Kulturë

“Audienca e Vaclav Havelit” përballë shtetit e shoqërisë tragjikomike

Descriptive Text

Është një hapësirë prej nja 10 metrash katrorë. Një tavolinë me pajisje për grim pranë së cilës është një karrige dhe një kostum aktoreje janë pjesë e “dhomës”. Për ata që i kanë të njohura hapësirat teatrore është një vend ku vishen kostumet e bëhet grimi para shfaqjeve. Por një shtet që gjithçka e shikon “për fije të perit” fut hundët edhe aty. Thjesht, ia mësyn të hetojë parregullsitë. Udhëheqësi i teatrit nuk i ka mendtë në kokë se është një javë para premierës që po e bën gati vetë. E rruga i humb krejt kur një hetues vjen ta marrë në pyetje. Hetuesi (Shpëtim Selmani) është prej atyre pushtetarëve me çantë, që në raste të tilla lahet, krihet, rruhet e bëhet gati për alamet misioni. Barku është pjesë e karakterit të tij. Tamam si i atyre pushtetarëve që nuk kanë problem ta shkruajnë një letër, por madje edhe një rresht të vetëm. E regjisori (Dukagjin Podrimaj) nuk e ka idenë përse gjendet para një hetuesi.

Për afro një orë publiku i pranishëm në teatrin “Oda”, në Prishtinë, të mërkurën është futur në nënshtresat e një shteti absurd nëpërmjet shfaqjes “Audienca nga Vaclav Haveli” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Agon Myftarit. Qysh në titull merret vesh se bëhet fjalë edhe për dramën e intelektualit disident e shkrimtarit çek, Vaclav Havel, i cili më 1978 kishte shkruar dramën “Audienca”, ku zënë vend situata tragjikomike të pushtetit të atëhershëm komunist në atë që ishte Çekosllovakia. Por drama e Havelit që më pas u bë ndër zërat kryesorë të lirisë në Çeki e president i vendit, ngjan shumë me realitetin e viteve të fundit në Kosovë. Andaj edhe dramaturgu Neizraj ka përdorur titullin e dramës dhe emrin e shkrimtarit çek.

Hetuesi është asi zhvatësi tipik. Në secilën pyetje ka për qëllim që të çojë ujë në ndonjë mulli të vetin. Gjatë lojës në skenë, në prapavijë dëgjohen zëra. Udhëheqësi i teatrit tregon se janë duke inskenuar “Audiencën” e Havelit. E hetuesit i shkon mendja se aty mund të luajë edhe Rozi. Krijohet përshtypja sikur ajo mund të jetë ndonjë aktore serialesh që ka parë e pëlqyer, pasi në teatër s’ka qenë ndonjëherë. Bëhet fort kurioz nëse udhëheqësi i teatrit ka pasur marrëdhënie intime me të. Bile nganjëherë braktis kompjuterin e copëtuar – nga mosdija e tij – për ta parë Rozin në prova.

Për një moment shfaqja duket sikur zhvendoset në zyrat e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Hetuesi thotë se aktori me inicialet N.V. e ka akuzuar menaxhmentin se nuk janë duke e angazhuar në shfaqje. Një ngjarje deri diku brenda këtij formati kishte ndodhur edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Por hetuesi në rastin e shfaqjes jo vetëm që s’ka shkelur kurrë në teatër e s’merr vesh se kush e si i ndan rolet, por e ka problem edhe të shprehet. Në rastin më të mirë një fjali e çon deri në gjysmë. Kur gjen substanca narkotike në teatër, denoncimi i aktorit nuk i duket gjë. Ama, në momentin që e merr vesh se janë pronë e Rozit, zbutet. Ka konsideratë të lartë ndaj saj, sidomos ndaj gjokseve. E portretizon zyrtarin që herë shikon gjërat me thjerrëz e herë mbyll sytë. Autori bashkë me ekipin në këtë produksion thumbojnë shtetin e shoqërinë në tërësi.

Që të dy, dramaturgu Jeton Neziraj edhe regjisori Agon Myftari, kanë qenë udhëheqës artistikë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Agoni dhe unë kemi pasur përvoja personale që janë pak a shumë të ngjashme me ato të regjisorit që është personazh i shfaqjes. Vjet duke i ndarë përvojat filluam të mendojmë se janë materie për një shfaqje teatri. Fillova të mendoj në atë drejtim. Ndërkohë e lexova ‘Audiencën’ e Vaclav Havelit. Fillova të shihja se ka një ngjashmëri të asaj që ai trajton në dramën e tij me këto idetë që ne kishim nisur t’i qitnim në letër”, ka thënë Neziraj. Janë bazuar edhe në dokumente të lëndëve të Teatrit. Përtej ironisë tejet thumbuese për ato që kanë ngjarë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, drama shkon nderi në demaskimin e një shteti që ka ligje me bollëk e vetëm ligji nuk respektohet. Dyshja në skenë shkon deri në marrëdhënie intime. Kurse kërkesa përfundimtare e hetuesit është t’i angazhohet vajza në balet.

“Kjo është një metaforë që e shpjegon në mënyrë më të përgjithshme një problem më të madh shoqëror. Është problemi i shoqërive autoritare që kanë krijuar kësi lloj mekanizmash të çuditshëm ligjorë. Ata që kanë bërë ligjet kanë krijuar mekanizma që janë si lloj grackash që i përdorin për t’i shantazhuar e intimiduar njerëzit e zakonshëm dhe ata që mendojnë ndryshe”, ka thënë Neziraj. Edhe në teatrin e shfaqjes një kërkesë duhet të kalojë nëpër dhjetë procedura e të marrë aq aprovime.

“Grackat janë ligjet, nenet, amendamentet e ndryshme. Janë rregulloret të cilat ti si individ, profesionist i fushës e ke lehtë të humbësh në to dhe pushteti të kap kollaj. Ti thirresh në një ligj tjetër, por gjithmonë ekziston një nen tjetër për atë punë. Është një Kullë e Babilonit me letra dhe je i pafuqishëm të mbijetosh, pos nëse nënshtrohesh”, ka thënë Neziraj. Sado që lidhet me realitetin vendor, drama ka konotacion universal. Bile, njëkohësisht ka pasur të inskenohet edhe në Turqi, por është shtyrë për disa javë. E edhe në një tjetër vend kanë nisur provat.

“Pastaj është lajmëruar për ta inskenuar edhe një kompani teatrore nga Irani, e cila ka nisur provat. Kjo tregon se problemet që trajton drama, problemet e shantazhet që u bëhen krijuesve, janë të gjithëkohshme”, ka thënë Neziraj.

Regjisori Agon Myftari ka nisur provat qysh në gusht. Me gjithë ndërprerjet kanë punuar mbi një muaj. Ai ka thënë se megjithëse zënë vend disa ngjarje teatrore, drama nuk flet vetëm për teatër. Ka thënë se këtë dramë mund ta shohë një avokat, një mjek apo një person i cilitdo profesion pasi realiteti ndahet midis të gjithëve.

“Po flasim për mënyrën që si funksionon shteti me gjithë komplikimet në legjislacion. Një hetues vjen për një pretekst të vogël te një udhëheqës artistik e pastaj dalin shumë gjëra. Dalin shumë shtresa të kuptimësisë e shumë ngjarjeve të një dramë njëaktëshe”, ka thënë ai për shfaqjen kamertale që ka pasur rreth 50 spektatorë.

Aktori Adrian Morina aktualisht është ushtrues detyre i udhëheqësit artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ka thënë se pak njerëz mund ta besojnë se në këtë institucion është sikur në shfaqjen e qendrës “Multimedia”.

“Them se ky shtet definitivisht po funksionon. Kur shteti merret se si ndahen rolet në Teatër Kombëtar dhe se si kategorizohen aktorët, po flas për realitet, jo për shfaqje, atëherë unë jam shumë i lumtur që po jetojmë në Kosovë, sepse ky është shtet i së drejtës”, ka ironizuar ai. Sipas tij, njerëzve u dukej shumë normale ajo që ndodhte në shfaqje. “Më duket sikur jemi duke u mësuar me këtë realitet. Qeshim me veten tonë kur e shohim në skenë, kurse realiteti është tragjik”, ka thënë ai.

Muhabeti që bëhet midis hetuesit e udhëheqësit të teatrit në shfaqje mund të haset në shumë zyra institucionale. Shumë dosje enden poshtë e lart, e dobia e tyre mund të jetë ndonjë shantazh krejt primitiv.

“Do të ishte mirë që institucionet ta shohin këtë shfaqje dhe të marrin mësim nëse është e nevojshme”, ka thënë aktori Shpëtim Selmani.