Kulturë

“Post mortem” si homazh për vdekjen e librit

Prishtinë, 1 qershor - “Kërkush”, është përshkrimi mbi letrën e bardhë, anash pikturës, në të cilën dominojnë nuancat e së kuqes, por që nuk e zbehin zymtësinë e imazhit. Tri karrige të zbrazëta shihen përballë raftit të mbushur me libra. Raftet me libra janë të shpeshtë në veprat e piktores së re, Jeta Kalaveshi.

Ato janë kryefjalë e ekspozitës, të cilën artisja e ka titulluar “Post mortem”, një emërtim metaforik mbi vdekjen e librit, që është thelb i gjithë shëtitjes nëpër ambientet e galerisë “Qahili”. Në fiks njëmbëdhjetë piktura, Kalaveshi jep një homazh artistik mbi harresën që u është bërë librave në ditët moderne. Preokupimi i saj shpërfaqet në forma të ndryshme, por zymtësia – ngjyrat e errëta të orendive në të cilat janë vënë librat në veprat e saj – korrespondon mirë me titullin e ekspozitës.

Kalaveshi – e cila ka qenë pjesë e ekspozitave të ndryshme kolektive dhe është në përfundim të studimeve master në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës – ka shpjeguar se përse është përcaktuar për titullin “Post mortem”, duke shpjeguar se bëhet fjalë për vdekje të librit.

Piktorja Zake Prelvukaj e ka hapur ekspozitën duke thënë se Kalaveshi ka guxim ta shprehë me art preokupimin e saj artistik (gjerësisht, sot në “kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.