Kulturë

Filmi me Val Malokun do të shfaqet edhe në Kosovë paralel me botën

Një javë pas premierës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende tjera të botës, filmi në të cilin aktori i ri kosovar, Val Maloku, luan përkrah yjeve hollywoodiane, do të shfaqet edhe për audiencën kosovare.

“The Zookeper’s Wife” do të shfaqet në ekranin e “Doku Kino”, nga data 6 e muajit prill, derisa premierën botërore do ta ketë më 31 mars, shkruan sot “Koha Ditore”. Filmi me Jessica Chastain e Daniel Brühl në role kryesore, rrëfen historinë e rojave të kopshtit zoologjik të Varshavës, Jan dhe Antonia Zabinski, të cilët kishin shpëtuar qindra njerëz dhe po ashtu kafshë, gjatë kohës së pushtimit nazist.

Lajmin për premierën në Kosovë të këtij filmi e ka dhënë Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar e të shkurtër “DokuFest”.

“Do të jetë në repertor të rregullt. E kemi siguruar të drejtën e shfaqjes së filmit përmes distributorëve me të cilët punojmë. Tek ne vjen më 6 prill”, ka thënë Bilibani.

I ati i tij, Valon Maloku, ka thënë se nuk ka detaje për vendet në të cilat do të shfaqet filmi. Dhe as nuk e ka konfirmuar nëse Val Maloku do të jetë prezent në ndonjërën prej shfaqjeve të “The Zookeper’s Wife”.

“Premiera në tërë botën është më 31 mars. Deri më tani nuk kemi më shumë informata tjera”, ka thënë ai.

Val Maloku në verën e vitit 2015, bashkë me aktorin Astrit Kabashi, u shpallën aktorët më të mirë në “FilmFest München”, festival në të cilin filmi “Babai” i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës mori edhe tri çmime të tjera, atë për regji, skenar dhe “One Future Prize”. Kjo bëri që ai të merrte ftesë që të luante në dy episode të serialit amerikan “Legends”, që për protagonist ka aktorin e njohur hollywoodian Sean Bean, fitues i “International Emmy”, i nominuar për çmimet “BAFTA” dhe “Saturn Award”. Po ashtu siguroi edhe rolin në “The Zookeper’s Wife”, të cilin audienca kosovare do ta ketë rastin ta shohë në fillim të prillit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.