Kulturë

“HOTel” e artistit nga Kosova zbërthen në Kroaci mbetjet e industrisë

Edicioni i sivjetmë i Bienales, që u mbajt me temën “Udhëtoni drejt në diell”, u shtri në 16 ekspozita me veprat e 70 artistëve. Ndër to edhe vepra e Mujës, “HOTel”, me të cilën, ndër të tjera, zbërthen faktin se në ditët e sotme vetëm rrënojat kanë mbetur nga industria, e njerëzit vuajnë nga probleme shëndetësore

Bienalja e Artit Industrial në Kroaci është një manifestim i praktikave bashkëkohore të artit. Edicioni i sivjetmë, “Ride Into the Sun” (Udhëtoni drejt në diell), u shtri nëpër disa qytete – Labin, Rashë, Pulë, Opati, Rjekë dhe Vodnjan – duke sjellë ekspozita të ndara por që tematikisht lidheshin me njëra-tjetrën. Së bashku, shpërfaqen një yjësi komplekse që shqyrton marrëdhëniet midis artit dhe shoqërisë, me theks në specifikën historike, kulturore, shoqërore dhe politike.

Një figurë e dukshme në këtë yjësi që u hap më 10 tetor e u mbyll të shtunën ishte edhe vepra e artistit shqiptar Alban Muja. U paraqit me veprën “HOTel”, që thekson se nga industria kanë mbetur vetëm rrënojat dhe problemet shëndetësore të njerëzve.

“Udhëtoni drejt në diell” u shtri në 16 ekspozita me veprat e 70 artistëve. Është kuruakur nga drejtoresha e re e Muzeut të Artit Modern dhe Bashkëkohor në Rjekë, Branka Bençiq, kuratorja austriake dhe menaxheri kulturor Gerald Matt (ish-drejtor i Kunsthalle në Vjenë) dhe kuratori i pavarur grek Christian Oxenius, një nga kuratorët e Bienales së Athinës më 2013.

Sipas kuratores Branka Bençiq, Bienalja “zhvillohet si një plejadë komplekse, duke shqyrtuar marrëdhëniet midis artit dhe shoqërisë, me interesa qendrore të ankoruara në specifikat e vendndodhjeve dhe konteksteve të qyteteve që zhvillohen. Pamje transnacionale dhe perspektiva translokale janë ngulitur në mënyrë të barabartë në vizionet për perceptimin e praktikave reflektuese, kritike të artistit”.

Në pavijonin e artit “Juraj Šporer” në Opati, sipas tekstit të gazetës kroate “Nacional”, është shkruar se artistët e huaj (Marko Luliq, Damir Oçko dhe Alban Muja) merren jo vetëm me problemin dhe me pavazhdimësinë e rëndësisë së klasës punëtore në shoqërinë e sotme, por edhe me temën e traditës turistike, ku një numër i madh i njerëzve janë ende të punësuar në turizëm, me një theks të veçantë në faktin se pushimet si një argëtim i domosdoshëm dikur ishin privilegj i klasës punëtore. Disa mund të jenë të shqetësuar nga ngarkesa e pabarabartë e temave dhe koncepteve të veprave të veçanta, sidomos veprat video, por ata nuk i referohen pjesës së kuruar nga përfaqësuesja Branka Bençiq, por nga përzgjedhja e dy kuratorëve të huaj.

Ndërtesa ku është shfaqur arti i artistit nga Kosova, sot njihet si një hapësirë për mbajtjen e ekspozitave, koncerteve dhe performancave teatrale, mirëpo fillimisht ishe një dyqan pastiçerie. Ishte ndërtuar në vitin 1900 për kompaninë vjeneze “Quarnero”, dhe ishte zgjeruar në vitin 1908, duke ndjekur planin e arkitektit Sandor Neuhausler, që ia shtoi një tarracë të madhe me pamje nga deti.

Bienalja e Artit Industrial është themeluar nga kolektivi i artit “Labin Art Express XXI” i udhëhequr nga Dean Zahtil, si një platformë eksperimentale për realizimin e projektit të tij themelor, ndërtimin e një qyteti futuristik nëntokësor të kulturës dhe artit 150 metra nën tokë, për të ringjallur ish-minierën.

Artisti kosovar ishte prezantuar me instalacionin “HOTel”. Sipas tekstit të Bienales, për veprën e Mujës shkruan se “HOTel” tregon kureshtje për gjendjet kalimtare të shoqërisë që manifestohen në shenjat dhe simbolet e sistemeve të kaluara dhe në ndryshimet e kuptimeve të tyre në kontekstin bashkëkohor.

“’HOTel’ gjithashtu i referohet situatës së re me një lojë fjalësh: dikur qyteti metalurgjik me hekurishte ishte motori ekonomik i ish-Shqipërisë komuniste, ‘zona e nxehtë’ e tij. Tri shkronjat e para shkëlqejnë me shkëlqimin e llambave elektrike, në të cilat artisti sheh një ‘mbetje’ të asaj që ka mbijetuar nga sistemi i mëparshëm”, është shkruar aty.

Sipas artistit të njohur kosovar, sot vetëm rrënojat kanë mbetur nga industria e njerëzit vuajnë nga problemet shëndetësore.

Vitin e kaluar artisti Alban Muja me veprën “Albumi familjar” e përfaqësoi Kosovën në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Muja përthekojnë veprën “Family Album”. Në formën e videoinstalacioneve Muja zbërthen prapaskenat e tri imazheve më të fuqishme që u bënë sinonim i dhimbjes së refugjatëve në luftën e viteve 1998-1999. Pikënisje e artistit është një fotografi e tij si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar. Ato bashkohen edhe me imazhet e realizuara para dy dekadash të nënës Sherife Luta me vajzën e saj në krah, Besën, atëherë foshnje, e babait të përlotur Xajë Mustafa, që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, Besimit dhe Jehonës, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe fotografia e djaloshit mes telave gjemborë, Agim Shala, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën. Personazhet e këtyre fotografive sot janë të gjithë të rritur dhe Muja i riktheu edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik nëpërmjet videove.

{gallery}