Kulturë

“Fillimi i një fundi”, roman që sjell një histori të pazakontë

Romani i dytë i Majlinda Bregasit, “Fillimi i një fundi”, sjell një histori të pazakontë të vendosur në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Një ndërthurje personazhesh e rrethanash historike me ato të trilluara ndërtojnë një histori që herë vjen reale, herë magjike. 

Autorja e librit e cila jeton në Itali, në një intervistë për emisionin “Express” të KTV-së, ka treguar se ideja e këtij romani ishte e kamotshme, që në kohën e studimeve universitare.

E gjitha në këtë roman artistik nis në një manastir të shkatërruar, ku fra Uka është i vetmi i mbijetuar. Në sytë e tij ndodhin tragjedia e shpresa, dhimbja e gëzimi, ndarja e forca. Një meshar që duhej shpëtuar bëhet bërthama e rrëfimit, ku ndërlidhen fate njerëzish nga më të çuditshmet, që kanë një synim, ruajtjen e identitetit. 

Bregasi është shprehur e lumtur që më në fund arriti t’i bëjë bashkë, siç tha, një miks përjetimesh e studimesh.

“Fillimi i një fundi” është një ndër titujt e rinj që Botimet “Koha” solli në Panairin e 19-të të Librit në Prishtinë.


“Fillimi i një fundi”, roman që sjell një... by kohanet