Kulturë

Ditët e filmit të animuar në Kohavision

Prej 13 korrikut, “Anibar” dhe Kohavision sjellin për shikuesit ciklin e filmave të shkurtër të animuar, të cilët kanë për qëllim promovimin e të drejtave të njeriut.

Filmat do të shfaqen 6 ditë në javë dhe janë në kohëzgjatje prej 3 deri në 29 minuta. Java do të nisë me filmin “Bear with me”, një dokumentar i shkurtër i animuar i cili shpalos rrëfimin e dy emigrantëve që lanë shtëpitë e tyre dhe kaluan kufijtë për shkak të dashurisë.

Edhe dokumentari tjetër i animuar në kuadër të javës së parë të shfaqjes së këtij programi “Tregimi jonë” trajton temën e emigracionit.

Filmi e trajton emigrimin si fenomen i cili ka përfshirë shumë njerëz në të gjithë globin dhe si i tillë na kujton se historitë e emigrantëve të sotëm janë histori të së kaluarës sonë.

Një film tjetër i titulluar “Motra” sjell në ekran Kinën e viteve ‘90 përmes kujtimeve të një burri i cili shpalos fëmijërinë e tij të bezdisshme.

Si do të ishte jeta e tij nëse gjërat do të shkonin ndryshe? Filmat e tjerë që do shfaqen trajtojnë tema rreth kufijve personalë e politikë, të jetuarit në izolim, raportin mes prindërve dhe fëmijëve “gay”.

Producenti ekzekutiv i KTV-së, Dardan Selimaj, këtë rrugëtim e përshkruan si “një udhëtim vizual që na sfidon të mendojmë për një përkatësi universale që nuk kufizohet brenda një rajoni apo kufijve kombëtarë në kohën kur ksenofobia, nacionalizmi dhe jotoleranca janë dukuri që i hasim në përditshmërinë tonë”.

Programi i filmave të animuar për të drejtat e njeriut është hartuar nga festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” në bashkëpunim me Kohavisionin me qëllim prezantimin dhe promovimin e vlerave njerëzore përmes animacionit si formë e shprehjes artistike.

Animacionet transmetohen në KTV nga ora 18:35, e hënë – e shtunë.