Kulturë

Manifest i një brezi “Pa heronj, pa bujë”

Descriptive Text

“Jeta është një nevojtore ku, ndonjëherë, futen edhe do flutura të bukura. E bash këto të marrin në qafë”, shkruan Ndriçim Ademaj në faqen e parë të romanit të parë.

Sa për ta vënë në kurth lexuesin që e ka të pashmangshme të mos e memorizojë këtë fjali. Edhe për ta vënë në përballjen e parë me natyrën e protagonistit - narrator i historisë që përshkon dy kohë.

Të dyjave u paraprin “Koha zero” që del të jetë koha reale në të cilën rrëfen narratori.

“Pa heronj, pa bujë”, ka marrë rrugë për të bërë bujë. Është nxjerrë në treg nga botimet “Pegi” e ka udhëtuar prej Tiranës për të zënë vend në shtandet e panairit të librit në Prishtinë.

Të enjten mbrëma, në kafe-librarinë “Dit’ e Nat’” në kryeqytet, nuk u kursyen fjalët e mira për Ademajn, i cili, siç u tha, i ka ofruar letërsisë shqipe “një vepër që rrëfen lirshëm, pa dorëza e pa ndonjë kompleks kulturor të autorit”.

Ademaj i lindur më 1991 në Prizren është autor i tri vëllimeve me poezi: “Kërkoj diellin” (2008), “Dera” (2012) dhe “Këngë nga Rruga e Farkëtarëve” (2015). Me romanin “Pa heronj, pa bujë” ai kapërcen nga poezia e tij e thjeshtë, që bart më vete melankolinë e një dozë rebelizmi, në diçka krejtësisht tjetër. Kapërcimet u përmendën shpesh në promovimin e librit të tij. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)