Kulturë

“Vallëzo në shtëpi” shpërndan krenarinë e kulturës gjeorgjiane

Baleti Kombëtar i Gjeorgjisë, ansambli i famshëm i vallëzimit popullor i ish- vendit sovjetik, ka filluar që të japë mësime online pasi që shkolla e tyre e njohur e vallëzimit i mbylli dyert për shkak të koronavirusit. Rreth 5 mijë fëmijë dhe adoleshentë, që ishin mësuar që të ndiqnin leksione vallëzimi së paku tri herë në javë, kishin mbetur pa ushtrime të rregullta për vallëzim popullor, një pikë kryesore e kulturës së Gjeorgjisë dhe një burim i krenarisë kombëtare.

“Kemi filluar me mësime online, që janë të qasshme për studentët tanë e po ashtu edhe për këdo rreth botës që dëshiron që të mësojë vallëzimet popullore të Gjeorgjisë”, ka thënë Nino Sukhishvili, drejtoreshë artistike e grupit dhe mbesa e themeluesit të tij.

Çifti Iliko Sukhishvil dhe Nino Ramishvili themeluan ansamblin para më shumë se 70 vjetëve dhe e shndërruan atë në një trupë të famshme, që ka udhëtuar gjithandej dhe ka performuar në skenat më të njohura të botës, raporton KOHA.

Muzika e gjallë e kombinuar me stile që tregojnë fuqinë, rrotullime të shpejta dhe kërcime nga burrat së bashku me kërcimet në ajër dhe lëvizjet elegante të grave me kostume ngjyrash të ndezura e bëjnë vallëzimin e Gjeorgjisë një spektakël verbues.

Trupa e tanishme e udhëhequr nga Nino Sukhishvili dhe vëllai i saj Iliko Sukhishvili i Riu, ishte detyruar që të ndërpriste turneun e marsit në Evropën Lindore për shkak të fillimit të shpërndarjes së koronavirusit.

“Kjo është një sfidë për mësuesit tanë”, ka thënë Nutsi Bezhashvili, pjesë e ansamblit. “Por unë besoj se çdo gjë është më mirë sesa të qëndrosh në shtëpi izoluar e pa lëvizur...ne do të vazhdojmë të japim mësime online për fëmijë dhe jam e sigurt se ata do të mirëpresin leksionet tona”.

Republika në Kaukaz me 3.7 milionë njerëz ka 400 të infektuar me COVID-19 dhe 4 të vdekur.