Kulturë

Teatri i operës përmendet në takimet e qeveritarëve, por ngelet veç synim

Projekti i premtuar prej afro 14 vjetësh është aktualizuar sërish nga Ministria e Kulturës, ani pse nuk është dhënë ndonjë afat e as nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret. Në shtator pritet që Komuna ta zyrtarizojë vendimin, përmes të cilit teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” do të mbetet pa lokacion. Hapësira afër Fakultetit Teknik, sipas planeve të Komunës, do të shndërrohet në një kampus të ri për universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”

Pandemia e koronavirusit në fillim të këtij viti ka bërë që projekti për Teatrin e Operës dhe Baletit, sikundër planifikimet e tjera të sivjetshme, të pezullohej për një kohë të caktuar. Projekti i premtuar prej afro 14 vjetësh është aktualizuar sërish nga Ministria e Kulturës, ani pse nuk është dhënë ndonjë afat e as nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret. Në shtator pritet që Komuna ta zyrtarizojë vendimin, përmes të cilit projekti i Ministrisë së Kulturës do të mbetet pa lokacion, raporton sot KOHA Ditore.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka pritur në një takim ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Sipas kumtesës së Ministrisë, temë diskutimi e këtij takimi ishte shtyrja përpara e projektit shumëvjeçar të teatrit të operës dhe baletit “Dr.Ibrahim Rugova”.

“Është fatkeqësi që deri tash ende diskutohet për këtë projekt, kur tashmë është dashur ta gëzojmë objektin e përfunduar të teatrit e operës dhe baletit. Sa i përket Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, gjithçka që është e mundur do të bëhet. Shpresojmë që t’i japim rrugë ndërtimit një herë e mirë të këtij projekti të rëndësishëm për kulturën e vendit”, ka deklaruar Kuçi, pas takimit të mbajtur pasditen e së hënës.