Kulturë

“Gorillat që s'i pamë” - bestseller në ditën e parë

Vepra më e re e shkrimtarit, publicistit e politikanit Veton Surroi, “Gorillat që s'i pamë”, është shitur në mbi 300 kopje gjatë ditës së parë të Panairit të Librit, që është hapur të martën, në orën 18:00.

“Përse Kosovën e sundon grupi më i paarsimuar dhe më i padijshëm? Si po e bëjnë portalet e klanit “Pronto” 1 prillin çdo ditë, dhe si kemi hyrë në periudhën e pasvërtetës? Pse po na mbajnë të izoluar Serbia dhe gjuha e sharrëxhinjve? Përse jemi më afër Afganistanit, Sirisë e Irakut sesa Francës e Gjermanisë?”, janë vetëm disa prej pyetjeve që shtron ky libër, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pos librit të Surroit, edhe për titujt e tjerë të Botimeve KOHA ka pasur interes të madh nga lexuesit, duke pasur parasysh gamën e gjerë të ofertës dhe vazhdimin e traditës me zbritje deri në 70 për qind” , ka thënë Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Grupin KOHA.

Vitin e kaluar Surroi erdhi me romanin “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, me të cilin mori çmimin “Autor i vitit”.

“Gorillat...” është libri i tetë i Veton Surroit. “Fluturimi i fundit i Azem Berishës për në kështjellë”, “Libri i fluturave”, “Miliarderi”, “Këmbët e gjarprit”, “Ambasadori i Melkizedekut”, “Emri i autonomisë” dhe “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”.