Kulturë

Ilir Bajri me “Introspective” zbërthen universin e tij

Descriptive Text

Të rralla janë koncertet recitale të tij, e edhe më i rrallë është profili i tij si muzikant. Ilir Bajri të mërkurën i është prezantuar publikut me koncert recital, pas atij që kishte gati tetë vjet më parë në Prishtinë. Kësaj radhe në Pejë, në vendlindjen e tij, ku me koncertin që e ka pagëzuar “Introspective” ka sjellë një lloj ditari personal nëpërmjet tingujve muzikorë. Por, jo vetëm kaq. Ai e ka zbërthyer universin e tij, harmoninë e fenomenologjinë e jazzit, të cilën nuk pushon kurrë së kërkuari

Ende pa luajtur notën e parë, pionieri e maestroja i jazzit apriori e ka përshkruar gjendjen emocionale të tij. “Po ndihem shumë mirë sonte”, i ka thënë KOHËS muzikanti Ilir Bajri, para se të ngjitet në skenën e teatrit “Istref Begolli” në Pejë. Nuk ka qëndruar në prapaskenë për asnjë moment para se të nisë lojën. Ka qëndruar para publikut duke e përshëndetur. Sapo është ulur pranë pianos, para se t’i shtrijë tingujt mbi taste, e ka uruar teatrin për instrumentin. Në lojë e ka përcjellë rehatinë e të interpretuarit në vendlindje e entuziazmin për këtë e ka bërë secilën herë e më të dukshme.

Për instrumentistin multidimensional, koncerti i tij i titulluar “Introspective” erdhi jo vetëm si performancë, por edhe si përjetim përtej notave muzikore. Me këtë energji të artistit unik jo vetëm në Kosovë, ka vazhduar mbrëmja e tretë “Peja Jazz”, seria e koncerteve që ka nisur nga e hëna në qytetin perëndimor, me misionin që nëpërmjet muzikës “të thyejë barrierat e distancës mes njerëzve në një kohë kur e ardhmja duket e turbullt”.

Ngjarja më e re në skenën e jazzit – themelues i së cilës skenë, një prej më meritorëve është pikërisht Bajri, me “Prishtina Jazz Festival” i cili u mbajt për një dekadë në Prishtinë, për të pushuar më 2014 – e ka nisur këtë edicion duke i sjellë publikut të kufizuar në numër emra të dalluar të jazzit në vend, me misionin që ta vazhdojë organizimin e mbrëmjeve të tilla dhe ngjarjeve përcjellëse që në fokus kryesor e kanë promovimin e muzikës jazz dhe ideve të reja progresive. E Bajri e ka plotësuar më së miri qëllimin e “Peja Jazz”.

Distanca mes muzikantit e publikut është shkrirë plotësisht për shkak të komunikimit të vazhdueshëm e afërsisë që ka përcjellë ai. Ndryshe nga mbrëmjet e tjera, e parafundit ka qenë tërësisht e përqendruar në tingujt e pianos. Te Bajri, interpretimi para publikut pejan ngjalli emocione më të thella për shkak se gjenealogjia e dashurisë për muzikën lidhet pikërisht me Pejën.

“Edhe emocionet janë ma të fisnikërume, është kënaqësi për mua me ardhë dhe me ba muzikë në Pejë, këtu ku unë jam rritur. Këtu kam pasur një fëmijëri të lumtur dhe ka qenë e rëndësishme sepse ka qenë e mbushur me aktivitete rekreative, sidomos me muzikë, që ka qenë gjithmonë dashnia jeme. Me ardhë në teatër dhe me pa që e kanë blerë pianon dhe ka publik, është gëzim për mua”, është shprehur Bajri fill pas koncertit.

Me lojën mjeshtërore në piano ka përshkruar rrëfime të së kaluarës.

“1994” është titulluar vepra e kompozuar po atë vit, me të cilën Bajri ka vendosur ta hapë programin e tij. Derisa është kthyer nga publiku pas çdo interpretimi për ta falënderuar, Bajri shpesh ka qenë symbyllur në lojë e duart e tij me tastet e pianos kanë ndërvepruar krejt natyrshëm. Pjesët muzikore që i ka radhitur njërën pas tjetrës janë pjesë të cilat Bajri është duke i zhvilluar tash e sa kohë, e së shpejti do t’i përmbledhë në një album muzikor, i cili shpreh botën e tij muzikore. Apo edhe më gjerë: universin e tij.

“Në të njëjtën kohë jam duke e përgatitur albumin tim të parë, të cilin jam duke e incizuar. Ky pak a shumë në vija të trasha është materiali të cilin do ta përpunoj në atë album. Në njëfarë mënyre është një pasqyrë e shijes time e synimeve, stileve dhe shprehjeve që mua më interesojnë dhe kam dëshirë t’i shpreh”, ka treguar Bajri.

Udhëtimi në kohë për publikun e Bajrin ka ndodhur edhe me këngën “Përtej”, e kompozuar më 1997. Kjo pjesë muzikore ka qenë në mesin e veprave artistike që u shpalosën në kryeqytetin serb gjatë kohës së shtypjes nga regjimi serb në Kosovë, në ekspozitën e 5 qershorit të vitit 1997. E veprën “Simply Beautiful” e ka risjellë në Pejë duke kujtuar që e ka interpretuar rreth 20 vjet më parë në New York, në përvjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Ndalesat në çdo këngë të interpretuar, sipas Bajrit, përmbledhin një pasqyrë të të gjitha ndikimeve të tij.

“Po më duket që është një përmbledhje e të gjitha ndikimeve që i kam pasur në jetë, duke filluar nga muzika autoktone, që edhe si fëmijë dhe i ri e kam dëgjuar edhe në shtëpinë time, e deri te pop, rock e deri në atë periudhën më të madhe të jetës që e kam kaluar duke u munduar ta kuptoj fenomenologjinë e jazz-muzikës të cilën akoma po mundohem ta kuptoj. Të gjitha këto mendoj që më kanë formësuar”, ka thënë ai.

Bajri është kryesisht i njohur për kompozimet e tij jazz, derisa ka eksperimentuar në zhanre të ndryshme si pop, muzikë klasike dhe bashkëkohore, si dhe gjithashtu ka krijuar muzikë për shfaqje teatrale, filma artistikë dhe dokumentarë. Përveç punës së tij si kompozitor, ai është i njohur edhe për punën e tij vizuale dhe shfaqjet e tij që prezantojnë veprat e tij të reja në fushat multimediatike. Bajri thotë se nëpërmjet projektit të tij të fundit tenton ta pasqyrojë botën e tij të brendshme. E për këtë thotë se i duhet të bashkojë shumë elemente për ta bartur harmoninë në tinguj.

“Ajo që më ka tërhequr gjithë jetën kah muzika është se duhen shumë elemente me qenë në rregull dhe ajo me tingëllu mirë dhe më qenë në harmoni. Mendoj që muzika është pasqyrë e individit dhe shoqërisë dhe mendoj që na duhet t’i kuptojmë të gjitha elementet që të arrijmë një harmoni”, ka thënë ai.

Nga mesi i koncertit, përqendrimi i tij është fokusuar te dy persona në sallë. U është drejtuar nënës dhe mësueses së tij. Programi i tij muzikor që kapërcen nëpër rrëfime personale u ndal edhe në një dedikim për nënën e mësuesen.

“Kjo pjesë muzikore është dedikim për nënën biologjike, e nënën edukative”, ka shpjeguar Bajri.

Të dyja e ndoqën me shumë emocione nga ulëset e teatrit “Istref Begolli”. Sipas mësueses së tij, Myvedete Daci, kompozitori Bajri gjithnjë ka shtruar pyetje dhe ka dhënë përgjigje më të thella, e kjo, sipas saj, e ka ndikuar edhe në botën e tij muzikore.

“Pas një pauze rreth dyzetvjeçare kur ka qenë ai nxënës tek unë, është kënaqësi të vij dhe ta dëgjoj një koncert jazz nga ai. Ka qenë një fëmijë talent, i rrallë dhe i veçantë. Ka folur pak, por në mënyrën e tij. Arti don me pasë diçka të veçantë dhe këtij ia ka krijuar natyra diçka që e ka zbuluar vetë dhe me punën e tij të palodhshme ka arritur deri këtu”, ka thënë Daci.

“Ilir Bajri u kthye në shtëpi”, kanë shkruar organizatorët e “Anibarit” në Facebook, duke e cilësuar këtë koncert si dërgim nëpër vende të ndryshme nëpërmjet historive të ndara dhe rijetim të jetës së një muzikanti të rrallë.

“Peja Jazz” është përmbyllur të enjten mbrëma me koncertin e udhëhequr nga Enes Bajramliqi. Këto koncerte më vonë do të transmetohen në ekranin e “Kohavisionit” dhe virtualisht në mediat sociale të kinemasë “Jusuf Gërvalla” dhe “Peja Jazz”.

Edicioni i parë i “Peja Jazz” organizohet në kuadër të projektit të “Anibarit”, “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës” mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut.