Kulturë

Regjisorja e njohur meksikane bën film për luftën e Kosovës

Descriptive Text

Vjollca Bajraj asnjëherë nuk kishte menduar të bëhej aktore, mirëpo ajo tashmë është në mes të xhirimeve në filmin artistik të regjisores së famshme Paula Markovitch.

Regjisorja Markovitch, e cila është e shpërblyer me shumë çmime prestigjioze duke përfshirë edhe atë të Ariut të Agjentë në Berlinale, në filmin ku ka angazhuar Vjollca Bajraj është duke shtjelluar rrëfimin e luftës së Kosovës.

Bajraj në një intervistë për KultPlus ka treguar për përvojën e saj në këtë film që është duke u xhiruar në Meksikë, por që ngjarjen e ka të vendosur në Berlin të Gjermanisë, për filmin që flet në gjuhën spanjolle, por që herë pas here flet edhe në shqip, sikurse edhe për dhimbjen e një nëne kosovare për humbjen e familjarëve, në mesin e tyre edhe të vajzës së saj pesë vjeçare.

Bajraj: Ky është roli im i parë. Regjisorja e filmit Paula Markovitch ishte në kërkim të një aktoreje të Bosnjës. Duke pas parasysh se në Meksikë nuk ka shumë nga Ballkani, ajo kishte dëgjuar për mua, dhe erdhi më shumë deri te unë që të njoftohej me situatën në Ballkan. Dhe duke i rrëfyer për situatën në Ballkan ajo më propozoi që nëse do të mundja të bëja unë këtë rol. Unë fillimisht e refuzova.

Fillimisht e refuzuat, pse hezituat ta pranonit këtë rol?

Vjollca Bajraj: E refuzova për faktin se në planet e mia asnjëherë nuk ka qenë që të jem aktore. Mirëpo, pas bisedave të para, regjisorja më ka marrë prapë në telefon duke insistuar disa herë që të pranoja këtë rol, duke pranuar që edhe ta ndërrojë personazhin e gruas nga ajo boshnjake në një grua të Kosovë. Pasi më dha edhe këtë detaj, atëherë unë e luta që të ma shpjegonte më shumë rrëfimin e filmit, në mënyrë që ta kisha më të lehtë edhe vendimin.

KultPlus: Atëherë, a mund të na shpjegoni se çfarë drame ka brenda këtij filmi?

Vjollca Bajaj: Ngjarja ndodhë në ditët e sotme në Berlin. Personazhi të cilin e luaj unë, është një grua kosovare, të cilës në lufte i kanë vrare plotë familjarë, ndër ta edhe vajzën e saj pesë vjeçare. Ajo qysh atëherë ka ikur në Berlin dhe punon si rrobalarëse në një hotel. Tërë ngjarja është rrëfimi i kësaj gruaje dhe i një djaloshi të ri, i cili rolin e tij e luan një aktor i ri meksikan, i cili fshihet në atë bodrum të hotelit ku ajo punon. Me pakë fjalë kjo është ngjarja e filmit. Kurse regjisorja ende nuk ka vendosur për titullin e filmit.

Dhe, ky rrëfim të bindi që të pranosh këtë rol në filmin e një regjisoreje të famshme, e cila është shpërblyer edhe me Ariun e Agjentë në Festivalin prestigjioz “Berlinale”?

Vjollca Bajraj: Jo, kemi pas edhe një pengesë deri te pranimi i rolit. Për shkak se në këtë film është planifikuar edhe një skenë erotike. Jo që isha kundër që ishte një skenë erotike, por mendoj që këto skena duhet të luhen nga aktorë me shumë përvojë, dhe për këtë fakt edhe e refuzova. Një kohë projekti mbeti pezull, deri sa regjisorja ka gjetur një dubllere për këtë rol, dhe jemi dakorduar. Kjo skenë do të luhet nga një aktore argjentinase.

Filmi është duke u xhiruar në Meksikë, ndërkohë flitet për një grua kosovare, a ka plane që mund të xhironi edhe në Kosovë?

Vjollca Bajraj: Xhirimet për në Kosovë janë të kushtueshme për produksionin, dhe njëherë për njëherë, përjetimet e kësaj gruaje në Kosovë, në këtë film barten nëpërmjet kujtimeve.

Në çfarë gjuhe flitet në film?

Vjollca Bajraj: Në këtë film flitet në gjuhën spanjolle, por ka raste kur flas edhe shqip. Mirëpo, po konsiderohet të jetë një rol mjaftë i vështirë, për shkak se emocionet e këtij filmi më shumë shprehen nëpërmjet shprehjes së fytyrës, gjesteve. Gjërat që do të duhej të thuhen me fjalë, ky rol i përcjellë nëpërmjet gjesteve, mimikës.

Jeni në dijeni se ku do të prezantohet ky film?

Vjollca Bajraj: Regjisorja është duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të këtij filmi nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare. Markovitch ka shumë çmime ndërkombëtare.