Kulturë

Avni Mula – maestroja i këngës shqipe

Kur Shqipëria nisi të nxjerrë kuadro profesionale në art e kulturë, zëri i tij prej këngëtari lirik spikati ndër të parët. Interpretoi në operat e para që u inskenuan në Tiranë. Avni Mula shpejt do të veçohej edhe si kompozitor. Madje këngët kult si “Valsi i lumturisë” mbajnë vulën e tij. Mula vdiq të enjten. Ai ishte 92 vjeç. Lajmi për vdekjen e Mulës u dha nga e bija e tij, sopranoja me nam botëror, Inva Mula.

“Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë!”, ka bërë të ditur ajo mbrëmjen e së enjtes, derisa lajmin e ka shoqëruar me një fotografi bardhezi, me portretin e të atit në vitet e rinisë. Shuarja e këngëtarit e kompozitorit konsiderohet si një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare, shkruan KOHA.

Figurë qendrore e artit shqiptar

Ashtu sikurse rrugëtoi gjatë dhe suksesshëm në muzikë, Mula kishte marrë rrugë qysh si i ri.

U lind në Gjakovë më 4 janar të vitit 1928. Si fëmijë me familje do të zhvendoseshin në Shkodër, ku përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm. Sipas biografisë së Mulës, ai qysh i ri do të binte në sy për talentin prej këngëtari. Qysh para se të nisej për studime në konservatorin “Pyotr Ilyich Tchaikovsky” në Moskë do të bëhej pjesëtar i Ansamblit të Ushtrisë dhe i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve.

Në vitin 1957 do të kthehej nga kryeqyteti i ish-Bashkimit Sovjetik si i diplomuar për këngë lirike. Menjëherë do të angazhohej në Teatrin e Operës dhe Baletit. Do të merrte barrën e realizimit të roleve kryesore pasi vërehej për nivel të lartë skenik. Midis roleve të tij është Figaro te opera “Berberi i Selvijes”, Onjegini në operën “Eugjen Onjegin” dhe Gjeto te opera e parë shqiptare “Mrika” me autor Prenk Jakovën. Në mesin e viteve ‘60 do të shënonte suksese të shumta. Veprimtaria koncertale brenda dhe jashtë vendit, interpretimi i këngëve të romancës e si autor i kantatave, poemave vokale e operave do ta bënin atë prej figurave kryesore të artit në Shqipëri.