Kulturë

“Home” nga izolimi me tinguj dashurie e melodi optimiste

Një përjetim artistik i ditëve të izolimit gjatë pandemisë ka nxjerrë diçka “mistike” nëpërmjet kitarës. Teksa telat zhgrehen lehtësisht e me mjeshtri, “Mystic” është sikur një përsiatje lirike që përçon optimizëm e ngrohtësi. Kjo është vetëm një nga dhjetë pjesët instrumentale, përpunimet dhe krijimet origjinale të kitaristit nga Gjakova, Agron Peni, i cili ka nxjerrë albumin e tij më të ri “Home”.

Nëpërmjet një postimi të afishuar në llogarinë e tij në “Facebook”, të mërkurën pasdite, ai ka bërë të ditur se ky album është publikuar në të gjitha adresat online nga kompania spanjolle “Publimaster”. Ky album në solo-kitarë, ka shpjeguar artisti, përbëhet nga pjesë të realizuara gjatë periudhës së izolimit.

“Për të qenë sa më afër jush, sidomos në këtë periudhë, albumi është realizuar bashkë me video në shtëpinë time, të cilët do të shpërndahen ditëve në vijim në kanalin tim YouTube, si dhe në rrjetet sociale, ndërsa blerja e tij njëherë përnjëherë mund të bëhet vetëm online në adresat e shitjes”, ka shkruar Peni.

Siç ka bërë me dije në vijim të njoftimit, Pëllumb Ballata ka kontribuar për audio-incizimin, Ertan Iliyaz për videot e realizuara në bashkëpunim me montazherin e videove, Ersin Samli, përderisa Arlinda Morina ka bërë dizajnin e kopertinës së albumit.

“Uroj t’ju pëlqejë albumi duke dëshiruar për ju shëndet të mirë dhe tejkalim të lehtë të kësaj situate!”, ka thënë Peni.

Në një bisedë për KOHËN, kitaristi Peni e ka quajtur ndjenjë të veçantë publikimin e albumit në rrethanat aktuale kur njerëzit janë të izoluar.

“Duket si ndjenjë shumë e veçantë dhe e mirë publikimi i albumit në këto rrethana duke pasë parasysh se njerëzit kanë më shumë kohë t’i kushtojnë vëmendje, si dhe ta pëlqejnë më shumë”, ka thënë Peni të enjten.

Përveç “Mystic” që e ka krijuar duke e përjetuar situatën e izolimit, ai ka treguar se pjesët e tjera janë përpunime dhe krijime të mëhershme si ide, madje të luajtura edhe në disa koncerte jashtë vendit. “Por tani ishte rasti më i mirë i realizimit të tyre në mënyrë profesionale për nga audio, videot dhe publikimi duke pasur parasysh se tani isha më i qetë dhe më i lirë për nga puna dhe dinamika e jetës”, ka thënë Peni.

Nga pjesa në pjesë, tek shumica e tyre dëgjuesi përfton ndjesi lirike, të qeta e optimiste. Në mes të tyre edhe të tilla që shërbejnë si “kundërhelm” ndaj zymtësisë e pesimizmit që lind gjatë qëndrimit mbyllur. Si të tillë, nga albumi kitaristi ka veçuar këngën “Si flutur”, një tango, sipas tij, që shpreh shumë dashuri dhe optimizëm si melodi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.