Kulturë

“Recetë kuzhine” si realitet dualist brenda katër mureve

Për ta pasqyruar jetën e grave shqiptare, artisti Arianit Beqiri nuk e ka kaluar pragun e shtëpisë. Tri prej veprave të ekspozitës së tij janë realizuar brenda shtëpisë. Një fotografi e nënës së tij rri në pjesën qendrore të ekspozitës. Është pikërisht para kuzhinës. Të qenit amvise, sipas Beqirit, i përngjan rutinës së të burgosurit e një temë si kjo ai e zbërthen në ekspozitën “Recetë kuzhine” e hapur të hënën në galerinë “Qahili” në periferi të kryeqytetit. Në videon që ndodhet në pjesën tjetër të murit vizualizohet përditshmëria e nënës së tij. Derisa po e qep një pancir, i cili ka gjatësinë e përparëses me të cilën gatuan, shpesh kthehet në kuzhinë dhe kryen punët e shtëpisë.

“Të qenit amvise sot duket se është sinonimi i një të burgosure në kohëra postmoderne. Ç’do të thotë të jesh amvise? Asgjë më shumë sesa një rutinë e ngjashme me dikë që është në burg”, është sqarimi që i bëhet konceptit të “Recetës...” e që mund të lexohen që në hyrje të hapësirës ekspozuese. Këtë “burg” Beqiri e ka paraqitur edhe nëpërmjet pikturës ku shihet një burrë përtej grilave. Është gruaja ajo që mbetet në shtëpi, rutinën e së cilës piktori e përshkuan të ngjashme më atë të burgosurit. Arsyeja përse fotografia është e realizuar në kuzhinën e shtëpisë është se aty përveçse gatuhen recetat pikërisht ai është vendi ku fshihet dhuna.

“Nëse themi se gatimin e ushqimit në përgjithësi, mbase jo në tërësi e dinë vetëm gratë, recetën e dhunës ndaj grave aq sa kemi arritur ta shohim e dinë vetëm burrat. Në kuzhinë gatuhen të dyja”, ka thënë artisti Beqiri, i cili ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti, i njohur si figurë edhe nga protestat e Vetëvendosjes.

Një përparëse Beqiri e ka krijuar edhe nga enë të ndryshme, të cilat janë ngjyrosur me të bardhë. Kurse në mes është paraqitur filxhani i kafesë me ngjyrë të kuqe. Ky filxhan simbolizon një moment arratisjeje për gratë. Rrëfana e tij është e këputur, pasi që ato pengohen që ta shprehin mendimin e tyre deri në fund. Arsyeja përse artisti ka vendosur që panciri të jetë në fokus të ekspozitës është për ta paraqitur si mburojë të dhunës ndaj grave. Në videon e paraqitur nëna e Arianitit kur përfundon qepjen e pancirit i kthehet përsëri kuzhinës.

“Kështu kam dashur të them se përderisa shoqëria i ka lënë gratë në kuzhinë, përderisa kuzhina është hapësira ku kalojnë përditshmërinë, ato aty po gjejnë edhe vdekjen. Kam dashur të krijoj një pancir që t’i mbrojnë gratë prej tyre. Nëna në video pasi e përfundon pancirin e vesh dhe kthehet në kuzhinë, ku aty mund të konsiderohet që ndodh ajo beteja me gladiatorët ku mund të përballet një grua tjetër, me dorasin e vet”, shpjegoi artisti Beqiri për KOHËN.

Nita Qahili nga galeria “Qahili” ka thënë se ekspozita “Recetë kuzhine” paraqet një analogji që e nxjerr në pah realitetin e mirë dhe të keq brenda kuzhinës. Konceptin e ekspozitës, Qahili e ka përshkuar si mjaft filozofik, si një metaforë të një recete që mund të gjendet në shumë hapësira private.

“Kjo ekspozitë përveçse na kujton anën e mirë të kuzhinës, ku gatuhet ushqimi dhe dëgjohen erërat e mira, ajo prezanton diçka më të thellë me dhunën që u shkaktohet amviseve. Ekspozita është shumë interesante për faktin se bëhen bashkë mediume të ndryshme – instalacion, pikturë, audio e video. Kur këto po shikohen si tërësi po shihet koncepti, po shihet në një mënyrë ‘receta’”, ka thënë Qahili.

Pjesë të ekspozitës, Beqiri e ka bërë edhe imazhin e kryeveprës së Michelangelos, “Krijimi i Adamit”, freskës së njohur të 1510-s në Kapelën Stistine në Vatikan. Fotografinë e ngjitur sipër tavanit të galerisë “Qahili”, artisti e ka përcjellë me një audio ku përsëritet vazhdimisht shprehja “Do not touch”, e mes tyre edhe zhurma që të asocojnë me aso të luftës dhe zëra të fëmijëve.

“Këtë vepër e kam paraqitur për të treguar se e gjithë dhuna poshtë është si derivat i kësaj sipër”, ka thënë artisti Beqiri.

Çdo vizitor që vjen për ta parë ekspozitën detyrohet të jetë i pajisur me maska dhe dorëza dhe ta mbajë distancën prej 1.5 metrash. Vizitorët janë të lejuar në grupe të ndara. Në mesin e tyre ishte edhe Fitim Pacolli, i cili vlerësoi se kjo ekspozitë e sjell një qasje më ndryshe në skenën e artit pamor në Kosovë.

“Më la përshtypje mënyra e paraqitjes së nënës së tij duke kryer punët e shtëpisë për shkak të intimitetit dhe zgjedhjes së artistit. Ekspozita si kjo janë esenciale për shoqërinë dhe emancipuese për të dhe artin në përgjithësi”, ka thënë Pacolli.

Veprat e ekspozitës “Recetë kuzhine”, artdashësit mund t’i shohin deri më 6 dhjetor në galerinë “Qahili” në Prishtinë. Hapja e ekspozitës ishte paraparë të bëhej të premten, por qe shtyrë për shkak të vendimit për pezullim aktivitetesh.

{gallery}