Kulturë

Mungesa e pavarësisë financiare thellon krizën e institucioneve kulturore

Prishtinë, 5 mars – Kupon fiskal, kontratë, konfirmim i qarkullimit bankar e fatura e rregullt, janë dokumentet që i duhen furnizuesit të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës kur blen një rekuizitë për shfaqje.

Këto dokumente duhet mbledhur edhe kur institucionet blejnë artikuj në vlera të vogla, qoftë edhe 10 palë çorape për një shfaqje që kushtojnë 10 euro.

“Cili dyqan t’i bën gati krejt këto letra për një vlerë të vogël që shet?”, pyet furnizuesi i Teatrit dhe Baletit, Hysen Kuleta. Por ky nuk është problemi i vetëm.

Institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore krejt dosjen e një produkti duhet ta dërgojnë në Ministrinë e Kulturës. Vonesat për shkak të ngarkesës në Divizionin e Financave të MKRS-së janë të mëdha. Për pasojë institucionet kanë trashëguar detyrime të vitit të kaluar. Filarmonia e Kosovës numëron mbi 64 mijë euro detyrime e ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” mbi 39 mijë. Centralizimi i plotë sa u përket financave në raport me institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore është bërë prej qershorit të vitit 2018.

Qysh prej shtatorit të atij viti, pagesat për shërbimet që marrin institucionet bëhen direkt nga Thesari i shtetit. Kjo praktikë e pagesës kishte nisur të përdorej katër muaj pasi ishin mbyllur llogaritë e institucioneve në bankat komerciale, pasi Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se ato nuk ishin të autorizuara nga Thesari.

MKRS-ja vazhdimisht ka premtuar kode e nënkode buxhetore për institucionet. Por një gjë e tillë nuk është bërë.

Pavarësia financiare e institucioneve është një prej objektivave të ministres së re të Kulturës, Vlora Dumoshi.

Këtë çështje ajo ka thënë se e ka ngritur edhe në mbledhjen e kabinetit qeveritar të shtunën, në Prevallë.

Paraardhësi i Dumoshit në pozitën e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, synonte që çështja e pavarësisë financiare gjatë vitit 2019 të jetë punë e kryer. Por nuk i kishte dalë. Nëse do të bëhej një gjë e tillë, secilit institucion i duhet të rrisë numrin e zyrtarëve financiarë.

Por gjendja aktuale del të jetë e papërballueshme.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)