Kulturë

Performanca “Lidhmë mua”, premierë në “Femart”

Presionin psikologjik që i bëhet gruas për ta arritur të drejtën e saj në shoqëri, ato po e rrëfejnë me anë të lëvizjeve të trupit.

Në këtë shfaqje baleti, gruaja paraqitet duke triumfuar në zonën e burgosjes prej paragjykimeve, raporton KOHA.

Koreografja Luljeta Braha thotë se me anë të performancës “Lidhmë mua”, që u prezantua për herë të parë në kuadër të festivalit “Femart”, ka tentuar të bëjë thirrje për reflektim.

Ani pse në kohë pandemie, edicioni i tetë i “Femart” solli në kryeqytet aktivitete të ndryshme, që u mbajtën në përputhje me rekomandimet e Qeverisë kundër COVID-19.

Me misionin për t’i fuqizuar gratë në njohjen e të drejtave të tyre, ky festival për pesë ditë solli krijime artistike origjinale nga njëqind e gjashtëdhjetë artistë.

“Solidaritet dhe qëndrueshmëri” ishte mesazhi i këtij edicioni të “Femart”, i cili ndër vite u bë festival feminist i njohur ndërkombëtar, që si parim ka mbështetjen e gruas në të drejtat e veta.

Ky edicion i “Femartit” mbyllet të martën mbrëma me shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” nën regji të Zana Hoxhës.