Kulturë

“Marubi” – rindërtimi fotografik i historisë shqiptare

Plot 181 vjet më parë ishte bërë një goxha zbulim. Historia njerëzore do të fitonte edhe një medium tjetër përcjellës: fotografia do të fiksonte ngjarje e njerëz.

Këtë inovacion do ta mjeshtëronte edhe një fotograf që veproi në Shqipëri. Ai ishte Pjetër Marubi, i lindur në Piacenza më 1834, i cili për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen kryengritëse të Garibaldit do të vendosej në Shkodër.

Drejtori i muzeut kombëtar të kotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shënuar 19 gushtin, që njihet si Ditë e fotografisë.

“Pikërisht në këtë datë, në vitin 1839, Akademia Franceze e Shkencave njoftoi shpikjen e fotografisë. Rastësia bën që po në këtë muaj të kenë lindur edhe dy personalitetet referuese të Rilindjes Kombëtare në arte, Pietro Marubbi e Kolë Idromeno”, ka shkruar Bedeni në faqen e tij në Facebook.

Brenda një videoje njëminutëshe ai ka treguar procesin e konservimit të fotografisë në të parin arkiv në Shqipëri, që ruhet sipas standardeve bashkëkohore të kompanisë prestigjioze “KLUG Conservation”.

“Ky projekt mundëson mbrojtjen e kësaj trashëgimie kulturore për brezat e ardhshëm dhe vlerësimi i një dokumentimi fotografik që rindërton historinë e Shqipërisë”, thuhet në videon në të cilën paraqiten pamje të konservimit të fotografive.