Kulturë

Seminari anulon edicionin e 39-të me të cilin synonte vazhdimësinë

Ruajtja e vazhdimësisë dhe insistimi që të shpaloset puna njëvjeçare e studiuesve të Albanologjisë ishin dy prej arsyeve kryesore që organizatorët e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare insistonin për mbajtjen e edicionit të sivjetmë. Caktuan edhe datat, 30 dhe 31 tetor. Për dy ditë do të mbahej vetëm pjesa shkencore, duke shënuar kështu edicionin e 39-të.

Mirëpo, koronavirusi ka bërë që tri ditë para nisjes organizatorët të dalin me njoftimin se e kanë anuluar këtë edicion.

Në komunikatën për media të Këshillit Drejtues të Seminarit, është bërë e ditur se një pjesë e drejtuesve të Seminarit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 dhe një pjesë tjetër është në vetizolim, duke pritur rezultatet e testeve. Për këtë arsye, Këshilli Drejtues, në pajtim me bashkëdrejtorinë e Tiranës, kanë marrë vendim që edicioni i 39-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsisë dhe Kulturën Shqiptare të anulohet.

“Situata e rënduar e ditëve të fundit dhe shtimi i infeksioneve në vendin tonë, por edhe në tërë Evropën, e ka bërë pothuaj të pamundur mbajtjen e këtij edicioni në këtë kohë. Ne kemi insistuar në vazhdimësi që përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia e virusit korona, të bëjmë çmos që Seminari të mos ketë shkëputje as në këtë vit të rëndë dhe të kontribuojë në njëfarë mënyre në mosndaljen e veprimtarisë shkencore edhe në këto kushte të rënda të pandemisë”, është shkruar në komunikatë.

Tutje, është treguar se Këshilli ka bërë përpjekje maksimale që edicioni i sivjetmë të mbahet me çdo kusht, pasi që kishin qenë të bindur se studiuesit e Albanologjisë kanë nevojë që t’i shpalosin të arriturat e tyre shkencore edhe gjatë këtij viti të rëndë.

“Prandaj, kemi finalizuar programin dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ta filluar edicionin e sivjetmë në datat e publikuara më parë, por zhvillimet e fundit e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë”, është shkruar në komunikatën e cila mbaron me shpresën për të vazhduar në vitet e tjera traditën e gjatë të Seminarit.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare vlerësohet si organizimi kryesor për shkencat albanologjike në vend dhe në botë. Është bashkorganizim i Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit Histori-Filologji, përkatësisht nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës. Çdo vit ai sjell në Prishtinë albanologë, gjuhëtarë, antropologë e kulturologë nga qendra të ndryshme universitare të Evropës.

Për edicionin e sivjetmë, i paraparë të vinte me pjesën shkencore, ishin caktuar edhe temat bosht: “Struktura e shqipes së vjetër” në gjuhësi, “Letërsia shqipe: vetmia dhe veçimi” në letërsi dhe “Roli i medias në periudhën e infodemisë”, në kulturologji. Për tryezë shkencore ishte planifikuar që të shënohej 120-vjetori i vdekjes së Naim Frashërit dhe 80-vjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës.

Në kuadër të Seminarit vitin e kaluar për 12 ditë me radhë ishin mbajtur shtatë ligjërata, katër tryeza, tri referime dhe tetë sesione doktorantësh, gjatë të cilave ishin shpalosur një numër i madh kumtesash. Si takim i përvitshëm shkencor dedikuar shkencave albanologjike, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nga viti 1974 është shndërruar në ngjarjen kryesore për studiues nga vendi e bota. Falë ndihmës së institucioneve akademike në Tiranë, ky seminar, pas një ndërprerjeje disavjeçare në kohën e represionit serb, nga viti 1995 ka rifilluar sesionet shkencore. Tani ai vlerësohet si organizimi kryesor për shkencat albanologjike në vend dhe në botë, që ka një traditë prej 46 vjetësh.