Kulturë

Hapet për publik ekspozita #ecokosovo

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara (UNV) - në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) hapën një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga fushata #ecokosovo dhe shpallën fituesit, në një ceremoni që u zhvillua të premten në mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare.

Ekspozita, që do të jetë e hapur deri më 28 shkurt, përmban 103 fotografi të zgjedhura nga më shumë se katërqind që janë paraqitur në fushatën avokuese online në temën mjedisi dhe shëndeti, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në hapje të ngjarjes, Andreë Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së theksoi se qytetarët e Kosovës duhet t’i kushtojnë rëndësi problemit të mjedisit që shkakton sëmundje të ndryshme, transmeton Koha.net. 

"Pse Kombet e Bashkuara në Kosovë kujdesen për mjedisin dhe shëndetin? Sëmundjet e organeve të frymëmarrjes dhe sëmundjet tjera të shkaktuara nga faktorë të mjedisit po ua shkurtojnë jetëgjatësinë qytetarëve të Kosovës. E megjithatë, popullata i kushton shumë pak vëmendje këtij problemi, siç mund të shihet edhe në raportin tonë të fundit të Pulsit Publik. Shpresojmë që rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me ndikimet vdekjeprurëse mjedisore në shëndet, përmes fotografive dhe mjeteve të tjera, do të rezultojë në angazhim më të madh nga ana e qytetrëve për këtë çështje absolutisht kritike", tha Russell.

Në fjalën e vet të rastit, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala shprehi kënaqësinë që ishte pjesëmarrës i ngjarjes.

“Kam kënaqësinë që sot jam pjesë e ekspozitës Mjedisi dhe Shëndeti. Besoj që kjo ekspozitë do të ndikojë fuqishëm për të tërhequr vëmendjen e gjithë akterëve institucional dhe qytetarëve për të ndikuar më shumë në ruajtjen e mjedisit”, tha Shala.

Edhe Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani theksoi rëndësinë e mobilizimit të përgjithshëm në mbrojtjen e mjedisit.

“Kosova duhet t’i bashkohet vendeve tjera në ruajtjen e cilësisë së ajrit duke ratifikuar konventat, protokollet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ministria e Shëndetësisë në strategjinë e saj ka gjithmonë promovimin e jetës së shëndetshme dhe ushtron kompetencën përmes sponzorimit dhe implementimit të ligjeve nga fusha e shëndetësisë. Gjithashtu, kjo ministri, përmes institucioneve përkatëse është e gatshme të jetë pjesë e çdo iniciative, organizimi apo mekanizmi nacional dhe ndërkombëtar i cili për objektiv final ka avancimin e shëndetit publik dhe ruajtjen e mjedisit”, është shprehur ai.

Image

Fotografia e Arijana Deshishkut ku shihet duke ushtruar joga me një maskë të gazit, është njëra nga tri fotot fituese.

"Fotografia tregon një mikro protestë timen. Unë besoj se mjedisi duhet të jetë i pastër në mënyrë që të përjetohet plotësisht të ushtruarit e jogës të shëndetshme", shpjegon foton e saj Arijana.

Prej nëntorit deri në dhjetor 2016, #ecokosovo-së i kanë arritur mbi 400 foto aplikime.

Fotografitë janë dorëzuar online me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mjedisin dhe shëndetin në Kosovë. Fushata ishte e suksesshme dhe u paraqit si sfidë e vështirë për pesë anëtarët e jurisë të cilët kishin për detyrë të zgjedhin vetëm tre fitues nga të gjitha aplikimet. Me një temë të gjerë mjedisi dhe shëndeti në Kosovë, pjesëmarrësit ishin të lirë të shkrepin foto të Kosovës dhe mjedisit të saj ashtu si ata e shohin dhe e përjetojnë.

Agon Nimani, një tjetër fitues, bëri foto nga një këndvështrim më ndryshe. Me një dron, ai shkrep një foto të një deponie makinash nga një pamje ajrore. Fotografia e tij përshkruan një problem tjetër mjedisor: mbeturinat.

Duke iu referuar fotos së tij, ai thotë se, "sinjali i ndryshimeve klimatike është i padurueshëm dhe alarmant, por në qoftë se zvogëlojmë sasinë e mbeturinave, ne ulim nivelin e ngrohjes globale”.

Duke iu referuar ajrit në Prishtinë si "helm", Agoni thotë se ai do të lë “fotot e tij të flasin vet".

Nga dhjetëra metra lartësi mbi deponi, fotot po që flasin.

Image

Arian Mavriqi, fituesi i tretë i konkursit #ecokosovo, zgjodhi të përqendrohet në bukurinë natyrore të Kosovës. Në një kodër me pjerrësi të butë, fotoja e Arianit është pikërisht natyra.

Gjethet ngjyrë kuqe të rëna në tokë janë në kontrast me trungjet e pemëve të bardha, që ngrihen aty.

Ai thotë se, “kujdesi për mjedisin është kujdes për shëndetin tonë. Sa më shumë të kemi kujdes, më të shëndetshëm do të jemi".

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, garues dhe qytetarë. Alban Muja, artist i njohur kosovar foli në emër të panelit vlerësues.

Fushata avokuese #ecokosovo është projektuar dhe implementuar nga Trembelat. Pas Bibliotekës Kombëtare, ekspozita do të shfaqet në bulevardin Nënë Tereza prej 3 deri më 6 mars.