Kulturë

Kompozitori i tejkohshëm

Ennio Morricone ishte më shumë se një nga kompozitorët më të mëdhenj në botë të kolonave zanore – ai ishte një prej kompozitorëve më të mëdhenj në botë, pikë. Për mua, vepra e tij qëndron me Bachun, Mozartin, Debussyn, Ellingtonin dhe Stravinskyn në përkapjen e asaj përzierjeje të rrallë të zemrës dhe mendjes. A guxojmë t’i krahasojmë pesë notat nga e famshmja “thirrje e kojotës” në “The Good, the Bad and the Ugly” me katër notat e hapjes në “Simfoninë e Pestë të Beethovenit?” Muzika e Morricones është po aq e tejkohshme.

Morricone, që vdiq të hënën në moshën 91-vjeçare, ka qenë ndikim e frymëzim qëkur e njoha veprën e tij si tinejxher në vitin 1967. “The Ectasy of Gold” nga “The Good, the Bad and the Ugly” më goditi me po të njëjtën fuqi sa kryeveprat moderniste, si “The Rite of Spring”, “Ive’s Fourth Symphony” dhe “Arcana” e Varèseit; ajo ka diçka prej invencionit të tyre kompleks ritmik, botës unike të zërit dhe ëmbëlsisë së romantikës së harlisur, transmeton KOHA.

Duke përqafuar lirizmin fluturak të trashëgimisë së tij italiane, dhuntia e Morricones për këngë ishte e jashtëzakonshme. Ai qe prej atyre muzikantëve që mund të bënin një melodi të paharrueshme me vetëm një grusht notash. Mjeshtëria e tij e përpiktë dhe veshi për orkestrim, harmoni, melodi dhe ritëm përftonin një muzikë që ishte përsosmërisht e drejtpeshuar; si për të gjithë kompozitorët mjeshtërorë, akëcila notë ishte aty për një arsye. Ndryshoje një notë të vetme, ritëm apo pushim, dhe gjithçka zbehet.

Me rrënjë si nga muzika popullore, ashtu edhe ajo avangarde, Morricone ishte një risues, dhe ai e tejkaloi secilën sprovë të re me një përqasje të freskët, duke ruajtur një kërshëri dhe sens posi të një fëmije për habinë. Ai ishte prore i hapur për të provuar tinguj të rinj, instrumente të reja, ndërthurje të reja – rrallë duke i mëshuar së njëjtës dy herë.

Ai ishte njeri me integritet që nuk paramerrej me budallenjtë. Rrëfimet për përgjigjet e tij ndaj sugjerimeve marroçe të regjisorëve janë legjendare, përfshirë edhe një prej më të pëlqyerave të mia: “Në historinë e muzikës, asgjë si kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë – e as që do të ndodhë”. Ai jetonte një jetë relativisht të thjeshtë në apartamentin e tij të bukur në Romë, duke u zgjuar herët në të gdhirë në orën 4:30, duke bërë shëtitje e duke kompozuar në tryezën e tij për orë të tëra. Ai udhëtonte rrallë.

Ajo që ka nevojë të kuptohet është se Morricone ishte një magjistar i tingullit. Ai kishte një aftësi mizore për të ndërthurur instrumentet në mënyra origjinale. Okarina, pëllëmbët e drunjta, fishkëllima, zhurmat me kitare elektrike, hungërimat, elektronikat dhe ulërimat natën: gjithçka ishte e mirëseardhur nëse kishte efekt dramatik.

Prej viteve ‘60, kitara elektrike u bë qendrore në paletën e tij dhe ai qe në gjendje ta përziente atë në një larushi kontekstesh të pazakonta me një mjeshtri dramatike.