Kulturë

Takimet Letrare “Azem Shkreli” pritet të mos mbahen sivjet

Sikur vitet e kaluara edhe këtë maj, në plan ishte mbajtja e Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli”, mirëpo për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, edicioni XVIII kushtuar veprës së poetit rugovas, nuk do të mbahet sivjet.

Edicioni i sivjetmë ishte paraparë të mbahej më 23, 24 dhe 25 maj.

“Ishim në fazën përgatitore dhe si është shfaqur pandemia, i kemi ndaluar të gjitha veprimet dhe angazhimet. Nuk janë shpërndarë ftesat për pjesëmarrje. Edhe të interesuar për konkurrim në këtë festival ka pas mjaftë, por ata janë njoftuar se takimet do të shtyhen për një datë të pacaktuar”, thotë drejtori i Kulturës në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj. Sipas tij, këto takime më parë nuk do të mbahen fare sivjet sesa që do të mbahen.

Zefaj tregoi se aktualisht nuk ka as mjete të ndara për edicionin XVIII të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” për shkak të pandemisë. “Përderisa nuk lejohen tubimet, s’ka as aktivitete kulturore. E përderisa s’ka as aktivitete kulturore, nuk ka kuptim të mbahen mjetet e bllokuara. Kështu që së bashku me kryetarin do ta shqyrtojmë këtë situate dhe ato mjete, që do të ishin shpenzuar për këto takime, do t’i orientojmë andej ka janë më të dobishme dhe më të nevojshme”, tha Zefaj për KOHËN.

Kjo është hera e parë që këto takime tradicionale të mos mbahen prej se kanë nisur 18 vjet më parë. Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Azem Shkreli u ngjit në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Poeti rugovas vdiq në pranverën e vitit 1997.