Kulturë

Arti i Kosovës me 143 vepra në koleksionin “Imago Mundi”

Vepra të artistëve nga Kosova, të realizuara gjatë gati një shekulli, janë bërë bashkë në një koleksion të vetëm. Piktura që dallojnë për nga stili dhe zhanri, njëherësh edhe fotografi, instalacione e mix-media të 74 artistëve vendorë, i janë falur koleksionit “Imago Mundi” në Itali.

Nëpërmjet tyre shpaloset zhvillimi e artit në vend. Janë fiks 143 punime, të disa prej artistëve më reprezentativë të Kosovës si Nysret Salihamixhiqi, Alije Vokshi, Rrexhep Ferri, Musa Kalaveshi, Eshref Qahili, Isa Alimusaj, Ismet Jonuzi, Adem Rusinovci e të tjerë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në koleksion janë edhe veprat në fotografi të, Hazir Rekës, Jetmir Idrizit e Majlinda Hoxhës, sikurse edhe ato në teknika të ndryshme të trendëve të fundit, të artistëve të gjeneratës së re si Rudina Xhaferi, Dardan Zhergrova e Tadi.

Krejt bashkë, veprat krijojnë një dëshmi e kreativitet artistik në vend, për të treguar evoluimin e artit bashkëkohor në Kosovë, që nga koha kur ishte pjesë e ish-Jugosllavisë e deri më sot. Ky koleksion i pagëzuar si “Small is Beautiful: contemporary artists from Kosovo” (E vogla është e bukur: artistët bashkëkohorë nga Kosova), hap dritare të reja në komunitetin artistik në të cilin kontinuiteti i temave dhe i teknikave sjell një lidhje mes artistëve të rinj dhe mjeshtërve me eksperiencë.

Ekspozita “Face to Face” ështe vetëm një prej ngjarjeve që ka organizuar “Imago Mundi”, koleksion i njohur botëror i cili në arkivin e tij ka më shumë se 10 mijë vepra arti nga më shumë se 120 shtete të botës. Pjesë e tij tashmë është edhe Kosova.

Për realizimin e ekspozitës - e cila qe hapur më 9 maj deri të dielën në Qendrën Kulturore në Sarajevë - secili shtet ka prezantuar kuratorët e vet. Për Kosovë, këtë detyrë e ka pasur artisti Mehmet Behluli... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.