Kulturë

Adem Mikullovci – artisti i rrugëtimit të Kosovës

Descriptive Text

Tek po ecte nëpër Korzo, kishte nisur të binte shi. Kështu i ishte shtuar edhe një arsye që ta ndalte hapin. Do të futej në Teatrin e Mitrovicës. Po fillonte shfaqja “Vraga” e atij që asokohe ishte Teatri Popullor Krahinor, tash Teatri Kombëtar i Kosovës. Kjo shfaqje do t’ia “këpuste” gjunjët të riut Adem Mikullovci. Do të ndikonte që ai t’i futej botës së teatrit.

“Ishte shfaqja e parë profesioniste që e pashë. Jam ulur në qoshe dhe kam qarë. E përjetova shumë. Nga ai moment kam thënë se unë do të bëhem aktor”, do të rrëfente ai për gazetën në dhjetorin e vitit 2014. Karriera e tij, që shtrihet në më shumë se pesë dekada, ka rrëfime të shumta, raporton KOHA.

Disa prej tyre janë kujtuar të martën, kur edhe u dha lajmi për vdekjen e Mikullovcit. Ai ishte 82 vjeç.

Bota e artit humbi profilin e aktorit tragjikomik, regjisorin e dramaturgun e shquar. Kurse politika mbeti pa delegatin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 e deputetin e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Rolet e Mikullovcit në teatër e film janë pjesë e kujtesës së brezave që përjetuan zhvillimin e Kosovës nën ish-Jugosllavi, okupimin e saj nga Serbia, e të Kosovës shtet. Si aktor e intelektual i pazëvendësueshëm, Mikullovci është kujtuar edhe të martën, kur para Teatrit Kombëtar të Kosovës janë bërë homazhe përballë fotografisë së tij.