Kulturë

Tinguj violine dhe jehonë barokiene si dëshmi për potencialin muzikor

Prishtinë, 26 maj - Vepra të njohura për violinë dhe aso vokale të kohës së barokut e karakterizuan natën e dytë të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës, “ReMusica”. Oferta për publikun kanë qenë dy koncerte të ndryshme dhe një dëshmi për potencialin muzikor shqiptar si në vepra, instrumentistë e vokalistë.

Violinisti shqiptar Kristi Gjezi, i cili jeton në Francë, shoqëruar nga pianistja Merita Rexha-Tërshana, u ngjitën të parët në skenë për të sjellë katër vepra. U bënë bashkë për një udhëtim nëpër veprat e kompozitorëve Pjetër Gaci, Bach, Prokofiev dhe Saint-Sawns. Rrugëtimi i tyre muzikor solli baladën për violinë e piano të Gacit, për të cilën ai mori epitetin si kompozitori i parë shqiptar i cili kompozoi një vepër të tillë. Gjezi dhe Rexha-Tërshana, ani pse kishin pak ditë që ishin takuar, në skenë reflektuan lojën harmonike.

Koncerti i dytë ka qenë sikur hapje e një tjetër kapitulli të botës muzikore. “Jehonë barokiene” ka qenë titulli.

Pas melodive që vinin nga violina dhe pianoja, në skenë u ngjitën sopranoja Kaltrina Miftari dhe kontratenori Safet Berisha. Dy vokalistët kanë reflektuar emocion.

Drejtoresha artistike e festivalit, Donika Rudi, ka thënë se “Safet Berisha, Kaltrina Miftari, Diellza Sylejmani, Shaban Behramaj, Granit Musliu dhe solistët tjerë, dëshmuan mbrëmë se në Kosovë ka artistë me të cilët mund të mburremi, të jemi krenarë” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

 

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}