Kulturë

Ditë të errëta për mjeshtrit e violinave

Në punëtorinë e Pablo Farias ajri erëmon nga druri. I ulur mbi tryezë, Pablo po e bojatis të fundit violinë. Furça rrëshqet butë mbi panjën e lëmuar të instrumentit, duke shkuar me ngadalë para e pas. Skaj dritares me pamje nga qendra historike e Kremonas, dy kolltukë të kaltërremë janë ende të paketuar në një plastikë të tejdukshme.

“Sapo kam dalë në këtë punishte”, thotë ai pa e shkëputur shikimin nga violina. “Isha gati ta hapja në mars, por shpërthimi i pandemisë dhe izolimi i imponuar nga qeveria më detyroi t’i anuloja planet”. Pablo duket se buzëqesh hidhur nën maskë, transmeton KOHA

Kremona, një qytet me 73 mijë banorë, ndodhet në kufirin jugor të krahinës italiane të Lombardisë, e cila u bë epiqendër e virusit qysh në shkurt, kur u bë vatra e parë evropiane e shpërthimit. Sipas të dhënave zyrtare, COVID-19 ka shkaktuar më shumë se 1 mijë vdekje dhe 6,600 raste të konfirmuara të infektimeve në krahinën e Kremonas dhe tani po e rrëgjon edhe ekonominë e saj. Në veçanti, kjo po e vë në rrezik zejtarinë e bërjes së violinave, që ka qenë makina historike e industrisë së Kremonas duke i bërë botteghet e saj (fjalë italiane për “punishte”) me nam gjithandej botës dhe qytetin si pasqyrim mikrokozmosi të asaj sesi pandemia po i kanoset botërisht sektorit të kulturës dhe arteve.

Veglat e harkuara me tela janë bërë me dorë që prej shekullit të 16-të në Kremona, e cila është edhe vendlindja e Antonio Stradivarit, mbase violinëbërësi më i madh në histori. Derisa punishtja ku Stradivari sajonte veglat e tij u shkatërrua më 1934, çdo cep i qytetit flet për të. Shkollat, ushqimoret, qendrat sportive, restorantet dhe kafenetë janë emëruar pas këtij burri, i cili, gjatë jetës së tij, vlerësohet të ketë bërë 960 violina. E tash, trashëgimia e tij po përçapet të mbijetojë.

Prodhimi kremonez i violinave është në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe zanatçinjtë e qytetit njihen në botë për procesin unik të krijimit të violinave, violave, çellove dhe kontrabasëve, ku mbledhin më shumë se 70 copëza druri rreth një matrice pa përdorur hiçfare lëndë industriale.

Tradita e pakundshoqe e qytetit prej kohësh ka tërhequr violinëbërësit – të njohur edhe si ustallarë – nga mbarë bota që të vijnë e të shtrijnë tregtinë e tyre këtu.

Me prejardhje argjentinase, Pablo Ferias është mes 160 ustallarëve – shumica të diplomuar nga Shkolla Ndërkombëtare e Violinëbërjes në Kremonë – që hëpërhë jeton dhe punon në aletë e kalldrëmta të qytetit. Nën hijen e punishteve të tyre, ata i sajdisin dërrasat e panjës dhe bredhit në vegla muzikore në vlerë prej mijëra eurosh.

“Çmimet variojnë varësisht emrit të ustait dhe tregut ku shiten ato”, thotë Stefano Trabucchi, që ka hapur punishten e tij më 1992. “Mesatarja është rreth 10 mijë euro”, shpjegon ai, duke bërë me gisht nga një rresht violinash të varura në një gajtan hekuri që shtrihet përgjatë dyqanit, “por disa shkojnë deri në 20 mijë euro”.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, eksporti vjetor i Italisë në vegla me tela kap vlerën e 6.6 milionë dollarëve. Vetëm Kremona kontribuon rreth 80 për qind në këtë shumë.