Kulturë

“Artistët e së nesërmes” midis përvojave reale dhe imagjinatës

Propozimet premtuese dhe veprat e tyre ekzistuese, ishin motiv që juria e sivjetme e çmimit “Artistët e së nesërmes” të përzgjedhë finalistë Laureta Hajrullahun, Shkamb Jakën dhe Brilant Milazimin. Vendimi del të jetë i drejtë. Të hënën, në hapjen e ekspozitës të qendrës për art bashkëkohor “Stacion” në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina”, përvojat vijnë të gërshetuara dhe propozimet, që tani kanë marrë formë, shtrihen midis realitetit dhe imagjinatës.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është projekt që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35-vjeçare mundësinë që të krijojnë vepra të reja, të bëhen pjesë e një procesi specifik që përfshin vlerësimin e veprave dhe artistëve nga një juri kredibile ndërkombëtare. Pas hapjes së ekspozitës, fituesi do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim që të përjetojë dinamikën e skenës artistike të New Yorkut. Për dy muaj bëhet pjesë e rezidencës dymujore “Residency Unlimited”. Pas kthimit, bëhen pjesë e programit vjetor të “Stacionit” me ekspozitë personale.

Këtë vit juria – në përbërje të Anne Barlowas, drejtoreshë e galerisë “Tate St Ives” në Britani të Madhe, Qëndresë Deda, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” në vitin 2018, artistja kosovare Flaka Haliti, Adam Kleinman, kurator i pavarur, shkrimtar e kurator rajonal për Amerikën Veriore në fondacionin “Kadist Art”, dhe Nebojsha Milikiq, njohës i kulturës, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd – shqyrtoi tetë aplikacionet prej të cilave përzgjodhi tri prej tyre.

Laureta Hajrullahu, artistja vizuele që është në fillim të karrierës së saj, në veprën e saj të “2D plants/flat opsions” është kritike ndaj realitetit. E ka shndërruar një kabinë në një vend sa ëndërrues aq edhe të frikshëm. Brenda kabinës tensioni vërehet qartë tek krijohet nga rehatia që ofron hapësira e veshur me pambuk dhe përballja me tri ekranet e mëdha. Imazhet që shfaqen janë realizuar nga vetë artistja.

Ajo ka thënë se sidomos situata e pandemisë e ka shtyrë të mendojë se ku janë kufijtë në mes të botës virtuale dhe asaj fizike.

“Kam dashur të shpreh ndjesinë sikur je në një ëndërr po që në të njëjtën kohë shndërrohet në një ankth. Të dyja mund të kenë një ndjesi, por jo domosdoshmërisht të rehatshme, edhe pse duken të tilla. Është sikur një lojë shumë false”, ka thënë ajo. Emri i veprës ka lidhje me video-lojëra, njëlloj si video-instalacioni i vendosur në mes e që zgjat më shumë se 1 minutë e gjysme. Për bazë artistja ka pasur videolojën “2:25 am” të lansuar në vitin 2014.

“Loja është shumë abstrakte, nuk ka nivele, vetëm duhet të shëtisësh. Nuk ka ndonjë detyrë dhe kjo më është dukur shumë e ngjashme edhe me jetën kur e mendon prej një pikëpamjeje me të lartë, që është vetëm një dëshirë për të ditur gjëra”, ka thënë artistja e lindur në Preshevë.

Jurisë i kishte lënë përshtypje qasja poetike e 23-vjeçares ndaj çështjeve kritike të kohës – si marrëdhëniet midis jetës sintetike dhe organike, natyrës dhe civilizimit, dhe qenieve njerëzore dhe teknologjisë – sfidave shoqërore ose realiteteve të reja që ato sjellin.

“Në punën e saj, Hajrullahu i sheh mediat digjitale si tipar përcaktues të jetës bashkëkohore dhe mjet me të cilin mund të zbërthehen kufijtë midis botës fizike dhe asaj virtuale”, është vlerësimi që i ka bërë juria.

Po e njëjta juri ka vlerësuar procesin artistik të Shkamb Jakës në dekonstruktimin e sjelljeve njerëzore dhe mënyrën e të menduarit dhe më pas rimaterializmit të tyre, kryesisht përmes mediumit të pikturës dhe së fundi, me një masë humori në film.

Te piktura “Hypnagogia”, Jaka ndan dy trajektore të incizimit të trurit të tij. Është e realizuar në atë mënyrë që piktori 23-vjecar përmes përvojave të tij konkretizon në pikturë termin “Hypnagogia”, e cila është një gjendje në mes të gjumit dhe të qenit zgjuar. “Një gjendje para se të biem në gjumë, kur truri fillon që të mendojë vetë dhe ne nuk kemi kontroll mbi të dhe kemi mendimet më të çuditshme”, e sqaron ai. Piktura është shfaqur edhe më herët në ekspozitën kolektive “Unifikimi” në “Shtëpinë e Evropës” vitin e kaluar dhe këtë vit në ekspozitën e tij personale “DisDeKodim” në “Menzën Ramiz Sadiku”.

Në anën tjetër video-instalacioni “Rose tinted glass” është një prurje e re. Artisti i lindur në Gjakovë ka shfrytëzuar një video-incizim që prindërit e tij e kanë bërë gjatë kësaj vere kur ishin në pushime. Ata incizojnë njëri-tjetrin dhe hapësirën përreth. Imazhet shoqërohen me titra nga filmi “Spellbound” produksion i vitit 1945, nën regji të Alfred Hitchcock.

“Imazhet me kanë rezonuar me titrat e filmit ‘Spellbound’. Aty është një sekuencë e ëndrrës ku kishte bashkëpunuar me artistin spanjoll Salvador Dalí, e që e bënte më abstrakte videon”, ka thënë Jaka.

Filmi është një nga të parët në Hollywood i bazuar në psikoanalizë dhe sëmundje mendore për të krijuar tregimin kryesor. Regjisori kishte angazhuar artistin surrealist të njohur për aftësinë e tij teknike, përpilimin e saktë dhe imazhet e habitshme dhe të çuditshme në punën e tij, për të ndihmuar në vizualizimin e ëndrrës së dr. Edwardes (që luhet nga aktori Gregory Peck).

Edhe veprat e Brilant Milazimit janë të fokusuara te rrëfimet personale e kolektive. Përveç katër pikturave – “Untitled”. “Blue behind the purpple”, “Swimming girl”, dhe “Wash ur hands” – artisti 26-vjeçar është paraqitur edhe me skulpturën “He left us”, që në shikim të parë duket si dora në aksion e Spidermanit. Është punuar me shirit neoni ngjyrë vjollcë, që ia jep ndriçimin verbues.

“Duke u bazuar në rrëfime personale dhe kolektive, puna e Milazimit pasqyron një hulumtim të vazhdueshëm të zhvillimit shoqëror dhe politik të shoqërisë civile në Kosovë dhe asaj që ai e sheh si një ‘psikologji shoqërore’ më të madhe të formuar nga sfidat rreth lirisë së shprehjes dhe lëvizshmërisë”, është përshkrimi që i bën juria punës së tij.

Vala Osmani, bashkëkuratore e ekspozitës, ka thënë se qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmes”, është që t’u ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësojë vazhdimin e punës së tyre duke i zhvendosur ata nga një rol margjinal në një rol qendror në shoqëri. Ka theksuar se pandemia ua kishte vështirësuar organizimin e kësaj ekspozite të kuruar edhe nga Albert Heta.

“E kemi parë që skena e artit pamor për shkak të situatës ishte në gjendje të keqe dhe e kemi parë të nevojshme që ne të vazhdojmë me këtë organizim që është e vetmja pjesë e programit që po mbahet”, ka thënë ajo. Ka shtuar se veprat janë modifikuar gjatë realizimit, mirëpo u kanë mbetur besnike propozimeve të dërguara në fillim.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është pjesë e programit të çmimeve për artistët e rinj pamorë – YVAA (Young Visual Artists Awards) – që është një rrjet i dhjetë çmimeve të ngjashme nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore, dhe i cili u themelua në vitin 1989 në Çekosllovaki nga kryetari Vaclav Havel, Wendy Luers dhe artistët disidentë, që kishin për qëllim përkrahjen e ngritjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe të shoqërisë civile. Deri në vitin 2014, “Artistët e së nesërmes” organizohej nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Atë vit u mor vendimi që të organizohej çdo dy vjet. Por prej vitit 2016 çmimi kaloi në kompetencë të qendrës për art bashkëkohor “Stacion” dhe mbeti ngjarje e përvitshme.