Kulturë

Kufijtë, autoktonia dhe përplasjet e përhershme

Descriptive Text

Policët e pikës kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdare, paraditen e 30 majit të vitit 2018, kishin marrë edhe privilegje të tjera. Vlerësonin vepra arti. Fotografive u bënin analiza të përmbajtjes nacionaliste. Në dy prej imazheve që ishin nisur për një ekspozitë në Beograd ishte flamuri i Kosovës. Në këtë simbol paraqitet edhe harta e shtetit të ri në Evropë. “Ne može” (nuk mundet) konstatoi tri herë një prej zyrtarëve policorë.

Dy fotografitë e artistes, Eliza Hoxha, ku shihej flamuri i Kosovës dhe një tjetër ku paraqitej akronimi UÇK, u konstatua se nuk bën të jenë pjesë e një ekspozite të edicionit të pestë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Polici që urdhrat i jepte në serbisht e pyetjet nganjëherë i shtronte edhe në shqip, nuk i besonte vetes se është “selektor” i zoti. Disa imazhe i fotografonte në telefon e përmes aplikacionit “Viber” i përcillte tek eprorët. Kësisoj, kufiri midis dy shteteve atë ditë mori përmasa të tjera, shkruan KOHA.

E janë pikërisht kufijtë që e ndezin debatin deri në stade raciste në Ballkan. Mjafton të përmenden dhe gjithçka merr flakë. Ndizet gjuha raciste, këngët që bëjnë thirrje nacionaliste e deri te përmendja e luftërave. Shembulli më i freskët është ai me këngëtaren nga Kosova që gëzon nam botëror, Dua Lipa. Para dy javësh, 24-vjeçarja postoi imazhin e transparentit “Autochthonous”, shoqëruar me shënimin: “Autokton – mbiemër (banor i një vendi) vendas dhe jo pasardhës emigrantësh ose kolonistësh”. Postimi i saj, shumë shpejt u bë viral dhe u mbush me komente përplasëse veçmas midis shqiptarëve e serbëve për dhe më gjerë. Rrjetet sociale vluan. Dhe jehona e një debati të tillë ende vazhdon. Së fundmi, në Serbi debat ndezi edhe një deklaratë e Lipës për “ajvarin shqiptar”.

“Dua Lipa, mbase pa djallëzisht, duke dashur që të tregojë me mburrje përkatësinë e saj kombëtare, e ka prekur çerdhen e grejzave më të egra të ultranacionalizmit serb”, thotë filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi.

Hartat dhe fitili i nacionalizmit

Transparenti “Autochthonous” kishte çuar në këmbë shikuesit e ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në mbrëmjen e 14 tetorit 2014, kur po zhvillohej loja në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Futbollit. Harta me ngjyrë të kuqe, ku ishin bërë bashkë vendbanimet shqiptare në Ballkan me shqiponjën e zezë në mes e figurat e Ismail Qemajlit e Isa Boletinit, kishte efektin e një “bombe” në stadiumin e klubit serb “Partizani”. Shikuesit ia mësyn fushës së futbollit e policia mezi nxori jashtë lojtarët shqiptarë. Në konspiracione u përfshinë edhe udhëheqësit serbë. Imagjinata e tyre shkoi deri te deklaratat se mund të jetë diçka e kurdisur nga shteti shqiptar. U aludua se shqiptarët kërkojnë një shtet etnik apo Shqipëri etnike, ku do të prekeshin kufijtë e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Shqipërisë e Greqisë.