Kulturë

“Ky kriminel në Beograd urdhëron vrasjen e njerëzve, dëbon qindra e mijëra”

Descriptive Text

Është neveritëse. Këta horra e kriminelë vrasin njerëz kuturu, plaçkitin viktimat e tyre, i dëbojnë ata ose i dhunojnë gratë. Është për t’u dëshpëruar dhe ne s’mund të bëjmë asgjë kundër kësaj. Sulmet ajrore do të tregojnë efekt vetëm pas një kohe të gjatë. Dhe më e papërgjegjshme është që disa, gjithnjë e më shpesh, kërkojnë publikisht një stopim ose një pauzë të sulmeve ajrore

“Maqedonia i kishte mbyllur kufijtë për refugjatët nga Kosova...”

2 prill 1999

Ora 23:20 Joschka Fischer më përcjell përmes telefonit lajme dramatike nga Maqedonia: Maqedonia i kishte mbyllur kufijtë për refugjatët nga Kosova - ushtarët gjermanë, sikundër edhe ushtarët e vendeve të tjera evropiane, duhej t’i lëshonin kazermat e tyre në Maqedoni, në mënyrë që atje të mund të vendosën refugjatët. Ne flasim gjatë. Unë thërras në Ministri të Mbrojtjes dhe pyes për gjendjen e masave tona ndihmëse për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Pastaj, edhe një bisedë me Joschka Fischerin. Ne duhet të dimë shumë shpejt se çfarë oferte të tërësishme për ndihmë mund t’i bëjmë Maqedonisë, në mënyrë që ajo t’i hapë përsëri kufijtë.

Shkurt pas mesnatës: thirrje të sërishme telefonike në Ministrinë e Mbrojtjes. Unë jap urdhra që deri në paraditen e ardhshme duhet të ngrihet në këmbë një ofertë e plotë ndihme. Lidhur me këtë, deri në orën 10 të së shtunës së Pashkëve, mua duhet të më jepeshin informata të sakta mbi kapacitetet e ndihmave humanitare: çadra, artikuj ushqimorë, ndihmë medicinale, pajisje për pastrimin e ujit, furnizimin sanitar dhe të gjitha masat e tjera të mundshme. Ky urdhër bëri që në natën midis të premtes dhe të shtunës së Pashkëve, në Gjermani, me qindra njerëz të zgjohen me zile nga shtretërit. Në depot e Bundesverit, në aeroportet dhe në njësitë transportuese, u mobilizuan me nguti të madhe të gjitha mundësitë e ndihmës së madhe për Maqedoninë. Prandaj, të shtunën e Pashkëve unë munda t’ia bëj një ofertë të plotë kolegut tim maqedonas Nikolla Klusev, tek i cili kisha besim gjatë takimeve të mëhershme, ta bindja që ai, si kryesues i shtabit të krizës së qeverisë maqedonase, ta kthejë prapa vendimin për mbylljen e kufirit. Në kufirin e Maqedonisë me Kosovën, afër Bllacës, kanë mbetur të bllokuar dhjetëra-mijëra refugjatë. Ata banojnë pa ujë, pa ushqime, në një shkretëtirë pisllëku dhe balte. Kjo të bën të vjellësh. Ky kriminel në Beograd urdhëron vrasjen e njerëzve, dëbon qindra e mijëra prej tyre dhe dëshiron me këtë të destabilizojë Ballkanin, ose së paku Maqedoninë dhe Shqipërinë me kufijtë e tyre, ashtu e kështu, delikatë.

Një ankth i tmerrshëm: tashmë janë 750.000 njerëz në ikje, 260.000 prej tyre në brendi të Kosovës. 

Në më pak se dhjetë orë, anëtarët e Bundesverit kishin ngritur në këmbë aksionin më të madh humanitar në historinë e Republikës Federale Gjermane. Tash çdo ditë do të fluturonin deri në dhjetë aeroplanë, nëse është e nevojshme edhe më shumë, për Shkup në Maqedoni dhe Tiranë në Shqipëri. Ne mundëm ta siguronim qeverinë maqedonase se do të ngriheshin në masë të madhe çadra dhe se refugjatët do të furnizoheshin me artikuj ushqimorë e ndihmë medicinale. Ne, po ashtu, mundëm të ofronim që një kontingjent i përshtatshëm refugjatësh eventualisht të pranohet në Gjermani, si dhe e njëjta gjë të nxitet edhe përballë shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Unë telefonoja çdo ditë kolegun tim maqedonas, derisa nuk u ngrit një vend koordinimi për kontributet e ndihmave humanitare nën udhëheqjen e sekretarit shtetëror të parlamentit, Walter Koblow. Ky kontakt i ngushtë si dhe aksioni i madh humanitar krijuan parakushtet që Maqedonia ta hapë sërish kufirin e saj. Shumë refugjatë mbërrijnë në kamp të sëmurë e të molisur, në gjendje për të vdekur urie dhe me mungesë ushqimi.

Image
Prill 1999. Rraskapitur nga lodhja pas ikjes nga shtëpia e tij, një baba me të birin ndodhen në Morinë, jo fort larg prej Prizrenit (Foto e Wolfgang Eilmes nga seria e fotografive me të cilat gazetari i njohur gjerman, Matthias Rüb, ilustronte shkrimin e tij për luftën në Kosovë, botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”)

“Valët e refugjatëve janë si një ankth...”

4 prill1999

Për ta vështirësuar furnizimin e armatës jugosllave në Mal të Zi, kryetarin e të cilit, Milo Gjukanoviqin, ne (për shkak të politikës së tij opozitare përballë Milosheviqit) donim ta mbështesnim, në Kosovë, si dhe për t’i zvogëluar rreziqet në Bosnjë, njësitë e SFOR-it të stacionuara në Bosnjë hodhën në ajër linjën hekurudhore që çonte nga Serbia për në Mal të Zi. Trupat e SFOR-it ishin gjuajtur nga territori serb. Pra, një rrezik i shtuar për ushtarët e stacionuar në Bosnjë nuk ishte për t’u përjashtuar.

Unë jam i pakënaqur me politikën informative të NATO-s. Informacionet në vete janë korrekte, por ato jepen shumë vonë dhe lënë tepër shumë kohë për spekulime e dezinformata. Përse nuk mund të jepen që herët në mëngjes informacionet në Bruksel, për t’u dalë ballë fotografive të televizionit jugosllav? Valët e refugjatëve janë si një ankth. Ajo çka tregojnë njerëzit përplotëson fotografitë e tmerrshme të brutaliteteve dhe mizorive. Është e tmerrshme, para së gjithash, që njeriu nuk mund të bëjë asgjë kundër kësaj në Kosovë. Bundesveri po e ndërton një kamp për refugjatë në Neprostano, në Maqedoni. Me Klusevin arritëm pajtimet e para. Otto Schily ishte në Shqipëri: ne nuk guxojmë ta harrojmë këtë vend gjithashtu tmerrësisht të varfër.

Në mbrëmje, në temat ditore të televizionit ARD, sërish pyetja për trupat tokësore. Unë sqaroj qëndrimin tonë refuzues dhe paralajmëroj se do të intensifikohen sulmet ajrore: trupat në Kosovë do të sulmohen, në mënyrë të shtuar ajo bandë vrasëse që është përgjegjëse për mijëra vdekje e qindra-mijëra dëbime.

Prapa kësaj vërejtjeje qëndronte vendimi i NATO-s për të rritur shkallë-shkallë dhe sistematikisht numrin e aeroplanëve të vënë në veprim, e me këtë edhe përmirësimin e mundësisë për luftimin e caqeve ushtarake në Kosovë. Për shembull, NATO-ja vuri në veprim një aeroplan amerikan, me të cilin u mundësua sqarimi edhe në tokë i tankeve, pozicioneve të artilerisë dhe kolonave ushtarake. Aeroplanë të tillë sqarues posedojnë vetëm forcat e armatosura amerikane, e ata ia mundësuan NATO-s një transmetim të informacioneve në të ashtuquajturën kohë të vërtetë. Pra, tornadot, në bazë të informacioneve të transmetuara, mund të viheshin në veprim menjëherë dhe drejtpërdrejt kundër caqeve të sqaruara.

Gjatë vizitës sime te kryekomandanti i NATO-s, më 29 mars, patëm folur edhe për vënien në veprim të brumbullit pa ekuipazh, të cilin Bundesveri e vinte në veprim për sqarime ajrore në Kosovë, i cili, sidoqoftë, sipas mandatit të parlamentit, nuk guxonte të vihej në përdorim jashtë Kosovës. Me ndihmën e brumbujve, ne morëm një seri fotografish që tregonin katunde të djegura e të shkatërruara dhe që dëshmonin veprimin sistematik të forcave të armatosura jugosllave dhe të policisë speciale në asgjësimin e këtyre katundeve. Ne mund t’i ndjekim informatat, sipas të cilave në pjesë të caktuara të Kosovës me mijëra njerëz ishin ndjekur së bashku ose mbikëqyreshin të harkuar së bashku në male ose në fushë të hapur, që për nga kushtet mund të krahasoheshin me kampe të përqendrimit. Unë, për shkak të kufijve të mandatit, nuk munda t’i përgjigjem dëshirës së kryekomandantit të NATO-s që brumbulli të vihet në përdorim për sqarimin e pozitave ushtarake edhe jashtë Kosovës. Mirëpo, ne i vumë ata në përdorim në rajonin jugor të Kosovës, e edhe mbi territorin jugosllav jashtë Kosovës, për sqarimin e rreziqeve të drejtpërdrejta për trupat gjermane dhe ato të aleatëve të stacionuara në Maqedoni.

Përpjekjet politike për një zgjidhje të konfliktit nën përfshirjen e Rusisë vazhduan më tutje. Kancelari federal telefononte Jelcinin, ministri i Jashtëm ishte në kontakt të ngushtë, të përditshëm e të vazhdueshëm me të gjithë kolegët e tij. Shoshitjet e Joschka Fischerit lidhur me një plan paqësor po konkretizoheshin. Pasdreke telefonova Klusevin: besimi në palën maqedonase po stabilizohej. E thërras Walter Koblwwin gjatë qëndrimit të tij në pushim: ai duhet të shkojë së shpejti për në Maqedoni, në mënyrë që kontakti me qeverinë maqedonase të bëhet më i ngushtë.

Letra e shërbimeve sekrete për operacionin “Patkoi”

5 prill 1999

Bisedë e shkurtër me Joschka Fischerin në Ministrinë e Jashtme - vlerësimi ynë i përbashkët është: përmes Grupit të Kontaktit njeriu nuk do të mund ta lidhë Rusinë për përpjekjet politike për zgjidhjen e krizës së Kosovës. Fischer rimerr propozimin e Jelcinit që Rusia të përfshihet në konsultime në kuadër të Grupit G8. Joschka Fischer është në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e tij. Ndoshta të premten e ardhshme takohen drejtorët politikë të ministrave të Jashtëm të G8-s dhe gjejnë rrugë.

Nga Joschka marr një letër që vinte nga burimet e shërbimit sekret, që dëshmon përgatitjet dhe realizimin e operacionit “Patkoi” të armatës jugosllave. A e kemi tash një dëshmi të plotë për dëbimet e planifikuara gjatë nga serbët në Kosovë? Mundësova menjëherë vlerësimin e tij.

“Është neveritëse. Këta horra e kriminelë vrasin njerëz kuturu, plaçkitin viktimat e tyre, i dëbojnë ata ose i dhunojnë gratë”

7 prill 1999

Një ankth i tmerrshëm: tashmë janë 750.000 njerëz në ikje, 260.000 prej tyre në brendi të Kosovës. Prandaj do të takohen në mbrëmje ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë së BE-së. Walter Kablowi nis punën në Shkup dhe koordinon të gjitha aksionet në vendin e ngjarjes. Për këtë ftohen edhe organizatat humanitare joshtetërore. Më në fund është shuar kampi i refugjatëve në vendin kufitar maqedonas, Bllacë. Refugjatët kanë shpëtuar, në një farë mase, mirë nga kjo vrimë pisllëku dhe le të shpresojmë se do ta marrin veten shpejt. Mbrëmë telefonova edhe një herë Brukselin për shkak të politikës informuese. Më në fund ata i japin të lira fotografitë e fillimit të marsit. Në gjendjen ditore udhëheqëse në Ministrinë e Mbrojtjes mori pjesë edhe kolegu im britanik, George Robertson. Ne na u lajmërua se serbët, siç shihej, kishin filluar t’i kthenin refugjatët nga kufiri shqiptar dhe maqedonas sërish prapa në Kosovë. Shumoheshin të dhëna se njerëzit do të përdoreshin si mburojë kundër bombardimeve.

Është neveritëse. Këta horra e kriminelë vrasin njerëz kuturu, plaçkitin viktimat e tyre, i dëbojnë ata ose i dhunojnë gratë. Është për t’u dëshpëruar dhe ne s’mund të bëjmë asgjë kundër kësaj. Sulmet ajrore do të tregojnë efekt vetëm pas një kohe të gjatë. Dhe më e papërgjegjshme është që disa, gjithnjë e më shpesh, kërkojnë publikisht një stopim ose një pauzë të sulmeve ajrore. Sikur përmes kësaj do të ndalej vrasja! Disa të gjelbër kërkojnë një armëpushim me kusht. Pse nuk kërkojnë ata që të zhduken nga Kosova ushtria jugosllave dhe bandat vrasëse?

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë. Rudolf Scharping, i lindur më 1947, një politikan i njohur socialdemokrat gjerman, që në periudhën e luftës së Kosovës mbante postin e ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendëskryetarit të SPD-së. Në ditarin e tij “Wir dürfen nich wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (“Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”), pasqyron ngjarjet e vjeshtës së vitit 1998 dhe të gjysmës së parë të vitit 1999, e gjithashtu shpjegon sfondin politik dhe diplomatik të misionit luftarak. Përgatiti: Sylë Ukshini