vlera të papërsëritshme.

“Urdhrin e Komandant Katanës se edhe vetëm një ushtar nëse mbetet ka për detyrë që të formojë njësitë luftarake dhe të vazhdojë luftën deri në fund për çlirimin e Kosovës, me simbolikën e fuqishme, e kemi përmbushur edhe sot me rreshtimin e njësisë elite të FSK-së të komanduar dhe të udhëhequr nga ish-luftëtari i njësisë së Agimit, nënkolonel Albert Kuqi, dhe djali i heroit Shkëlzen Haradinaj, nëntoger Luan Haradinaj, dhe shumë e shumë pasardhës të heronjve e martirëve të lirisë”, ka thënë ministri Quni, përcjell kumtesa e lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, teksa ka vlerësuar ideatorët dhe realizuesit e projektit, ka thënë se Agimi zbarkoi aty ku e ka vendin, duke shërbyer gjithmonë si frymëzues dhe motivues për ushtarët e rinj dhe shëmbëlltyrë e flijimit madhështor për liri.

Ndërkaq autori i mozaikut, Besart Gashi, është cituar të ketë thënë se ndihet i privilegjuar që arriti të realizonte projektin tashmë me përmasa ndërkombëtare.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit zbuluan mozaikun i cili tashmë do të qëndrojë në mjediset e Kazermës së FSK-së në Gjilan, përkatësisht të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore.

E mbështetur financiarisht nga Muhamet Hajrullahu, vepra e artistit Gashi ka tejkaluar atë të një artisti tjetër shqiptar që deri më 17 shtator mbante rekordin botëror për një vepër të ngjashme. Ishte Saimir Strati, i cili më 2017 kishte realizuar mozaikun e Nënë Terezës në një sipërfaqe prej 10 metrash katrorë, duke përdorur 1.5 milionë kapëse teli. Kjo vepër gjendet e vendosur në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Vetë artisti Gashi, kur kishte marrë vesh njoftimin nga “Guinnessi”, kishte thënë se është krenar që portreti i Heroit të Kombit theu rekord botëror.

“Kjo histori nuk përsëritet më, sepse askush nuk mund të krahasohet me Agim Ramadanin-Katana”, kishte shkruar asokohe Gashi.

Sipas tij, 3 milionë e 138 mijë e 305 kapëse teli ishin zbrazur gjatë krijimit të veprës, kurse në mozaik janë 2 milionë e 275 mijë kapëse.

“Në mozaik është Agim Ramadani, një ish-poet dhe artist i mirënjohur. Besart Gashi e krijoi mozaikun duke përdorur kapëse teli me dy ngjyra të ndryshme, duke përdorur 4 ‘armë’ pneumatike. Në mozaik janë përdorur rreth 2 milionë e 275 mijë kapëse teli dhe për ta përfunduar i janë dashur afro 400 orë dhe 50 ditë”, ishte thënë në faqen zyrtare të “Guinness World Records”.

Në një prononcim për KOHËN, artisti Gashi gjithë entuziazëm kishte thënë se do të vazhdojë të punojë për vlerat kombëtare.

“Planet e mia janë që gjithmonë të punoj për vlerat kombëtare dhe të mirën e vendit tonë”, kishte thënë ai.

Vepra e realizuar për afro 50 ditë fillimisht ishte vendosur në qendër të qytetit të Gjilanit.

Përveç portretit ikonik të Agim Ramadanit, në këtë vepër qëndron në prapavijë edhe simboli i flamurit kombëtar, shqiponja.

Në të vërtetë, përdorimi i 3 milionë e 138 mijë e 305 kapëseve të metalit kishte pasur edhe një tjetër simbolikë.

“Këta numra jo rastësisht janë të tillë”, kishte thënë bashkëshortja e Agim Ramadanit, Shukrije Ramadani. “138 – brigada ‘Agim Ramadani’ dhe 305 - 3 maj data e lindjes dhe muaji 5 maji që solli Agimin në jetën që jetoi kaq shkurt dhe kaq me intensitet!”.