Kulturë

“Ti, jam unë” e “Çfarë duan burrat” në përplasje këndvështrimesh gjinore

Një e veçantë e edicionit të sivjetmë të “FemArtit” është fakti se organizatorët kanë investuar dhe krijuar mundësi financiare për artistët dhe artistet kosovare që të krijojnë vepra të reja artistike. Nëpërmjet realizimit të performancave të ndryshme synim e kanë forcimin e rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe vetëdijesimin për të drejtat e njeriut në përgjithësi. Këto u prekën edhe ditën e katërt të festivalit. U dha premiera e shfaqjes teatrale “Ti, jam unë” në regji të Natyrë Kallabës dhe forum- dance teatrit “Çfarë duan burrat?” nën regji dhe koreografi të Robet Nuhës, me tekst të Edlir Gashit. Të dyja janë produksione të “Artpolisit”. Edicioni i tetë “FemArtit” nisi më 15 tetor dhe përfundon të martën (sot).

Regjisorja Natyre Kallaba në qendër të shfaqjes “Ti, jam unë” ka vënë një mësuese, profesion ideal në shoqërinë kosovare. Aludon në atë se njerëzit e shohin mësuesen si një person të përkryer. Por, mësuesja e Kallabës, të cilën e luan aktorja Tringë Hasani, nuk është aspak e tillë. Është e divorcuar, ka ndërruar disa burra, ka një jetë të shthurur e ndjenja që nuk konsiderohen tradicionale. Përkrah saj është një gazetare, e cila në një mënyrë është një marionetë e mësueses dhe pastrueses.

“Kam dashur që të them se pa marrë parasysh se çka jemi, ne i kemi ndjenjat e njëjta, një trup, një gjak dhe mundemi njëri-tjetrin me e gjet te njëri-tjetri, por varet prej kohës”, ka thënë Kallaba. Mësuesja dhe pastruesja kanë goxha shumë ndjenja për njëra-tjetrën. Shfaqja është e tillë ku personazhet nuk fshehin preokupimet e tyre apo emocionet. Karakteret janë lehtësisht të lexueshme.

“Në këtë jetë gjëja më kryesore janë ndjenjat. Nëse ne udhëhiqemi prej tyre, atëherë do t’i kemi gjërat që i duam dhe do të jemi të lumtur”, ka theksuar regjisorja. Shfaqja “Ti, jam unë” u dha premierë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të dielën mbrëma.

“Jam një mësuese e dëshpëruar, e cila ka probleme me jetën e vet dhe mendon se nxënësit e prindërit nuk e duan. Por problemi është te mësuesja. Ajo është e thyer dhe e pakënaqur me jetën e saj”, ka treguar aktorja Tringa Hasani për rolin e saj. Sipas saj, shfaqja prek një temë sociale dhe mësuese të tilla lehtësisht mund të gjenden edhe në vend. Aty-këtu shfaqja vë në pah se karakteret shpeshherë është dashur që të bënin zgjedhje që nuk i kanë dashur, por që u janë imponuar. Diçka e tillë i ka ndodhur pastrueses që luhet nga aktorja Filorieta Bajraktari. Në rol ajo ka ardhur në Prishtinë për të studiuar një profesion që nuk e do. Por pasi që takohet me mësuesen Ritë, e kupton që duhet të ndjekë ëndrrën e saj, të lërë studimet për juridik dhe t’i dedikohet dizajnit.