Kulturë

Beqiri e quan të pritur vendimin e gjykatës

Vendim që është ditur që nga fillimi. Kështu thotë ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, për vendimin e Gjykatës së Apelit për ta liruar atë nga akuza për vepër penale, keqpërdorim i detyrës.

Vendimi erdhi pasi gjykata e shkallës së parë nuk ka gjetur fakte vendimtare për veprimet inkriminuese të të akuzuarit.

Beqiri ua hedh fajin kryesor organeve kompetente, të cilat, sipas tij, pranojnë çfarëdo lloj akuze.

Ish-ministri i Kulturës, me këtë rast, tha se i gjithë ky proces i ka shkaktuar vështirësi të shumta psikologjike, morale dhe profesionale.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit tjetër, po ashtu ish-ministër, Astrit Haraqija, për të njëjtën vepër, është refuzuar akuza, për shkak të vjetërsimit të ndjekjes penale.

Në anën tjetër, të akuzuarit Armond Morina, për veprën penale “Mashtrim në detyrë”, apeli ia shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari, në afatin e verifikimit prej 3 vjetësh, nuk kryen vepër tjetër penale.

Ai po ashtu urdhërohet që MKRS-së t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumën prej 100 mijë eurosh në afat prej 3 muajsh.

Morina, për KTV-në, u shpreh se ai nuk e ka në plan të merret me këtë çështje, pasi të gjitha ia ka lënë në dorë avokatit, përveç se u shpreh se pavarësisht pengesave që i kanë vënë projektit të tij filmik, do të bëjë përpjekje ta realizojë deri në fund.

Ndërsa, në rastin e të akuzuarit Nehat Fejza, për veprën penale “Mashtrim në detyrë”, Gjykata e Apelit ia shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, dënim ky që nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari në afatin e verifikimit prej 3 vjetësh, nuk kryen vepër tjetër penale. Po ashtu, Nehat Fejza urdhërohet që Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumën prej 188 mijë eurosh në afat prej 3 muajsh, në të kundërtën, dënimi me kusht do të revokohet.