Kulturë

Dumoshi: Burgu në QRTK do të shndërrohet në muze

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi të mërkurën ka vizituar Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, ku është pritur nga drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha.

Dumoshi u shpreh se në plan-programin e stafit të QRTK-së është zhvillimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, si pjesa më e rëndësishme e historisë së Kosovës.

“Kur jemi në Prizren, dihet mirë sidomos në zyrat tona që kanë një staf të mrekullueshëm dhe plan-programin e zhvillimit të pjesës së trashëgimisë e cila është pjesa më e rëndësishme, pjesa më vitale e prezantimit të kujtesës sonë historike këta njerëz bashkërisht e dërgojnë përpara... Po ashtu po përfundojmë muajt e trashëgimisë, nesër veç përfundon dhe Ministria e Kulturës ka pasur aktivitete të ndryshme”, ka thënë Dumoshi.

Ministrja Dumoshi ka thënë se burgu i cili ndodhet në këtë qendër do të bëhet muze që do të dokumentojë historinë që ka kaluar vendi ynë.

Me drejtorin ne biseduam dhe posa e vizituam burgun famëkeq, dhe këtë burg ne do ta bëjmë si muze ku do të dokumentohen historia jonë e trishtë e njerëzve të cilët kanë kaluar aty, dhe të cilëve as sot nuk u gjinden eshtrat, njëri prej tyre është edhe familjar i imi. Për mua është emocion i veçantë, po në këtë burg, vetë shkrimet të cilat janë shkruar, dhe notat e muzikës, tregojnë që pjesa intelektuale ka përjetuar torturat me të rënda”, ka thënë Dumoshi.

Me këtë rast, drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Samir Hoxha ka thënë se prioritet i tyre janë bodrumet e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

Ai ka thënë se në këto bodrume është gjetur edhe një qendër paraburgimi, që ishte në vitet 1945-1965.

“Një projekt të cilin e kemi si prioritet tonin, bëhet fjalë për bodrumet e kësaj ndërtese, të cilat gjatë procesit të hulumtimit dhe dokumentimit të arkivave, ne kemi gjetur që në bodrumet e kësaj ndërtese ka ekzistuar një qendër paraburgimi që nga koha OZNA-s, në periudhën e viteve 1945-1965, po ashtu me ministren biseduam mbi të gjitha punët dhe përkushtimet tona që po i bëjmë”, ka thënë Hoxha/KsP.