Kulturë

Anulohet botimi i librit me kujtime të regjisorit Woody Allen

Botuesit e librit të ardhshëm me kujtime të regjisorit, Woody Allen, i kanë prishur planet e publikimit të tij për shkak të kritikave të shumta që i kanë marrë nga publiku, kjo ngase regjisori i famshëm hollywoodian akuzohet për ngacmim seksual nga vajza e tij.

Shtëpia botuese "Hachette Book Group" në të kaluarën kishin bërë të ditur se do ta publikojnë librin e Allenit, "A Propos of Nothing," në muajin prill të këtij viti. Por, javën e kaluar një numër i madh i punëtorëve të shtëpisë botuese "Hachette" në New York, janë larguar nga vendi i punës në shenjë proteste lidhur me vendimin e kompanisë për publikimin e librit të regjisorit.

Allen vazhdimisht i ka mohur akuzat për ngacmimin seksual të vajzës së tij të adoptuar, Dylan Farrow, ngjarje kjo e cila besohet të ketë ndodhur në vitin 1992.

Në një deklaratë të lëshuar nga shtëpia botuese "Hachette" thuhej: "Vendimi për ta anuluar botimin e librit të zotit Allen nuk ishte i lehtë për ne. 'Hachette Book Group' i merr shumë seriozisht marrëdhëniet me autorët e vet, dhe nuk i anulon publikimet e librave të tyre me lehtësi. Siç kemi bërë në të kaluarën, edhe më tutje ne do të vazhdojmë të publikojmë libra sfidues për publikun".

Zëdhënësit e regjisorit nuk kanë pranuar të komentojnë rreth këtij rasti.

Dylan Farrow dhe vëllai i saj, gazetari Ronan Farrow, që të dy e kishin kritikuar vendimin e kompanisë për ta publikuar librin e babait të tyre. Allen ndër vite i ka mohuar akuzat e ngritura nga vajza e tij, të cilat i kishte mbështetur edhe nëna e saj aktorja Mia Farrow, e cila kishte luajtur në disa filma të Allenit dhe ishte në lidhje me regjisorit për një kohë të gjatë, para se ai ta braktiste për vajzën e saj të adoptuar, Soon Yi Previn. Deri më tani, regjisori nuk është paditur ndaj akuzave për abuzim.

Woody Allen është fitues i katër shpërblimeve Oscar, përfshirë këtu kategorinë "Regjisori më i mirë" për filmin e vitit 1977, "Annie Hall," i cili po ashtu u shpall filmi më i mirë i atij viti.