“Rrëfime për Kosovën”, cikli i ri i dokumentarëve në KTV

“Rrëfime për Kosovën”, cikli i ri i dokumentarëve në KTV

25 shkurt 2017 21:54

Tre vjet pas ciklit të parë të suksesshëm, të dielën në Kohavision, fillon seria e dytë e dokumentarëve “Rrëfime për Kosovën” nga Fatmir Lama.

Cikli i parë prej 6 episodesh, përfshiu periudhën mes viteve 1941 dhe 1957 nga hapja e shkollave shqipe në Kosovë, e deri te shpërngulja e shqiptarëve.

Episodi i parë i ciklit të dytë, të quajtur “Dhuna shtetërore”, flet për fundin e viteve të ‘50ta të shekullit të kaluar, kur shqiptarët burgoseshin, vriteshin e zhdukeshin pa dhënë askush përgjegjësi.

Episodi i dytë përfshin vitin 1964, burgosjet masive të grupit të parë – të Adem Demaçit, dhe maltretimin e tyre në burgje.

Pas kësaj, vjen episodi “Rënia e Rankoviçit” – ku tregohen vuajtjet e maltretimet e shqiptarëve, të cilët atëkohë, në ish-Jugosllavi, konsideroheshin si të pavlerë.

Rritja e aktiviteteve të intelektualëve dhe tubimi shkencor për unifikimin e gjuhës më 1968 në Prishtinë, janë nga ngjarjet kryesore të përfshira në episodin e katërt.

Episodi i pestë flet për "Trimat e heshtur" që kërkuan lirimin e shqiptarëve nga burgjet dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës.

“Universiteti” është episodi i gjashtë, që lidhet edhe me episodin e dytë të serisë së parë, hapjen e shkollave me 1941, e që nga autori Lama, konsiderohet si festa më e madhe në Kosovë deri në vitet e 70’ta.

Seria e re e dokumentarëve, sjell rrëfime nga dëshmitarë, protagonistë e njerëz që kanë përjetuar gjithçka, e po ashtu dokumente, fakte e fotografi të rralla, e të papublikuara më parë.


“Rrëfime për Kosovën”, cikli i ri i... by kohanet

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme