Kulturë

Zbardhet “zhdukja” misterioze e monolitit në Utah

Utah, 3 dhjetor (Reuters) – Kolona misterioze prej metali e vendosur pashpjegueshëm në një vend të largët të shkretëtirës së Utahut është rrëzuar dhe hequr nga një grup burrash që e kanë konsideruar atë si “bërllok”, ka bërë të ditur fotografi që e ka komentuar rrëzimin e objektit. Ditë më parë misterioze qe cilësuar zhdukja e tij.

Kur fotografitë e objektit që vezullonte mes shkëmbinjve shkretinorë të kuq u shpërndanë online, shumë njerëz vunë re një ngjashmëri të largët me të ashtuquajturit “monolitë” në filmin e vitit 1968 të Stanley Kubrickut “2001: A Space Odyssey”, duke ngacmuar edhe shaka për gjoja një origjinë jashtëtokësore.

Por fotografi Ross Bernards ka publikuar imazhe në Instagram për atë që ai ka thënë se ishin çastet e fundit të objektit që tregojnë se nuk ka asgjë aliene mbi teknologjinë prej së cilës është bërë skulptura: ajo dukej të ishte një kolonë e metaltë e lidhur për një strukturë të drunjtë.

Në një varg fotografish të bëra rreth objektit, Bernards ka përshkruar udhëtimin e tij gjashtorësh me tre shokë të tij për të shkrepur fotografi nën dritën e hënës.

Pasi mori ca pamje, ai ka thënë se ka dëgjuar ca zëra që vinin nga kanioni, dhe katër burra sakaq u shfaqën. Bernards ka shkruar se ai ishte larguar paksa që edhe grupi të shijonte në vetmi objektin, por ata kishin nisur ta shtynin.

“Ata i dhanë ca të shtyra monolitit dhe një prej tyre tha: ‘Më mirë që i more fotografitë’”, ka shkruar Bernards. “Pastaj ai ia dha një të shtyrë të fortë dhe objekti u anua nga njëra anë. Ai iu tha shokëve se nuk ishte nevoja për pajisje. Burri tjetër që ishte me të pastaj tha se ‘kjo është arsyeja pse nuk duhet të lini mbeturina në shkretëtirë’”.

Objekti pastaj u rrëzua duke bërë një zhurmë të thekshme e pastaj ata nisën ta copëtonin, ka shkruar Bernards. “Mos i lë asnjë gjurmë”, i kishte thënë njëri prej burrave.

Byroja e Menaxhimit të Tokës në ShBA, e cila mbikëqyr shkretëtirën ku është gjetur objekti, ka thënë se nuk e ka hetuar për shkak se objektin e kanë konsideruar pronë private.

Zyra e Sherifit në San Juan County nuk u është përgjigjur pyetjeve të “Reuters”, por në një deklaratë të bërë në fillim të javës ka thënë se “nuk i ka resurset e duhura për t’i kushtuar shumë kohë” shfaqjes apo zhdukjes së objektit.