Kulturë

Ismet Peja – zëri i trashëgimisë muzikore shqipe

“Do të këndoj sa të jem gjallë”, kishte thënë shpesh derisa fliste për jetën e tij. Me këtë tregonte vullnetin për këngën e vjetër qytetare. E ai vullnet e ka mbajtur aktiv deri vonë. I vlerësuar si ikona e muzikës popullore e një prej margaritarëve të këngës shqipe, Ismet Peja vdiq në mëngjesin e hershëm të së hënës. Ai ishte 83 vjeç. Lajmi për vdekjen e Pejës është cilësuar humbje për trashëgiminë muzikore të shqiptarëve. Është një prej emrave me të cilin portretizohet kënga e mirëfilltë shqipe bashkë me kulturën popullore. Deri në fund të jetës ka numëruar gati shtatë dekada në skenë. Shpesh kishte thënë se jetonte me këngën e për këngën. E këtë e rrugëtim e kishte nisur si i ri.

I lindur më 27 prill 1937 në Gjakovë, këngëtari do të rritej në një familje ku kultura muzikore ishte e pranishme edhe te brezat paraprakë. Këngët e vjetra qytetare këndoheshin nga gjyshi e babai i tij. Pas përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm në qytetin e lindjes, më 1958 Peja do t’ia mësynte Sarajevës me qëllim që të studionte për drejtësi. Por, siç kishte rrëfyer ai, shpejt e kishte marrë vesh që duhej ta ndërronte drejtimin. Për këtë i kishte hyrë në punë edhe një ftesë e kompozitorit Akil Koci që ai të studionte në Akademinë e Muzikës në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës. Por, paraprakisht ishte punësuar në Radio Prishtinën e atëhershme si solist. Ishte zgjedhur nga kompozitorët Rexho Mulliqi e Lorenc Antoni. Dyshja kishin shkuar në Gjakovë për të zbuluar talente të reja të këngës. Ishte viti 1954 dhe Peja gjendej në orën mësimore të gjuhës shqipe. Ishte mirëmbajtësi i shkollës ai që do t’i thoshte se po e kërkojnë në zyrën e Drejtorit.

Një jetë për muzikën

“Kur më thirrën, derisa kam shkuar në zyrë të drejtorit Beqir Kastrati, jam frikësuar shumë. Kur më tregoi se përse janë ata burra aty, u qetësova”, kishte rrëfyer ai për Kohavisionin para tre vjetësh. Pas studimeve për një kohë do të jetonte në Prishtinë. Por me kërkesën e prindërve, ishte kthyer në Gjakovë. Do të bëhej pjesë e shoqërisë kulturore e artistike “Hajdar Dushi”. Me këtë shoqëri ishte prezantuar në shtete të ndryshme. Bashkë me Nexhmije Pagarushën do të shndërroheshin në portretet kryesore të këngës së mirëfilltë shqipe në turnetë e ansamblit “Shota”.

“Dashunija si rrufe”, “Robi plaket kur don vetë”, “Errësinë e pyllit”, “Dal e dal po vjen behari”, “Fustani me pika”, “Moj Selvije”, “Dy dele - 300 pare”, “M’kanë thanë shoqet mramë”, “Po të lutem shoku im”, “Seç po punojshin tre vllazën”, “Mori Shkodër - Shkodra jonë” e “Kush kërcen napolonin”, janë disa prej këngëve të kënduara nga Peja për 68 vjet interpretim.

Në vitin 1993 do të përballej me probleme shëndetësore kur i ishte paralizuar dora e majtë. Por, Peja nuk ishte ndalur. Me shaka tregonte se u kishte thënë mjekëve që nëse nuk mund të këndojë më, më mirë ishte të vdiste.

“Dëshira për jetë dhe muzikë më ka mbajtur sot e kësaj dite. Besoj që do të këndoj derisa sa të jem gjallë”, kishte rrëfyer ai për Kohavisionin më 2013. Ishte nostalgjik për vitet e rinisë. Tregonte se si punonin shumë për të kultivuar me taban këngën e mirëfilltë qytetare. Për këtë edhe vlerësohet më së shumti nga bashkëpunëtorët.

Margaritari i këngës

Kompozitori Fahri Beqiri ka thënë se mosha ia ka mundësuar që Pejën ta njohë qysh kur ishte shumë i ri. Ka thënë se i ka rënë që të bashkëpunojë shumë me Pejën.

“Kemi pasur edhe turne në Kosovë dhe botë. Mbaj mend një turne gati një mujor në Turqi. Ismeti dhe Nexhmije Pagarusha ishin bartësit kryesorë të ansamblit ‘Shota’”, ka thënë ai. Ka treguar se është krenar që një program i përgatitur për vitin e ri 1983, ku bënte pjesë edhe Peja është dhënë shumë herë nga Televizioni i Prishtinës e po ashtu nga Radioja.

“Më vjen mirë që kam mundur të jap një kontribut dhe të bashkëpunoj me të ndjerin. Populli i di meritat e tij. Nana ime e ka dashur shumë muzikën dhe nuk ka pasur vajzë. Ajo thoshte se nëse vdes meqenëse nuk kam vajza le të vijë Ismeti, pasi kishte këngë që i bënte njerëzit me lot”, ka thënë Beqiri. Ai ka kujtuar se Peja falë talentit të tij gjatë verave ka qenë shumë i pranishëm në Ulqin duke bërë që të dëgjohej kënga shqipe. Beqiri për herë të fundit e kishte parë Pejën para tri javësh.

“Lum ne që e patëm dhe i lumi ai që na pati ne. Faktikisht na ikën dy emrat kryesorë të këngës shqipe Nexhmija dhe Ismeti”, ka thënë ai. Beqiri ka thënë se koha kur Peja ka kënduar ishte shumë ndryshe nga ajo e sotmja. Në ato vite në Radio këndohej gjallë.

“Ismeti e ka mbajtur Radion e asaj kohe në ditët e para me talentin e tij. Ismeti nisi nga baba i tij që thonë se ka qenë shumë me zë të mirë, kultivoi atë vijë e mandej për fat ia la edhe brezit tjetër, djalit të tij. Me këtë rast, e ngushëlloj familjen dhe opinionin mbarëshqiptar”, ka thënë Beqiri.

Muzikanti Ylber Asllanaj, i cili është udhëheqës artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, ka thënë se Peja ishte prej interpretuesve legjendar të muzikës popullore qytetare shqipe. Sipas tij, bëhet fjalë për një zë brilant i cili s’ka dyshim se i ka dhënë vulën e vet të interpretimit këngës shqipe duke i ndihmuar shumë avancimit dhe ruajtjes së kulturës dhe traditës shqiptare. E ka përshkruar Pejën si njeri tepër energjik me vullnet të çeliktë, adhurues të artit dhe kulturës kombëtare si dhe njohës të jashtëzakonshëm të thesarit të këngës popullore. Portretit të Pejës, sipas Asllanajt, i shtohej edhe sensi i hollë për humor.

“Një prej këngëtarëve me eminent të muzikës popullore shqipe. Padyshim një prej margaritarëve më të çmuar të trashëgimisë sonë muzikore”, ka thënë ai.

Artisti i rrënjëve

{gallery}

Mesditën e së hënës para Ministrisë së Kulturës është vendosur një portret i Ismet Pejës e krahas tij edhe libri i zisë. Me këngët e Pejës në sfond, kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë bërë homazhe në kujtim të këngëtarit

Vdekja e Pejës ka bërë që ai të vlerësohet edhe nga institucionet qendrore të Kosovës. Mesditën e së hënës para Ministrisë së Kulturës është vendosur një fotografi e tij e krahas saj edhe libri i zisë. Me këngët e Pejës në sfond, kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi kanë bërë homazhe në kujtim të këngëtarit.

“Këngëtari Ismet Peja ka hyrë në historinë artistike të Kosovës. Ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij, sot vërtet është ditë e dhimbshme për familjen e komunitetin artistik. Por, ne do ta kujtojmë gjithmonë me këngët e tij”, ka thënë kryeministri Hoti.

E ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se lajmi i mëngjesit për vdekjen e Pejës ishte i trishtë. Ajo ka treguar se menjëherë ka kontaktuar me familjen për t’u shprehur ngushëllime, e njëkohësisht për t’u thënë se si MKRS do të kujdeset për ceremoninë e varrimit të Pejës.

“Ndonëse kohë pandemie, ne po tregojmë respektin institucional për artistin e madh, i cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore”, ka thënë Dumoshi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një teksti në Facebook e ka kujtuar Pejën si mjeshtër të këngës shqipe.

“’Robi s’plaket kur vje mosha, robi plaket kur do vetë’. Ky varg i këngës së njohur përmbledhë më së miri ecurinë jetësore të doajenit Ismet Peja, i cili sot mbylli sytë përgjithmonë. Ai qëndroi për 63 vjet të tëra në skenën muzikore, duke e kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila mbeti pa zërin e saj unik”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, këngët e Pejës do të mbeten një opus i çmuar për brezat, kurse vargu i kënduar nga ai “Për me le e për më vdekë, zoti ditën ta ka shkru”, do të jetë i përbotshëm.

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ashtu në Facebook ka shkruar se si bir i një këngëtari, Ismet Peja e ngriti në nivel të lartë, me talentin e tij, traditën qytetare të këngës në Gjakovë, duke kontribuuar edhe vetë, me këngë të reja në traditën e vjetër.

“Interpretimet e tij muzikore ishin të rëndësishme, ruanin pjesë të rrënjëve tona, na kujtonin lidhjet e ngushta të Gjakovës, jo vetëm me Prizrenin e Pejën, por edhe me Beratin, Elbasanin e Shkodrën, kontribuonin në ndërtimin e vazhdueshëm të bashkësisë sonë kombëtare, ndërtim i cili kurrë nuk ndalet”, ka shkruar Kurti, derisa Pejën e ka përshkruar si fisnik të madh të këngës shqipe.

Lamtumira me “Të desha me hakikat”

Pasdite në Gjakovë para varrimit është mbajtur një ceremoni komemorative. Kryetari i kësaj Komune, Ardian Gjini, ka thënë se Ismet Peja e ka krijuar një tablo të jashtëzakonshme të asaj se kush janë shqiptarët.

“Përmes muzikës që ka përshkuar jetën tonë ai ka treguar kush jemi ne. Një tablo se kush janë shqiptarët, pasi nuk ka cep të truallit ku jetojnë shqiptarët që nuk është dëgjuar Ismet Peja”, ka thënë ai.

Këngëtari Shkëlzen Jetishi ka thënë se kënga e Ismet Pejës iu dha shpirt gëzimeve e ishte hir i jetës.

“Me besimin më të madh, mund të them se këngët e tij janë udhërrëfimi më i mirë për brezat që sot vijnë. Ndihem i lumtur dhe krenar për bashkëpunimet e kohët e mira që nuk mund t’i shlyej asnjëherë nga zemra ime”, ka thënë Jetishi.

Peja u kishte qëndruar besnik këngëve të vjetra qytetare. Rrëfente me delikatesë se kohët kanë ndryshuar. Trendet e reja e pengonin goxha.

Me këngë i është dhënë lamtumira e fundit, Ismet Pejës. Në sfond është dëgjuar kënga e tij, “Të desha me hakikat”.

“Këngën duhet dëgjuar me vesh e jo me shiku me sy. Kënga ka marrë një kahe me të cilën unë nuk pajtohem. Çdo gjë përpara ka qenë më në nivel sesa sot”, thoshte Peja në vitin 2013. Një vit më herët, bashkë me Jetishin kanë kënduar këngën “Ajt tja thojm një kange të bukur - Këngë të shpirtit”. Midis të tjerash, në një prej vargjeve Peja këndon: “Le ta dijë e gjithë Kosova, linda e do të vdes ashik”. Edhe në ditën e lamtumirës është përshkruar i tillë si dashuruar pas këngës shqipe.

Image

Ceremoni përkujtimore në nderim të Ismet Pejës, është mbajtur edhe në vendlindje, në Gjakovë, e lamtumira e fundit i është dhënë me këngën e tij “Të desha me hakikat”