Kulturë

“Rrugëtimi fishtian” restauron shtëpinë në Fishtë të Lezhës

Descriptive Text

Shtëpia ku jetoi për pak kohë Atë Gjergj Fishta së shpejti do të marrë një pamje të re. Projekti “Rrugëtimi fishtian”, për të cilin janë ndarë 5.935.887 lekë (47 mijë euro) synon ta restaurojë banesën e shkrimtarit të shquar duke ruajtur konfiguracionin origjinal të saj. Përmes një kumtese të shpërndarë pasditen e së enjtes, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka njoftuar se kanë filluar punimet për restaurimin e shtëpisë ku Atë Gjergj Fishta jetoi në periudhën e hershme të jetës së tij.

Kjo banesë në fshatin Fishtë, Bashkia e Lezhës, sipas njoftimit ministror, mban statusin e Monumentit të Kulturës të kategorisë II.

“Punimet restauruese do t’i përmbahen konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati. Në projekt u është dhënë rëndësi dhe punimeve në oborrin e godinës, ku përfshihen restaurimi i murit rrethues dhe kangjellave metalike; shtrimi i rrugës, që lidh portën e hyrjes në oborr me hyrjen kryesore në banesë; realizimi i një sistemi drenazhi dhe sistemimet e jashtme me gjelbërim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë ditës ministrja Elva Margariti ka inspektuar banesën e shpallur monument. Sipas fotografive të afishuara në faqen e saj në “Facebook”, shtëpia ku jetoi Fishta paraqitet sot në një gjendje mjaft të dëmtuar, sidomos nga mjediset e saj të brendshme.