Kulturë

Festivali i Filmit në Tiranë ringjall jetën kulturore në kohë pandemie

Në nderim të regjisorit e skenaristit shqiptar Gjergj Xhuvani, edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë është hapur me filmin “Liqeni im”. Vepra e fundit e Xhuvanit si premierë rajonale ka kthyer në ekran mjeshtërinë e regjisorit të shquar, i cili vdiq në gusht të vitit të kaluar.

Te “Liqeni im”, Xhuvani kishte kthyer në shirit filmik një ngjarje ku Kristo, një djalë i ri, jeton në një fshat buzë Liqenit të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujërat në kufijtë e tri vendeve të Ballkanit: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një kontrabandues i mariuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të Liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase. Filmi i Xhuvanit është një nga 18 filmat që sivjet do të shfaqen në kinema të hapur në kuadër të edicionit të 18-të të njërit prej festivaleve më me traditë në Shqipëri. Për shkak të pandemisë, filmat janë duke u transmetuar edhe online, përveç hapësirës së jashtme te Liqeni Artificial i kryeqytetit shqiptar. Në garë janë 122 filma.

Për shtatë ditë, që nga e shtuna mbrëma, publiku shqiptar ka mundësi të shohë prodhime kinematografike nga vende të ndryshme. Janë tri bashkëprodhime të Kosovës që janë në konkurrencë zyrtare në këtë festival. “Exil” nën regji të Visar Morinës, që muajin e kaluar ka fituar “Zemrën e Sarajevës”, “Zana” nën regji të Antoneta Kastratit, që ishte kandidat i Kosovës për t’u nominuar për çmimin “Oscar”, e bashkëprodhimi kosovaro-austriak, “As If Biting Iron” nën regji të Stephanie Rizaj, do të jepen online në kuadër të konkurrencës zyrtare. Janë gjithsej nëntë kategori konkurruese.

“65 Roses” nën regji të Murat Zherkës nga Maqedonia e Veriut, “Farmer’s Blues” po ashtu nga regjisori nga Maqedonia e Veriut, Ibër Deari, “Girls”, nga shqiptarja Elkjana Gjipali, “Klod” nën regji të italianit Giuseppe Marco e “Pashka” nën regji të Oltjon Lipe, regjisori shqiptar që jeton në Greqi, janë midis filmave që do të shfaqen në kinema të hapur. Për shkak të pandemisë, ngjarja e sivjetshme e filmit në Tiranë është më e varfër sesa viteve të tjera. Në kinema të hapur, nga filmat e Kosovës do të jepet vetëm “Salloni” i Zgjim Terziqit.