Kulturë

Një vepër arti për dy fëmijët martirë që i thërret ndërgjegjes kolektive

Fshati Shtedim i Podujevës e ka dhënë një shembull të mirë sesi duhet përcjellë në gjeneratat e reja rrëfimi për luftën e fundit në Kosovë, duke e vendosur në oborr të shkollës një vepër arti që dokumenton rrëfimin e vëllait e motrës Hajdari, të vrarë në vitin 1999. Gjatë luftës janë vrarë 1034 fëmijë dhe 109 janë në mesin e të pagjeturve. Jo pak iniciativa të ngjashme nuk janë konkretizuar, për shkak të neglizhencës dhe vullnetit të zbehtë institucional

Në ditën e gjashtë të prillit të vitit 1999, njëzet familje do të strehoheshin në fshatin Shamalluk, buzë kufirit me Serbinë. Rreth orës 11:00 të asaj dite forcat serbe nisën të hedhin granata. Miftar Hajdari, 11-vjeçar, u vra. Pas një minute u vra edhe motra e tij Ganimetja, 15-vjeçare.

Pas më shumë se dy dekadash, kapitulli u rihap. Kujtimi për dy fëmijët martirë u shkri në një vepër arti. E punuar në teknikën basrelief, pllaka përkujtimore tash ka zënë vend në oborrin e shkollës ku ndoqën mësimet derisa u vranë në luftën e fundit në Kosovë. Rrëfimi i Mifar e Ganimete Hajdarit është veç një prej mbi një mijë historive për vrasjen e fëmijëve. Mbi një mijë fëmijë janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, derisa 109 janë ende të pagjetur. Por kujtimi dhe nderimi i tyre asnjëherë nuk kanë qenë në fokus institucional.

“Dhe Miftarin e kanë goditur të parin, Ganimeten pas një minute...”

Fshati Shtedim i Podujevës është ndër të parët që i ka bërë vend një vepre të tillë arti. Pllaka përkujtimore si dedikim për fëmijët e vrarë gjatë luftës së viteve 98-99, e cila prej gjysmës së muajit të kaluar ka zënë vend në oborrin e shkollës “Sheqë Mirofci” – është një hap i parë drejt përcjelljes së këtij rrëfimi tek gjeneratat e reja. E kujtimi për dy fëmijët martirë, edhe më shumë se 21 vjet pas përfundimit të luftës, rihap plagët e familjarëve, që e kujtojnë si sot e asaj dite ngjarjen tragjike.

“Ka ndodhur më 6 prill 1999, rreth orës 11:00. Kemi qenë 20 familje në fshatin Shamalluk dhe ushtria e rregullt serbosllave ka nisur të granatojë. Dhe Miftarin e kanë goditur të parin, Ganimeten pas një minute dhe na kanë rrethuar. Miftari ka qenë në klasën e katërt, Ganimetja në të tetën. Ishin nxënës të kësaj shkolle”, kujton Fadil Hajdari, xhaxhai i dy fëmijëve të vrarë, teksa ua hedh një vështrim të trishtë shkollës e pllakës përkujtimore. Trishtimi dhe krenaria bashkëjetojnë në familjen Hajdari prej kohësh.

“Jemi shumë krenarë, shumë të kënaqur. Po më duket sikur të ngjallen, edhe që s’janë, është një ndjenjë shumë e mirë. Tash edhe nxënësit vijnë këtu e pyesin, se këto gjëra harrohen e kjo punë më nuk harrohet, shkaku i këtyre përmendoreve”, shton ai.

Skulptori Bedri Kadriu është autor i veprës që shpërfaq dy fëmijët me buzëqeshje në fytyrë, me çantën mbi supe – Ganimeten edhe me fletore në dorë.

“Si iniciativë është marrë prej Hajredin Hysenit, një atdhetar, ish i burgosur politik. Ai e ka nisur si iniciativë për këtë familje dhe dy fëmijët e vegjël dhe pastaj Behram Behluli si bashkëfshatar e kanë bërë si iniciativë të përbashkët dhe e kanë sjellë te unë. E kam përkrahur si artist, si skulptor dhe e kam marr me një seriozitet jashtëzakonisht të madh për shkak se ngjarja dhe ndjeshmëria është shumë e madhe”, shpjegon ai. Pastaj nisi të vizatonte skicat, me qëllimin që vepra të dalë më e veçantë. Ka punuar intensivisht gati katër muaj.

“Jam munduar ta jap maksimumin t’ua kthejë edhe buzëqeshjen se fëmija gjithmonë ka buzëqeshje që është vështirë të arrihet. Jam munduar ta përfaroj edhe karakterin e fëmijëve, edhe lëvizjet. Pak a shumë të ketë ngjashmëri me ta, edhe pse është e pamundshme të shkoj në atë mënyrë”, thotë Kadriu.

Kjo vepër është financuar nga Agjencia e Komplekseve Memoriale dhe artisti e ka realizuar në një teknikë më ndryshe.

“Është hera e parë që realizohet një basrelief i këtij lloji, përmasat e fëmijëve janë natyrale siç ata kanë qenë. Kam shkuar në mënyrë reale që ta paraqes një realitet siç ka qenë dhe t’ua ofroj fëmijëve të shkollës, ta mbajnë një imazh gjeneratë pas gjenerate, të mos e harrojmë ngjarjen se çfarë ka ndodhur në luftën e fundit”, thotë ai.

Procesi i punës ishte specifik dhe i ndjeshëm për skulptorin dhe ai kishte bartur përgjegjësinë që të mos largohej nga karakteri i fëmijëve.

“Sepse është hera e parë që bëhet diçka për fëmijët e vrarë dhe diku mbi një mijë janë të vrarë në luftë”, shton ai.

Projekti i papërkrahur për memorial

Kujtesa dhe nderimi për viktimat e luftërave dhe konflikteve të armatosura shihen si përbërës të rëndësishëm të drejtësisë transicionale. Të kuptuarit e së vërtetës mbi të kaluarën është jo vetëm nevojë e shoqërisë, por edhe e drejtë që u rezervohet viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të luftës . Një formë e ruajtjes së kujtesës është përmes memorialëve e objekteve të tjera përkujtuese, përmes të cilave synohet “shërimi” i plagëve dhe shpalosja e së vërtetës për brezat e ardhshëm. Por një gjë e tillë – sidomos nderimi i fëmijëve martirë – është shpërfillur vazhdimisht nga institucionet kosovare.

Shembull është rasti i koncept-idesë për kompleksin memorial “Fëmijët martirë të Kosovës”. Mungesa e përkrahjes nga institucionet bëri që në vend të kompleksit të vendoset vetëm një bilbord, në nderim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-1999. Ideja e kompleksit memorial nuk është konkretizuar ende. Dhe para një viti, në vend të kompleksit, në kujtim të fëmijëve martirë u vendos bilbord.

Artisti Rrezeart Galica, disenjator i obeliskut dhe memorialit, shpalos përvojën e tij lidhur me iniciativën e Nusret Pllanës.

“Përvoja me institucionet tona për ngritjen e memorialit dhe obeliskut për fëmijët e vrarë gjatë viteve 1980-1999 nga viti 2017 e deri sot ka qenë shumë e vrazhdë, saktësisht kërkesa jonë është nëpërkëmbur e zvarritur pafundësisht. Ne si iniciatorë dhe familjet e fëmijëve prapë nuk jemi dorëzuar, datën e 20 nëntorit, Ditës së Fëmijëve sipas OKB-së, e kemi shënuar edhe simbolikisht për të përkujtuar 1432 fëmijët e vrarë gjatë okupimit dhe luftës përmes një bilboardi në vitin 2019”, thotë Galica. E në 20 nëntorin e këtij viti, kjo datë u shënua me një konferencë për media, në të cilën u bë thirrje për finalizimin e kësaj ideje.

“Tash e dy vjet për shkak të neglizhimit, harresës së këtyre institucioneve të Kosovës, kryeministra që në takime e biseda premtonin mbështetje që në esencë ishin të rreme dhe disa faktorëve dashakeqës e profiterë si kinse arkitektë e ish-bashkëpunëtorë të zyrave qeveritare kanë dhënë kontribut të pashembullt për frenimin e kësaj iniciative fisnike, të cilën e nisëm para 3 vjetësh bashkë me Nusret Pllanën dhe familjet e fëmijëve të vrarë”, ka thënë Galica.

Ideja e këtij projekti është që obelisku të reflektojë mbi aktin më të dhimbshëm e barbar që shteti serb ushtroi mbi foshnjat e sapolindura shqiptare të Kosovës, që pasohet me pjesën tjetër të minimuzeut në formë libri të hapur, i cili ngërthen më vete fotografi, fletore, libra, lapsa e relikte nga lufta e fundit, që reflekton moshat shkollare të fëmijëve të vrarë. Është paraparë edhe muri përkujtues ku familjarët gjejnë emrat e skalitur në gur të fëmijëve të tyre për t’i përkujtuar përmes qirinjve. Hapësira e gjelbër parashihet të mbulohet me 1432 trupa drunjsh dekorativë të tipit japonez Bonsai në bazën e secilit do të jenë emrat e mbiemrat dhe vitet e lindjes e të vrasjes së fëmijëve të vrarë në periudhën 1980-1999. Kjo iniciativë është përkrahur nga organizatat joqeveritare “Yjet që nuk vdesin” dhe Youth Forum “Perspektiva”.

“Bllokimi i saj ka ndodhur kur hapësira afër aeroportit ka dalë të jetë pronë e AKP-së dhe kërkesa nga AKP ka mbetur në sirtarin e kryeministrave të Kosovës nga Haradinaj te Hoti. Sot 13 ditë pas 20 nëntorit nëpërkëmbja e kujtimit të këtyre fëmijëve vazhdon nga politika kosovare”, ka thënë Galica.

Një vepër arti e ka fuqinë ta përjetësojë një rrëfim dhe historia e Ganimetes e Miftarit nuk mbeti e padëgjuar. Të tilla histori në Kosovë janë të shumta. Por vullneti institucional për t’i treguar e dokumentuar këto rrëfime, tash e 21 vjet ka qenë krejtësisht i zbehtë.

Si kontrast me këtë, është një rast: ekspozita e fuqishme “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë, me kuratore Blerta Hoçia, e hapur në maj të 2019-s në Qendrën e Dokumentimit – Kosovë, në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Ekspozita duket si një pavijon ideal i një muzeu të luftës, që vizitorët i fut nëpër kohët e tragjedisë së para dy dekadave. E këtë e bën me gjësendet që lidhen me fatin e fëmijëve të vrarë e të zhdukur në luftë.