Kulturë

Maestro Ennio Morricone – gjeniu i muzikës së filmit

Ennio Morricone, një prej kompozitorëve më të mëdhenj të ekranit që përjetësoi zhanrin e filmave spaghetti western, ka vdekur të hënën në moshën 91-vjeçare.

Siç raportojnë mediat e huaja, ditë më parë mjeshtri i madh kishte thyer kërcin e këmbës, për çka u shtrua në spitalin Campus Bio-Medico në Romë.

Vdekja e tij është konfirmuar nga avokati i tij, Giorgio Assumma, i cili ka thënë se Morricone u shtrua në spital javën e kaluar pasi qe rrëzuar duke dëmtuar kërcin e këmbës. Sipas avokatit, i ndjeri kishte kërkuar një funeral privat. Deri në frymën e fundit, 91-vjeçari ruajti kthjelltësi dhe dinjitet të madh.

“Ai i tha lamtumirë bashkëshortes së tij të dashur, Maria, e cila e shoqëroi atë me përkushtim në çdo moment të jetës së tij njerëzore e profesionale dhe iu gjet pranë edhe në frymën e fundit, dhe falënderoi fëmijët e nipërit për dashurinë dhe kujdesin e treguar ndaj tij. Ai ka bërë një përkujtim prekës për audiencën, mbështetja plot afsh e së cilës i mundësoi të merrte fuqi për kreativitetin e tij”, shkruhet në njoftim. Morricone e shkroi vetë lamtumirën e tij, që u lexua nga avokati i tij.

“Unë, Ennio Morricone, vdiqa. Kështu e bëj të ditur për të gjithë miqtë e mi, që gjithmonë më qëndruan pranë, dhe për të gjithë ata që janë larg, të cilët i përshëndes me dashuri të madhe”, thuhet në amanetin e Morricones.

Ai ka thënë se është e pamundur të përmenden të gjithë, por ka veçuar familjarët dhe miqtë e ngushtë, duke e mbyllur me fjalët drejtuar të shoqes: “E ripërtërij ndaj teje dashurinë e jashtëzakonshme që na mbajti bashkë, dhe më vjen keq që po të lë. Ty, lamtumirën më të dhembshme”.

“Lartësoi prestigjin e Italisë në botë”

Ndërsa Italia është rraskapitur nga 34 mijë vdekje nga pandemia e koronavirusit gjatë gjysmës së parë të këtij viti, dhembja për Morriconen ka përshkruar anekënd vendin. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, në fjalët e tij për kompozitorin ka shkruar të hënën në Twitter: “Ne gjithmonë do ta kujtojmë, me mirënjohje të pafundmë, gjenialitetin artistik të maestro Ennio Morricones”.

Sipas tij, Morricone “na bëri të ëndërrojmë, lëvizim, reflektojmë, duke bërë shënime mbamendëse që do të mbesin të paharruara në historinë e muzikës dhe të kinemasë”. Kurse presidenti italian, Sergio Mattarella ka ngushëlluar familjen e artistit të shquar, siç e ka quajtur Morriconen.

“Muzikant me finesë dhe popullor, ai ka lënë një shenjë të thellë në historinë e muzikës në pjesën e dytë të shekullit njëzet”, ka thënë ai. “Nëpërmjet kolonave zanore të tij, ai ka kontribuar ndjeshëm në përhapjen dhe përforcimin e prestigjit të Italisë kudo në botë”.

Edhe për kolegët kompozitorë, dhimbja ishte e madhe. Duke ndarë fjalë të ndjera, Hans Zimmer ka thënë se lajmi e ka pikëlluar tej mase. “Ennio ishte një ikonë dhe ikonat nuk shuhen, ato janë përgjithmonë. Muzika e tij ka qenë gjithmonë e mahnitshme dhe e bërë me një zotësi të madhe emocionale e me mendim të madh intelektual”.

Kurse regjisori Edgar Wright ka vlerësuar lart trashëgiminë që la pas vete mjeshtri italian, të cilin e ka quajtur “kompozitor ikonik”. “Ai mund ta bënte një film mesatar në film që duhej të shihej patjetër, një film të mirë në art, dhe një film të madh në legjendë. Ai ka qenë në magnetofon gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë Wright.

Trashëgimia muzikore në filma

Për shumë kineastë, mjeshtri Morricone ishte një talent unik që u dha jetë shoqërimeve melodike të komedive, trilerëve dhe dramave historike nga Bernardo Bertolucci, Pier Paolo Pasolini, Terrence Malick, Roland Joffé, Brian de Palma, Barry Levinson, Mike Nichols, John Carpenter, Quentin Tarantino dhe filmbërësve të tjerë.