Kulturë

“Për një libër më shumë” që Fushë-Kosova të ketë bibliotekë për të gjithë

Descriptive Text

Një grup gjimnazistësh nga Komuna e Fushë- Kosovës po synojnë që qytetit të tyre t'ia ofrojnë një bibliotekë të re. Pasi që shumica e bibliotekave kërkojnë që nxënësit të paguajnë një shumë simbolike për të huazuar libra, ata mendojnë se librat duhet të jenë të qasshëm për të gjithë. “Për një libër më shumë”, ia kanë dhënë emrin projektit të tyre. Ani pse të rinj, Gentiana Aliu, Fitore Morina, Shpejtim Avdullahu e Gentiana Gashi janë bërë tok për të gjetur mënyra kreative për të mbledhur një fond të konsiderueshëm të librave që më pas mund të huazohen. Për KOHËN kanë treguar se ideja për krijimin e një biblioteke u kishte nisur pas një hulumtimi që kishin bërë. Kishin mësuar se familjet që kanë kushte të vështira ekonomike nuk e kanë fare ose e kanë në fund të listës blerjen e lektyrave shkollore, ose të librave për fëmijët e tyre.

Gentiana Aliu, udhëheqëse e projektit, nxënëse e klasës XI, në shkollën “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë në Drejtimin Banka dhe Sigurime, ka thënë se është e lumtur që përmes një projekti të tillë i është dhënë mundësia që ta ndihmojë komunitetin e saj.

“Duke e pasur parasysh që ne kemi qenë vetë nxënës të shkollave publike dhe kemi përjetuar rastet kur na kanë munguar lektyrat shkollore për shkak të kushteve në të cilat kemi qenë, ku mundësitë kanë qenë shumë të vogla për të blerë lektyra për lexim dhe mungesa e tyre ka ndikuar shumë në zhvillimin tonë në përgjithësi, na ka lindur edhe ideja për realizimin e këtij projekti”, ka thënë ajo. Ka treguar se fillimisht kishin bërë një hulumtim ku kishin përfshirë fëmijë dhe prindër nga familjet në nevojë në Fushë-Kosovë. Ka treguar se kryefamiljarët u kishin treguar se për shkak të kushteve të vështira ekonomike nuk u kishin blerë fëmijëve libra ose s’i kanë anëtarësuar në biblioteka. Duke iu referuar edhe përvojave të pjesëtarëve të projektit, Aliu ka thënë se kanë vendosur që të krijojnë një mundësi për fëmijët, e të cilën as ata nuk e kishin pasur.

Ani pse të rinj në moshë, objektivat i kanë të qarta. Dëshirojnë që të ofrojnë një hapësirë ku fëmijët dhe prindërit mund të huazojnë lektyra shkollore e libra pa pagesë, të ndihmojnë në krijimin e një kulture të leximit dhe të mundësojnë socializimin e fëmijëve nëpërmjet krijimit të klubit të leximit.

Projekti është realizuar si pjesë e programit “UPSHIFT” që organizohet nga “UNICEF Innovation Lab Kosovo” e që u jep mundësi të rinjve që të bashkohen duke thënë ide kreative për zgjidhjen e problemeve sociale. Bashkëpunëtorë të implementimit të këtij projekti janë po ashtu edhe “Ipko Foundation”, “Austrian Development Agency”, si dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve, ku katërshja janë pjesë edhe e programit për “Fuqizimin e Familjes në Fushë-Kosovë”.

Implementimi i projektit tashmë ka nisur. Që nga 20 tetori, këta gjimnazistë në bashkëpunim me organizatën “SOS Fshatrat” kanë identifikuar gra të cilat janë pjesë e kësaj organizate e që do të qepin maska dhe çanta në mënyrë që të hollat të përdoren për të siguruar një fond për blerjen e librave. Biblioteka do të zërë vend në hapësirat e “SOS Fshatrave” në Fushë-Kosovë dhe do të jetë e qasshme për të gjithë.

Gentiana Aliu ka thënë se deri më 10 dhjetor, kur edhe pritet që projekti të finalizohet, kanë goxha punë. Do t’u duhet që të promovojnë shitjen e produkteve në mënyrë që të mbledhin më shumë të holla dhe në anën tjetër të kontaktojnë individë dhe organizata e institucione të ndryshme që mund t’u dalin në ndihmë për këtë iniciativë të tyre. Çdo ndihmë, sipas saj, do të kontribuojë në krijimin e një biblioteke sa më të pasur. Ka shtuar se gjithashtu në kuadër të projektit do të përfshihen edhe ligjërata vetëdijesuese për prindër dhe fëmijë rreth rëndësisë së leximit.

Fitore Morina, e cila po ashtu është pjesë e këtij projekti, ka thënë se i ka pëlqyer shumë fakti që është duke u ofruar fëmijëve të tjerë atë që i ka munguar asaj në fëmijëri.

“Pra libri, pasuria më e madhe”, ka shtuat ajo.

Sipas saj, nga ky projekt do të përfitojnë fëmijët e familjeve në kushte të rënda ekonomike në qytetin e Fushë-Kosovës, ku në këtë grup bëjnë pjesë edhe familjet e komuniteteve. Ka shtuar se pas krijimit të bibliotekës, fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi që të marrin libra të ndryshëm për lexim, t’i shkëmbejnë ata me fëmijët e tjerë, të krijojnë shoqëri të re dhe të jenë pjesë e aktiviteteve edukative që do të zhvillohen në vazhdim me qëllim të krijimit të shprehive të leximit.