Kulturë

Hasan Hasani – shkrimtari që lartësoi dhe la gjurmë në traditë

Descriptive Text

Për miqtë e kolegët, vdekja e tij do ta varfërojë Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, pjesë e të cilit ishte kaherë. Me dhjetëra tituj në poezi, prozë, kritikë letrare e monografi të ndryshme, Hasan Hasani – që vdiq të martën në moshën 73-vjeçare – është vlerësuar si një nga emrat që la “gjurmë të pashlyeshme” në letrat shqipe

Prishtinë, 1 dhjetor – Të parët e tij ishin nga Mirdita, por krijimet e pasura letrare do të nyjëtonin viset në të dyja anët e Drinit. Me një opus letrar prej 74 veprash, Hasan Hasani vlerësohet si një prej emrave më prolifikë në letërsinë shqipe. Me gati po aq vite jetë sa edhe vepra, në moshën 73-vjeçare, të martën, ai është ndarë nga jeta.

Kumtin e ka përcjellë miku i tij dhe botuesi i revistës letrare “Jeta e re”, Demë Topalli, përmes një kumtese për media. I vlerësuar si një nga shkrimtarët më produktivë në letrat shqipe, veprimtaria krijuese e Hasan Hasanit përfshinte “një numër zhanresh dhe formash letrare”.

“Shquhet edhe për kontributin e tij në fushën e kulturës. Ishte gazetar, redaktor, poet, romancier, studiues, leksikograf”, thuhet në njoftim.

Viti 1965 shënoi debutimin e tij në botën e letërsisë, kur në faqet e revistës “Jeta e re” botoi poezinë e tij të parë “Dashuria”.

Në pesë dekadat e ardhshme, krijimet e tij letrare e publicistike do të botoheshin në gazeta e revista letrare shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Qysh në vitet studentore, Hasan Hasani do të fillonte bashkëpunimin e rregullt me gazetën e asokohshme “Bota e re”, pas së cilës do të vazhdonte si gazetar i rregullt në gazetën “Shkëndija”.

Në vitet në vazhdim, ai do të punonte në revistën për art, kulturë e letërsi “Fjala”, edhe në funksionin e redaktorit, përderisa më vonë u emërua kryeredaktor në revistën e mirënjohur letrare për fëmijë “Pioneri”, kurse në revistën tjetër letrare “Jeta e re” ishte po ashtu redaktor.

Nëpërmjet një telegrami ngushëllues për familjen Hasani, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vlerësuar krijimtarinë letrare e kontributin e tij në poezi dhe prozë.

“Hasani ka lënë prapa një krijimtari të bujshme letrare për fëmijë e të rritur, si dhe ka kontribuar në përgatitjen e shumë teksteve dhe veprave letrare. Vlen të spikatet kontributi i tij i çmuar në revistën ‘Jeta e Re’, ‘Fjala’, ‘Shkëndija’ dhe në Revistën ‘Pionieri’, ku shërbeu si kryeredaktor”, ka shkruar ministrja Dumoshi.

Ndërsa ka përmendur Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, në të cilin i ndjeri bënte pjesë, ministrja e Kulturës ka shtuar se Hasani i laureuar me shumë çmime në Kosovë e Shqipëri, “me veprën e tij do të njihet si përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi”.

Për mikun e tij Xhevat Syla, shkrimtari i shuar ishte para së gjithash poet, sado që shkroi edhe në prozë. Në një bisedë për KOHËN, ai e ka cilësuar Hasanin si shkrimtar që ia kushtoi gjithë jetën letërsisë.

“Këtë vit, sikur ta ndiente se po i vinte fundi, shkroi tri vepra si një lloj testamenti, me të cilat edhe e pasuroi dhe e përmbylli veprën e tij letrare. Edhe e shkroi, edhe e deshi letërsinë”, ka thënë Syla.

Ndërsa ka përmendur vlerësimet e monografitë e shumta që shkroi për autorë e vepra letrare, ai ka veçuar edhe librin “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001”, të botuar më 2003 nga shtëpia botuese “Faik Konica”.

“Meqë kishte edhe disa libra me poezi për fëmijë, na nderonte me pjesëmarrjen në aktivitetet e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë ‘Agim Deva’, ndaj shkuarja e tij në amshim sot paraqet edhe një varfërim të Karvanit tonë dhe të letërsisë sonë në përgjithësi”, ka thënë Syla, i cili është koordinator i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”.

Shkrimtari Nazmi Rrahmani e ka vlerësuar Hasanin si një bibliofil që merrej me shkrime e shënime për autorë të ndryshëm shqiptarë, duke pasur një njohje të mirë të letërsisë shqipe.

“Ai ishte ndër krijuesit që ka bërë emër tash e shumë vjet në letërsinë shqipe”, ka thënë Rrahmani për KOHËN. Krijimtaria e gjerë letrare, sipas tij, jep veç një nga karakteristikat e portretit të Hasanit si shkrimtar.

“Është autor i një numri të madh titujsh, të cilët do të mbesin me siguri si gjurmë e një autori të gjithanshëm të letërsisë sonë”, ka vlerësuar Rrahmani.

Librashitësi nga Prishtina, Florim Beqiri ,të martën kishte veçuar nga raftet e kioskës së tij librin e Hasanit “Leksikoni i Nobelistëve të letërsisë” për të përkujtuar mikun e librave.

“Me qetësinë e thellë ndaleshe te librat dhe kurrë nuk mund të ngopeshe me libra e as unë me praninë tënde te shtëpiza e librave”, ka thënë Beqiri.

Kurse gazetari dhe shkrimtari nga Malisheva, Habib Zogaj, e ka cilësuar të ndjerin si modest dhe krijues veprash letrare të cilat nuk e lënë të harrohet.

“Pas vetes la shembullin e njeriut punëtor, modest dhe aq shumë vepra letrare. Vdekjet në rrethana pandemie e bëjnë edhe më të dhimbshme ndarjen”, ka shkruar Zogaj në llogarinë e tij në “Facebook”.

Karvanit të ngushëllimeve i janë bashkëngjitur edhe letrarë e shkrimtarë nga Qarku i Lezhës e nga Mirdita, e cila mbeti në zemër të tij. Më 30 qershor të këtij viti, Këshilli i Qarkut të Lezhës i kishte akorduar Hasanit titullin “Nderi i Qarkut Lezhë”.

“Si shkrimtar i shquar me origjinë mirditore që u ka shkruar traditave shqiptare, me theks të veçantë atyre veriore e mirditore, në vazhdën e At Gjergj Fishtës dhe shkrimtarëve të tjerë të shquar në hapësirën mbarëshqiptare. Vepra e tij poetike ‘Mirditë e mirditorë’ është një perlë e shndritshme në gjerdanin e pasur të krijimtarisë për Mirditën”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryetari i Këshillit të Qarkut të Lezhës, Eduard Ndreca.

E çmimi në fjalë i ishte dorëzuar personalisht autorit më 3 tetor gjatë një ceremonie solemne në mjediset e Bibliotekës “Gjergj Fishta” në Lezhë.

Hasan Malë Hasani lindi më 16 janar të vitit 1947 në fshatin Shqiponjë të Dushkajës në Gjakovë. Familja e tij ishte me origjinë nga Domgjoni i Mirditës, që ishte shpërngulur në lagjen e Përkolajve në Gjakovë në fillim të shekullit të 18-të.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Normalen në Gjakovë. Kreu studimet në Universitetin e Prishtinës, dega gjuhë e letërsi shqipe (1973).

Përveç me shkrime publicistike, ai është marrë me krijimtari letrare për fëmijë dhe për të rritur.

Nga viti 1967, kur ka botuar librin e parë me vjersha për të rritur “Krojet e bardha” e deri më 2020 botoi gjithsej 74 vepra zhanresh të ndryshme, ku ndër më kryesoret përmenden: “Gurëkala” (1981), “Muza shqiptare” (1997), “Idhuj adhurimi” (1998), “Tek Uji i Zi” (2009), “Mirditë e mirditorë” (2020) poezi për të rritur; romanet: “Ulërima” (1989), “Kodi i gjakut” (2014), “E mashtruara” (2014); kritika: “Autorë dhe vepra nga letërsia për fëmijë” (2019), monografinë “Përkolajt” (2018) dhe “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001” (2003).

Ka përgatitur për shtyp veprën e plotë letrare të Ernest Koliqit në gjashtë vëllime (2003), Et’hem Haxhiademit në dy vëllime (2000), Nermin Vlorës në dy vëllime (1998), Mehdi Frashërit (2000), Musine Kokalarit (2004), Rrahman Dedajt në katër vëllime (2008), Adem Gajtanit në tri vëllime (2015), të Kristo Floqit në tri vëllime (2015), të Nexhat Peshkëpisë (2016), të Nexhat Hakiut (2017), të Alketa Dervishajt në dy vëllime (2017) dhe të Vinçens Prenushit (2000). Ka përgatitur numra tematikë të revistës letrare “Jeta e re” për Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Nermin Vlorën, Musine Kokalarin, Mehdi e Mit’hat Frashërin, Vinçenc Prenushin, Azem Shkrelin dhe Beqir Musliun.