Kulturë

Kur kitrra e merr hanën për lajthi

“Alo, Radioja Kitrra”, është radioja më e çuditshme në botë. E pate krijue ti, atëherë kur të shfaqej kitrra në dritare mëngjeseve të Rekës së Allagës, si shpresë e mbijetimit. Prej atëherë bashkëbisedimi ynë mori tjetër trajtë, kur ty të nevojiteshin lajmet nga kultura bash si ajri i pastër i Rugovës. “Kapërceje, kapërceje”, më thoshe për lajmet pa shije, plot burokraci pushtetare, e ndaleshim me orë kur fryma jote skënderbegase kërkonte hapësira të reja të gjuhës teatrore. Vdekja e artistit nuk ngjan, është e shpifur

E tash nuk dua ta heshti “Alo, Radio Kitrrën III – 2020”, e cila më është ba si një markë shpirtnore. Gjatë gjithë vitit, për çdo ditë, për çdo çast marr informacione nga kultura edhe për ty dhe vetëm e vetëm që në një ditë në vit, në Ditën tande, me anë të rezonancës tejqiellore, ta dëgjoj zanin nga planeti i panjohun. Njëmend, pse na the se andrron me ba shfaqje në një planet tjetër, kur shfaqjet e tua kishin marrë përmasat planetare?! Apo edhe kitrra ka ikur pas andrrës tande, sepse e ka marrë hanën për lajthi?! Alo… Bek, lajmërohu! Është ajo Radio virtuale që ma mësove si duket me qëllim që me mujtë më lehtë mungesën e vdekjes. Vdekja e artistit po thonë nuk ngjan, nuk ndodh, është një kategori e shpifur, është një ndërrim transcedental i gjendjes. “Ai nuk ka vdekë, kemi vdekë ne pa të, apo aq shumë ka marrë pjesë të jetës sonë me vete”, u shpreh Meli, i dashtun, me dashni për ty. Dhe, qe përnjëherë kontestohet vdekja dhe relativizohet koha, mungesa dhe fillon të flasë arti.

Nga provat e shfaqjes “Arturo Ui”, ktheheshe në provat e jetës së sëmurë. Atje projektoje elegancën e vdekjes, vrasja një, vrasja dy… arkivolet, gangsterët e pashpirt, por jetoje, merrje forcë nga procesi krijues, kurse kur ktheheshe i nënshtroheshe me pedantëri mjekësore terapisë. Eh, ec e përkufizoje realitetin, ku zhvillohej jeta jote, jeta e vërtetë, apo ku sot po e krijon teatrin tand qiellor. Bek, kuptohet pa lejen tande ne deshtëm me ba mëkat një mëkat të pashmangshëm. Deshëm ta ekspozojmë botën tande në dritë të publikut si dëshmi se vdekja e artistit është e pamundshme. Ekspozitën deshëm ta vendosim në harmoni të vargonjve të duhanit që terej ktynehere nëpër muret me qerpiç apo si çejzin në Ditë të nuses.

Dorëshkrimet, korrigjimet, përmirësimet e tua kritike, sinopsiset, fotografitë, loja e paraskenës, xhirimet nga ushtrimet me aktorët, nxjerrja e tingujve dhe fërfëllimave e toneve të fshehta nga gotat e rrumbullakëta, tone të ngrohta, të trishta…variacionet e poezive dhe variacionet e pikturës së Mentorit për “Këmishën e gjakut”… Dhe, përnjëherë e pamë përmasën e gjurmëve tua, dhe përnjëherë e kuptuam se të kemi aq pranë dhe filloi të na daravitet ajo që shpesh e kemi quajt, kohë e sëmurë, kohë e leshtë, kohë pa fillim e mbarim, kurse, kurse tash jemi zhytur në kohë pandemie. Ekspozitës ia kemi lanë emnin “Loja e Lumit”, dhe ajo një ditë do të shfaqet!

Eh, koha e pandemisë Bek, na solli edhe një teatër tjetër, ke durim të lutem më dëgjo! Ke pas thënë shpeshherë se teatri jeton dhe do të mbijetojë, sepse i ka përballue teknologjisë, është arka e cila ia lidh njerëzimit epokat, vetëm në teatër arkaikja, modernia dhe postmodernia, flasin me za, me trup, mirëpo pandemia na solli artin online. “Arturo UI”, u dha online, e ndoqën mijëra shikues, teatri elektronik i solli gangsterët tuaj në çdo telefon mobil. E përcolla edhe unë me drojën tande, si do të reagoje ti.