Kulturë

Artistja i shndërron mbeturinat në vepra arti për ambient të pastër

Descriptive Text

Kur bjeshkatarja Kim Kang-eun në rrëpirat e Malit Jiri, më i madhi park kombëtar në Korenë e Jugut, vuri re se ishin të mbushura me hedhurina, gjatë udhëtimit të saj dyditor më 2018, ajo mendoi se ishte koha për të përçuar thirrjen për të pasur më shumë kujdes për natyrën.

Ajo themeloi “Clean Hikers”, një grup që do të mblidhte hedhurina nga aty dhe parqet e tjera malore të vendit për t’i kthyer ato në art.

“Arti i mbeturinave është më tepër tërheqës dhe i pranuar mirë nga njerëzit, më shumë sesa të thuash të mos hedhim mbeturina. Ne mund të bëjmë një imazh interesant që tërheq vëmendjen e njerëzve”, ka thënë 30-vjeçarja Kim.

Ajo ka folur para një kolazhi të një maceje që ka sloganin “Shpëto Botën”, që e ka krijuar bashkë me anëtarët e tjerë të grupit në kreshtën e malit Mani në ishullin Ganghwa.

Kolazhe të tjera që paraqesin peshq, zogj, flutura e qenie njerëzore të cilat grupi i ka shfaqur në maje malesh janë të bëra tërësisht prej mbeturinave, përfshirë edhe një maskë fytyre.

Me kufizimet e bëra për tubimet e mëdha dhe aktivitetet e mbyllura, një numër gjithnjë e më i madh i jug-koreanëve po kalojnë kohën e tyre në ajër të pastër.

Numri i vizitorëve në tri parqet kryesore kombëtare është rritur për më shumë se 20 për qind në tetor krahasuar me të njëjtin muaj vitin e kaluar, bën të ditur Shërbimi i Parqeve Kombëtare në Kore.

Këto vizita në 22 parqet nacionale kanë prodhuar më shumë se 800 tonë mbeturina përgjatë nëntë muajve të kaluar, është thënë nga ky Shërbim.

Por, derisa pjesa më e madhe e këtyre hedhurinave shkon nëpër kosha, disa prej tyre mbetën, dhe Kim është e kënaqur që ka një rritje të interesimit për “Clean Hikers”.

“Por ne nuk mund t’i pastrojmë të gjitha malet. Më e rëndësishmja është të vazhdojmë këtë aktivitet, t’u tregojmë njerëzve për të, e të bëjmë që më shumë të na bashkëngjiten. Kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë Kim. \ Reuters