Kulturë

Çmimet në kinematografi e art pamor midis inkurajimit e kërkesës për risi

Fiks 30 ditë do t’i kenë në dispozicion të interesuarit për t’i propozuar kandidatët për çmimet vjetore në fushën e kinematografisë dhe arteve pamore. “Me qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë filmike”, Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin për çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” dhe “Çmimin vjetor për kinematografi”. Po në të njëjtën ditë, të hënën pasdite, Ministria ka hapur edhe konkursin për çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” dhe “Çmimin vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor”, që iu akorohen krijuesve të dalluar që “me krijimtarinë e tyre artistike kanë lënë gjurmë të thella në fushën e artit pamor”.

Gjatë kësaj kohe institucione akademike, universitare e kulturore, përfshirë Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Qendrën Kinematografike, Fakultetin e Arteve, Galerinë Kombëtare të Kosovës, asociacionet e ndryshme e të tjera, duhet t’i dorëzojnë të firmosura propozimet e tyre bashkë me arsyetimet me shkrim, CV-në e të nominuarit, si dhe materialet e tjera përcjellëse, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa kanë vlerësuar traditën e përvitshme për këto çmime, njerëz të artit kanë kërkuar përzgjedhje më serioze nga ana e jurive profesionale. Mes sugjerimeve të tyre ka qenë edhe diversifikimi i fushave në të cilat akordohen këto çmime.

Regjisori Isa Qosja ka vlerësuar se çmimet e akorduara çdo vit në kinematografi janë motivuese për krijuesit nga kjo fushë. Sipas tij, ato duhen ruajtur jo vetëm si simbolikë.

“Konsideroj se çmimet në këtë vend meqë janë të pakta, janë edhe të rëndësishme. Nuk ka shumë fusha e manifestime dhe as interesim të madh për t’i vlerësuar krijuesit”, ka thënë Qosja në një prononcim për KOHËN. Duke folur për çmimin “Bekim Fehmiu”, laureat i të cilit kishte qenë në vitin 2014, ai ka thënë se ky shpërblim lidhet me emrin e një kolosi të kinematografisë, siç e ka quajtur ai aktorin shqiptar të lindur në Sarajevë.

“Ai mbetet një emër i paharruar që dridhi Evropën me paraqitjen e vet në atë kohë. Bekimin e mbajmë mend për interpretim e fuqi kreative të jashtëzakonshme”.

Qosja ka tërhequr vërejtjen se mund t’i humbë vlera këtij çmimi në rast se ai i jepet çdokujt. Disa “ndryshime të vogla”, sipas tij, do t’u jepnin vlerë më të lartë çmimeve vjetore në kinematografi.